Nis ndërtimi i portit turistik, Vlora Marina projekti më i rëndësishëm për turizmin detar në vend

29 Dhjetor 2022, 16:00| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 16:04

  • Share

Prej pak kohësh ka nisur ndërtimi i portit turistik të Vlorës që parashikon transformimin e hapësirës ku ndodhej porti i vjetër industrial në portin më të madh turistik në vend.

Demontimi i strukturës së vjetruar dhe jashtë funksionit të portit të vjetër të mallrave është drejt përfundimit dhe tashmë ekipet e inxhinierëve dhe punëtorëve po përgatiten për fillimin e hedhjes së “themeleve” të marinës më të madhe në vend dhe një ndër më modernet në detin Adriatik dhe detin Jon.

Vlora Marina do të ketë 438 vende dhe është e kategorisë Superiore që plotëson të gjitha kërkesat dhe standardet maksimale për ankorimin e jahteve dhe mega-jahteve. Për zhvillimin e këtij projekti janë bërë bashkë XDGA - Xaveer De Geyter Architects – Bruksel, një ndër studiot arkitekturore më prestigjioze Evropiane me eksperiencë në fushat  urbanistikës dhe inxhinierisë civile, Arti Proje ltd – Londër, projektues me eksperiencë në realizimin e disa prej marinave më të rëndësishme të Mesdheut.

Projekti për ndërtimin e marinës më të madhe në vend do të kushtojë rreth 45 milion euro. Punimet e plota për ndërtimin e marinës në Vlorë parashikohen që të përfundojnë në vitin 2025 por ajo do të jetë e përdorshme pjesërisht edhe më parë. Të gjitha kostot e këtij projekti do të mbulohen nga kompania koncesionare dhe 30 vite pas përfundimit të ndërtimit porti turistik i kalon shtetit shqiptar.

Me fillimin e punimeve për portin turistik qytetit të Vlorës i krijohen shumë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit duke u kthyer në një portë detare e barabartë me qytetet e tjera në detin Mesdhe. Vetë Vlora është qyteti kryesor i turizmit detar në vend por tashmë merr edhe një pozicion strategjik në korridoret e pushuesve që zgjedhin lundrimin nëpërmjet detit.

Operatorët turistik në vend do të përfitojnë një rritje të volumit nga ekonomia blu që do të krijojë Marina Vlorë. Ndërkohë një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në ekonomitë e qytetarëve të Vlorës do të vijë nga punësimi gjatë fazës së ndërtimit. Ndërkohë, gjatë fazës së operimit do të krijohen vende të reja pune por edhe profesione të reja teknike që nevojiten për mbarëvajtjen e portit turistik dhe ofrimit të shërbimeve për jahtet dhe mega-jahtet.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?