Foto nga pjesmarrja në votime

Politikë

Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021

11 Maj, 06:35| Përditesimi: 11 Maj, 22:03

  • Share

TIRANË- Shqiptarët votuan sot për të zgjedhur 140 deputetët e rinj Procesi i votimit në për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishte i qetë, me incidente shumë të vogla në disa qarqe. Votimi në gjithë vendin nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe zgjati deri në 19:00 të pasdites.

Deri në orën 19:00, KQZ raporton se pjesëmarrja në votim ishte 42.16 %, por kanë raportuar 3010 nga 5225 qendra votimi në total. Krahasuar me vitin 2021 kemi një pjesëmarrje më të ulët, ku 4 vite më parë deri në orën 19:00 ka qenë afro 48.59%. Pas mbylljes së procesit të votimit ka nisur edhe dorëzimi i kutive në Qendrat e Numërimit.

PD mësohet se i ka kërkuar KQZ që rezultati i votimit elektronik në Vorë e Njësinë 10 në Tiranë të mos shpallet sot, por nesër, me argumentin që të mos krijojë ide të caktuara mbi fitoren. Pritet një vendim i KQZ, ndërsa burime thonë se komisioneri Celibashi mund të vendosë që rezultati i votimit elektronik të shpallen pak pasi të jenë numëruar disa kuti të Tiranës.

Të drejtën e votës e kishin 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit dhe 114,642 zgjedhës ishin votues për herë të parë. Sa i takon diasporës, vetëm 78% e atyre që u regjistruan morën pjesë në votim. 191 912 zarfe kanë mbërritur në Shqipëri nga 254 935 totali.

Në total, 7 persona u arrestuan në gjithë vendin për fotografim të votës. Pas rastit të parë të një 56-vjeçare në Elbasan Majlinda Cani, dhe më pas një gruaje tjetër po 56-vjeçe policia njofton se ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, një 57-vjeçar dhe një 28-vjeçar, respektivisht Hasan Doka dhe Redion Lelo. Një tjetër i prangosur është Renato Feri, 34-vjeçar, ish-punonjës policie.

Në Gjirokastër, strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore arrestuan një 30-vjeçar nga Këlcyra pasi dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit. Ndërkohë në Fshatin Spathar të Librazhdit, u arrestua edhe një 43-vjeçar tjetër për fotografim vote dhe më pas iu sekuestrua celulari.

Në fletën e votimit, shqiptarët gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme. Secili subjekt zgjedhor ka në garë 186 emra të shpërndarë sipas qarqeve. 2046 persona janë kandidatë për parlamentin e ardhshëm, për të zënë 140 karrige Kuvendore. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

Kandidatët janë në dy grupe: lista e mbyllur, të cilët janë të privilegjuar dhe do të fitojnë të parët mandat sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur,.

Kryesocialsiti Edi Rama kërkon mandatin e katërt nën udhëheqjen e PS, ndërsa PD me aleatët, të udhëhequr nga Sali Berisha nën koalicionin “Shqipëria Madhështore” kërkojnë të rikthehen në pushtet pas 12 vitesh në opozitë. Në garë janë edhe 9 subjekte të tjera, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, ⁠Koalicioni euroatlantik i Lulzim Bashës, ⁠PSD e Tom Doshit, Shqipëria Bëhet, Lapaj-Shabani, ⁠AKSH, Elena Kocaqi, ADR, Edmond Stojku, Partia Atdheu, ⁠Mundësia – Agron Shehaj, Koalicioni "Djathtas për Zhvillim"- Shehi-Alibeaj.

Ndiqni më poshtë zhvillimet e procesit të votimit në 12 qarqet e Shqipërisë...

Ora 13:40
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas qarqeve deri në orën 19:00! Kryesojnë Tirana, Kukësi e Dibra me Dibra! Vlora me nivelin më të ulët

42.16% ishte pjesëmarrja në zgjedhje sipas të dhënave të raportuara nga 3010 nga gjithsej 5225 qendra votimi. Kanë votuar 858,099 zgjedhës nga 2,035,190 të regjistruar në listat e qendrave të raportuara.

Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ku pjesëmarrja përfundimtare ishte 46.29%, konstatohet një rënie me rreth 4 pikë përqindje të angazhimit të votuesve.

Qarku me pjesëmarrjen më të lartë ishte Tirana me 48.73%, ndjekur nga Kukësi (46.15%) dhe Dibra (50.1%). Në anën tjetër, Vlora vijoi të mbajë nivelin më të ulët të pjesëmarrjes me vetëm 31.49%, pasuar nga Shkodra me 36.78% dhe Gjirokastra me 39.23%.

Të dhënat tregojnë se në shumicën e qarqeve është ruajtur një tendencë më e ulët krahasuar me vitin 2021, ku për shembull Tirana në atë kohë shënoi një pjesëmarrje prej 54.32% ndërsa këtë vit ndaloi në 48.73%. E njëjta tendencë vërehet edhe në qarqet e tjera si Elbasani, Durrësi dhe Korça.

Në tabelë mund të shihni, pjesëmarrjen për secilin qark dhe krahasimi me zgjedhjet e 2021. 

 

Ora 08:02
Mbyllet votimi në Dibër/ Kandidati socialist dhunon punonjësin e Ujësjellësit, po 'mblidhte' vota për Agron Malajn! Përfundon në SPAK administratori i Njësisë Administrative Xibër

Ka përfunduar votimi për parlamentin e ri në Qarkun Dibër, ku nuk munguan tensionet elektorale dhe incidentet si pasojë.

Në qendrën e votimit 1122 të vendosur në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër, pati përleshje fizike mes eksponentëve të Partisë Socialiste.

Sipas burimeve nga vendngjarja, kandidati i Partisë Socialiste, Danjel Gjura, thuhet se ka goditur me grusht Florian Lazri, punonjës i Ujësjellësit, gjatë një debati që mendohet të jetë zhvilluar në lidhje me veprimtari të karakterit elektoral dhe ndikimin mbi votuesit. Lazri thuhet se ishte në mbështetje të kandidatit socialiste Agron Malaj.

Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, policia është thirrur në vendngjarje për të marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe për të nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar në lidhje me rastin.

Burime jozyrtare tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje të brendshme brenda strukturave lokale të kësaj force politike, të cilat dyshohet se lidhen me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe ndikimin mbi elektoratin.

Më tej, administratori i Njësisë Administrative Xibër, ka përfunduar në SPAK nën akuzat për "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", "Vetëgjyqësia" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor".

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet procedurale në SPAK, për veprat penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", "Vetëgjyqësia" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor", në ngarkim të shtetasve :  E.D., 36 vjeç,  (administratori i njësisë Administrative Xibër), dhe shtetasit B.H., 57 vjeç, banues në Klos",- njofton për një tjetër rast policia.

Dibra nxjerr 5 mandate, 2 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 5 në listën e hapur.

Ora 07:56
Mbyllet votimi në Qarkun Berat/ Eno Bozdo shkel hapur ligjin, por denoncon të tjerët! 'Votim familjar' në Lapardha, komisionerja sulmon qytetarin që filmoi shkeljen e rëndë

Ka përfunduar votimi për parlamentin e ri në Qarkun Berat. Përgjithësisht procesi u zhvilua në mënyrë të qetë e të rregullt, por në pak qendra nuk munguan as parregullsitë.

Fenomeni i votimit familjar në fshatra u shfaq edhe në këto zgjedhje. Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti kur në qendrën e votimit nr.3435 në Lapardha, disa persona votojnë njëherësh, duke i diktuar kështu njëri tjetrit alternativën në fletën e votimit. 

