Në qarkun e Korçës ka përfunduar procesi i votimit. Gazetari Armand Braho raporton se procesi ka qenë përgjithësisht i qetë përveç incidentit në Pogradec, ku Luan Tollozhina, simpatizant i PD-së u arrestua pasi goditi komisionerin e Partisë Socialiste Entin Gega në një qendër e votimi.
Sipas policisë, ai hyri në Qendrën e Votimit Nr.3901 dhe e goditi duke i shkaktuar dëmtime fizike, një komisioneri të Partisë Socialiste.
Ngjarja ndodhi pasi kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e Tollozhinës ka pasur një debat me komisionerin socialist nëse personat me aftësi ndryshe duhet të votojnë apo jo me shoqërues.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje" dhe "Goditjet për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 329/2 dhe 237 K penal, ndaj shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec.
Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi.
Ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T) ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues", informoi sot policia.
Por konflikti nuk përfundoi me aq. Pas sherrit, 2 nipat dhe vëllai i 52-vjeçarit Luan Tollozhina, i shkuan në shtëpi komisionerit, ku goditën bashkëshorten dhe djalin e tij, i cili po merr mjekim në Spital.
“Godisnin djalin me arka, unë të mbroja djalin më sulmuan edhe mua. Po mbroja djalin e haja unë, se është me këmbë të thyer”, tha Suela Gega.
Më herët, një grua denoncoi se u dhunua nga simpatizanti i PD-së Tollozhina.
“Rreth orës 13:00, në Pogradec shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., (nipërit e shtetasit të arrestuar L. T.), pas konfliktit të ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali).
Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e 52 vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre shtetasve”, njofton policia.
Sipas dëshmisë së komisionerit socialist, pas këtij debati ka qenë Tollozhina ai i cili iu afrua dhe e qëlloi me pretendimin se po i ngacmonte të bijën.
Procesi zgjedhor në qarkun e Korçës u monitorua nga task-forca e ngritur pranë Prokurorisë së Korçës. Nën drejtimin e prokurorit të SPAK, Vladimir Mara, prokurorët e Prokurorisë së Korçës,agjentë të BKH dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut ndoqën nga afër procesin zgjedhor.
Në qendrën e votimit në Sovjan u vonua nisja e votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjes PEI, por u vijua manualisht. Në fshatin Baban të Devollit u ndërpre gjithashtu procesi për shkak të djegjes së pajisjes PEI, por u zëvendësua me një tjetër.
Ndërkohë 36 të burgosurat e IEVP Pojskë votuan në qendrën e fshatit Piskupat, nën masa të rrepta sigurie shoqëruar nga forcat e policisë të rendit dhe të burgjeve.
Marinela Ziu, kandidate e Koalicioni Euroatlantik deklaroi se kishte marrë informacione se në qendrën e votimit në Voskopojë njerëzit votuan masivisht duke i konsideruar si persona që nuk shikojnë.
"I bëjmë thirrje SPAK të marrë pamjet filmike", ka thënë ajo.
Strukturat e PD në Kolonjë denoncuan administratorin e Mollasit nëpërmjet një video, ku shihet që ky i fundit lëvizte pranë qendrave të votimit.
Qarku i Korçës ka 10 mandate, 3 kandidatë për deputetë janë në listën e mbyllur dhe 10 në listën e hapur
Lajmi kryesor:
Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021
Xh.D/Xh.K/ReportTv.al
