Politikë

Nis jeta parlamentare, konstituohen 5 nga 11 komisione! Përplasje te ‘Ligjet’, PD: Shkelët rregulloren

30 Shtator, 14:14| Përditesimi: 30 Shtator, 15:39

  • Share

Edhe pse me vonesë, jeta parlamentare nisi. 5 nga 11 komisionet e përhershme në Kuvend u konstituuan duke konsideruar punën të nisur zyrtarisht për ligjvënësit.

I pari që hapi dyert ishte Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme që drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani. Në këtë komision, bashkim i 2 komisioneve të mëparshme, atij të “Politikës së Jashtme” dhe të Integrimit, puna nisi menjëherë me 2 kërkesa nga opozita.

“Duhet të jemi solidarë me iniciativën e Trump. Plani 20 pikësh që mund të sjellë paqe në lindjen e mesme. Këtë mund t’ia kërkojmë edhe qeverisë shqiptare”, tha Tritan Shehu.

“Ministrja  e re e jashtme të paraqitet në komision të na qartësojë për qasjen e Shqipërisë në raport me zhvillimet e reja në Kosovë”, tha Erald Kapri.

Në komisionin e Ligjeve, situata ishte më e tensionuar, me pretendimet e opozitës për shkelje të rregullores.

“Duhet të ishit konsultuar me ne për rendin e ditës, shkelje e rregullores”, tha Oerd Bylykbashi.

Ndërsa komisioni miratoi kalendarin e punimeve për 3 javët e ardhshme dhe dëgjesat për institucionet e pavarura, të cilat ende nuk kanë raportuar në kuvend për vitin 2024. Seancat dëgjimore do të organizohen në mbledhje të përbashkëta të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Mbikëqyrjes Institucionale të Fatmir Xhafajt.

“Do të drejtohet nga unë se është kompetencë e ligjeve”, tha Ulsi Manja.

“Shpresojmë të jetë dakord dhe Xhafaj”, iu përgjigj Gent Strazimiri.

Gjatë Komisionit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit Rural kryetari Blendi Klosi, u kërkoi anëtarëve të jenë sa më aktivë.

“Buxheti do të vijë në mesin e tetorit, të jemi të gjithë aktivë”, tha Klosi.

Ndërsa PD shpreson që nismat e tyre në këtë legjislaturë të mos rrëzohen nga shumica me forcën e kartonit.

“Jeni vetëm noterë, mos na bllokoni nismat”, tha Nallbati.

Opozita nisi me drejtimin e Komisionit të Shëndetësisë, nga mjeku Bardh Spahia.

Ndërsa komisioni më i ri kuvend ai i Burimeve Natyrore, Infrastrukturës dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, nisi në një mënyrë të pazakontë, që kryetarja Anila Denaj, e cilësoi një ogur të mbarë për punët e Kuvendit. Deputetja e PS, Ilva Gjuzi u shfaq me foshnjën në kraharor. "Një fëmijë në mesin tonë është një mbarësi…”, tha kryetarja e komisionit Anila Denaj.

Komisionet që nisën punën
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme (PS)
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike (PS)
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural (PS)
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale   (PD)
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm (PS)

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?