Në momentin që një qytetar ka nisur të filmojë këtë krim të rëndë zgjedhor, një nga komisioneret në qendrën e votimit e ka sulmuar verbalisht, duke i kërkuar të ndërpresë filmimin dhe të largohet

Më herët, drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka denoncuar praninë e kryepleqve të disa fshatrave pranë qendrave të votimit, që sipas tij po intimidojnë votuesit. Gjithashtu denoncoi edhe kryetaren e një qendre votimi në bashkinë e Poliçanit për mospajisjen e vëzhguesve të PD-së me badge.

Por demokrati Bozdo po mban një qëndrim me dy standarte, pasi në shkelje të ligjit, vetë ai ka hyrë në disa qendra votimi në Berat, ku nuk ka të drejtë vote.

Ndërsa në Poliçan është shënuar një debat mes komisionerëve dhe gazetarëve e operatorëve duke mos lejuar këta të fundit të filmojnë.

Berati nxjerr 7 deputetë. 2 kandidatë janë në listën e hapur dhe 7 në listën e mbyllur.

Ora 07:54
Mbyllet votimi në qarkun e Elbasanit, në pranga dy persona që fotografuan votën! PS akuza kandidatit demokrat se hyri në qendrat e votimit

Në qarkun e Elbasanit është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit. Në këtë qark nuk munguan as incidentet, ku një grua e cila u kap duke fotografuar votën e saj në qendrën e votimit, 2321 në një shkollë në qytetin e Elbasanit u arrestua. 

Pasi u 'kap mat' qytetarja e identifikuar si Majlinda Cani e justifikoi veten duke thënë e bëri pa dashje.

"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua shtetasja M.C. nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe në fshatin Spathar, Librazhd një qytetar që fotografoi votën u vendos në pranga. Votuesi tentoi të dalë nga dritarja e qendrës së votimit dhe për këtë arsye për më tepër se 30 minuta në këtë qendër u ndërpre votimi. 

"Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore Librazhd, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasin M. F., 43 vjeç, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit". Shtetasi M. F., në qendrën e votimit nr 2742, në fshatin Spathar, gjatë procesit të votimit, dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit. Sekuestrohet aparati celular i përdorur në këtë rast", informoi sot policia.

Në një qendër votimi, procesi i votimit nuk nisi në kohë, pasi mungonte një komisioner i PSD-së së Tom Doshit. Ndërkohë kandidatja e PD Klodiana Çapja denoncoi prezencën e një gruaje me listë emrash pranë dy qendrave të votimit në lagjen Kala, atë nr nr 23/01 dhe 23/00. Ajo iu bëri thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë për largimin e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, të cilët intimidojnë qytetarët. 

Ndërkohë, në Belsh, PS hodhi akuza se kandidati për deputet i listës së hapur të PD Dritan Cani hynte në çdo qendër votimit. Në orën 13:20 dhe 13:55 ai është futur edhe në qendrën e votimit 2583 dhe 2582 në njësinë administrative Kajan, bashkia Belsh. Ligji nuk lejon kandidati t’i afrohet 150 m qendrës së votimit.

Tensione ka pasur edhe në fshatin Kyçyk për shkak të prezencës së kandidatit socialist Musa Coha. Kryetari i komisionit tha për mediat se gjendja u qetësua pas largimit të tij. 

Kandidati i PD Aurel Bylykbashi bëri thirrje që të votohet masivisht.

“Elbasani dhe Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Me përgjegjësinë që keni si qytetar, drejtojuni qendrave të votimit dhe në kutitë e votimit fusni verdiktin tuaj pasi keni parë programet e gjithë partive. Porosis çdo komisioner, ligji duhet t’u drejtojë në qendrën e votimit. ”, tha Bylykbashi. 

Qarku i Elbasanit nxjerr 14 mandate, 5 në listën e mbyllur dhe 14 në listën e hapur.

Ora 07:41
Mbyllet votimi edhe në Gjirokastër, një person u arrestua për fotografim vote! Në dy qendra votimi pati ndërprerje për pak kohë

Mbyllet procesi i votimit në qarkun Gjirokastër. Në 4 qendra votimi, në bashkinë e Dropullit dhe dy në bashkinë e Libohovës identifikimi u bë manual manual dhe jo elektronik si pasojë e kontraktimit të pajisjes. Një person u arrestua në një qendër votimi në Këlcyrë pasi u kap duke fotografuar votën. 

'Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Këlcyrë, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit". Ky shtetas  rreth orës 15:00, në qendrën e votimit nr 4165/01, në Këlcyrë, gjatë procesit të votimit, dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit', njoftoi sot policia.

Në dy qendra votimi në fshatin Frashtan të Dropullit pati ndërprerje të procesit për pak kohë, pasi kryetari i komisionit pretendoi se një police bashkike orientonte qytetarët për votën. 

“Të më kapë në shkelje mua ai legeni. Më thotë një anëtar i KQZ më thotë ke shkelur procedurat që ke mbyllur procesin e votimit. Të hapen kamerat se ajo zonja më ka identifikuar”, tha kryetari i komisionit.

Të drejtën e votës e ushtruan edhe 80 të paraburgosur.

Qarku i Gjirokastrës zgjedh 4 deputetë, 1 kandidat është në listën e mbyllur dhe 4 në listën e hapur.

Ora 07:40
Mbyllet votimi në qarkun e Lezhës/ Konflikt mes dy persona në Fushë-Milot, dyshohet se pati edhe të shtëna në ajër! Policia: Nuk kemi gjetur gëzhoja

Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në qarkun e Lezhës. Gjatë procesit të votimit një incident u shënua në këtë qark, ku 2 persona u konfliktuan në qendrën e votimit 0871, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në Fushë-Milot. Ata u identifikuan si Kastriot Përdoda dhe Asti Lleshi. Konflikti ka nisur brenda perimetrit të sigurisë në formë debati me fjalë dhe ka përfunduar edhe jashtë. Kastriot Perdoda dyshohet se ka shtënë një herë me armë zjarri në ajër jashtë perimetrit të sigurisë. 

"Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të  qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri.Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre.Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë.

Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", informoi sot policia.

Në këtë qark janë 254 qendra votimi dhe 164,976 zgjedhës. Pas votimit kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në një prononcim për mediat u shpreh se sot është dita e qytetarëve.

"Procesi i votimit vijon normalisht. U bëj thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë. Është dita e tyre. Lezha i ka kaluar me sukses çdo proces zgjedhor”, tha Ndreu.

Ministri i Drejtësisë dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë, Ulsi Manja votoi ditën e sotme duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, ndërsa theksoi rëndësinë e votës si një akt qytetar dhe moral.

Ndërkohë edhe kandidati i PD për deputet Gjin Gjoni pas votimit u bëri thirrje qytetarëve të votojnë, ndërsa denoncoi prezencën e drejtuesve të njësive administrative nëpër qendrat e votimit.

Qarku i Lezhës zgjedh 7 deputetë në Kuvend, ku 2 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 7 të tjerë në listën e hapur.  

Ora 07:37
Mbyllet votimi në qarkun e Vlorës, Giro d’Italia bllokoi 55 qendra votimi, lirohen rrugët! Zgjedhësit që janë në radhë mund të votojnë

Edhe në qarkun e Vlorës është mbyllur votimi. 55 qendra votimi mbetën të bllokuara për shkak të garës së çiklizmit Giro d’Italia që po zhvillohej në qytetin bregdetar. Për shkak të garës, disa një pjesë e rrugëve ishin të bllokuara nga ora 10:00 deri në 18:00, duke krijuar vështirësi në lëvizje dhe 55 qendra votimi mbetën të bllokuara dhe më pas u hapën për qarkullim dhe zgjedhësit që do të ishin në radhë patën mundësi që të votojnë edhe pas orës 19:00.

Nisur nga kjo situatë, PS kishte kërkuar shtyrjen e orarit të votimit deri në 22:00 vetëm për qarkun e Vlorës, por PD ishte kundër. Komisioni Rregullator i KQZ u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e PS, por dështoi pasi nuk u arrit kuorumi. Dy anëtarë të opozitës u larguan nga mbledhja, duke e bërë të pamundur shqyrtimin e kërkesës, pasi duhej një shumicë prej 4 votash. Nga anëtarët e PD u propozua që votuesit të presin në radhë tek qendrat e votimit, pasi në këtë mënyrë qendrat nuk mbyllen edhe pse orari i përcaktuar me ligj është deri në orën 19:00. 

Procesi i votimit në Vlorë

Për shkak të mungesë së sekretarit, votimi në paraburgimin e Vlorës nisi pas 3 orësh. Partia Socialdemokrate bëri një denoncim nga Qarku i Sarandës, ku pretendoi se kandidatët e saj për deputetë, Dhimitër Boli dhe Jorgo Kaca konstatuan shkelje ligjore të rënda në fshatin Dhivër. Bashkangjitur denoncimit, PSD publikoi një foto të një qytetari i cili mbante në dorë jashtë qendrës së votimit, një fletë të ngjashme me atë të votimit.

Gjithashtu, PSD pretendoi se kandidatët e saj bënë me dije se në qendrën e votimit në Dhivër u futën 7 persona si dhe Komisioneri i PD ndihmonte për të votuar kandidatin e PS.

“Gjithashtu kandidatët e PSD-së janë kërcënuar duke u detyruar të largohen nga vendi. Personi në foto, që shihet me fletën e votimit, quhet Dhimitër Llajo (aktivist në Partinë Socialiste), i cili duke shkelur ligjin instrukton votuesit për numrin që duhet të votojnë. Edhe në fshatin Halo janë parë shkelje ligjore. Por kandidati Dhimitër Boli ka lajmëruar po ashtu policinë që kishte shkuar në vendngjarje dhe të dyshuarit ishin larguar. I bëjmë thirrje SPAK-ut dhe autoriteteve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme”,- shkruan PSD.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha votoi mëngjesin e sotëm në Qendrën e Votimit nr.4471. Dredha u bëri thirrje qytetarëve të dalin sa më herët në votime, pasi në Vlorë do të zhvillohet sot edhe eventi sportiv Giro d’Italia, dhe disa akse do të bllokohen për këtë arsye.

Ndërkohë Fredi Beleri votoi në shkollën 9-vjecare 'Pano Nikolla', Himarës. Pas votimit Beleri është shprehur se çdo gjë po shkon shumë qetë.

"I ftoj të gjithë qytetarët të shkojnë në votime. Votimi në gjithë botën është festë e demokracisë", u shpreh Beleri.

Në 2 qendra votimi në bashkinë Finiq: Kardhikaq dhe Gravë, nuk u tërhoqën materialet zgjedhore dhe si pasojë procesi i votimit nisi me vonesë. Në KZAZ 92 në Finiq, po shkoi oficeri i policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe të referoje ngjarjen për ndjekje penale për komisionerët që nuk u paraqitën. Komisionerët në fshatrat Grave dhe Kardhikaq u ndryshuan. Materialet zgjedhore u tërhoqën dhe nisi procesi i votimit. 

Policia e Vlorës informon se një kandidat për deputet është vënë në hetim, pas denoncimit të një 19-vjeçari se e ka kanosur në rrjetet sociale. Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për një kandidat të partisë Mundësia, ndërkohë që ndaj tij rëndon vepra penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Kallëzimi më 10 maj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. A., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, pasi më datë 10.05.2025, në orën 11:50, ka bërë kallëzim shtetasi Sh. M., 19 vjeç, banues në Vlorë, kandidat i një subjekti politik në qytetin e Vlorës, se shtetasi P. A. e ka kanosur me fjalë në rrjetet e tij sociale”, njoftoi Policia e Vlorës.

Ndërkohë rreth orë 16:40 në burgun e Vlorës u mbyll procesi i votimit , ku nga 178 persona votuan 163. Nga këta 6 persona janë të huaj, 6 personave iu refuzua vota për shkak të veprës penale, 2 persona janë në spital dhe 1 person nuk pranoi të votojë.

Qarku i Vlorës, nxjerr 12 mandate, 4 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 12 në listën e hapur.

Ora 07:34
Mbyllet pa probleme votimi në qarkun e Durrësit/ Ambasadori i BE Gonzatto vëzhgoi procesin nga afër: Të parat zgjedhje që nga hapja e negociatave

Mbyllet pa probleme votimi në qarkun e Durrësit. 

Vetëm në 2 qendra votimi, nr. 4/440 dhe 4460, procesi i votimit "ngriu" për pak momente pasi pajisjet elektronike nuk funksionuan, ndërsa në një tjetër qendër votimi, nr. 1594, u shënua një përplasje verbale mes gazetarëve me komisionerët, pasi nuk po lejohej filmimi brenda qendrës.

Kryebashkiakja e Durrësit, njëkohësisht drejtuesja politike e PS në këtë qark, Emirjana Sako, votoi që në orët e para të mëngjesit duke dhënë mesazhin e shfrytëzimit të kësaj të drejte përcaktuese për të ardhmen e tyre. 

Vëzhgues të OSBE-së monitoruan nga afër procesin në një nga qendrat e votimit në Universitetin "Aleksandër Moisiu".

Drejtuesi politik i PD në Durrës, Oerd Bylykbashi, u bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht sot dhe garantoi se vota e tyre është e mbrojtur nga çdo tentativë për manipulim të saj. 

Votimet në Durrës u ndoqën nga afër edhe nga ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, 

"Janë zgjedhjet e para pas hapjes së negociatave dhe përveç Tiranës donim të vëzhgonim edhe në qytete të tjera se si po ecën ky proces", tha Gonzato.

Votën në kuti e hodhi edhe kandidati demokrat për deputet Igli Cara.

Ora 07:32
Mbyllet pa probleme votimi në qarkun e Korçës! Procesi u monitorua nga Task Forca e SPAK

Në qarkun e Korçës ka përfunduar procesi i votimit. Gazetari Armand Braho raporton se procesi ka qenë përgjithësisht i qetë përveç incidentit në Pogradec, ku Luan Tollozhina, simpatizant i PD-së u arrestua pasi goditi komisionerin e Partisë Socialiste Entin Gega në një qendër e votimi.

Sipas policisë, ai hyri në Qendrën e Votimit  Nr.3901 dhe e goditi duke i shkaktuar dëmtime fizike, një komisioneri të Partisë Socialiste.

Ngjarja ndodhi pasi kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e Tollozhinës ka pasur një debat me komisionerin socialist nëse personat me aftësi ndryshe duhet të votojnë apo jo me shoqërues.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje" dhe "Goditjet për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 329/2 dhe 237 K penal, ndaj shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec.

Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi.

Ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T)  ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues", informoi sot policia.

Por konflikti nuk përfundoi me aq. Pas sherrit, 2 nipat dhe vëllai i 52-vjeçarit Luan Tollozhina, i shkuan në shtëpi komisionerit, ku goditën bashkëshorten dhe djalin e tij, i cili po merr mjekim në Spital.

“Godisnin djalin me arka, unë të mbroja djalin më sulmuan edhe mua. Po mbroja djalin e haja unë, se është me këmbë të thyer”, tha Suela Gega.

Më herët, një grua denoncoi se u dhunua nga simpatizanti i PD-së Tollozhina.

“Rreth orës 13:00, në Pogradec shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., (nipërit e shtetasit të arrestuar L. T.), pas konfliktit të ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali).

Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e 52 vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre shtetasve”, njofton policia.

Sipas dëshmisë së komisionerit socialist, pas këtij debati ka qenë Tollozhina ai i cili iu afrua dhe e qëlloi me pretendimin se po i ngacmonte të bijën. 

Procesi zgjedhor në qarkun e Korçës u monitorua nga task-forca e ngritur pranë Prokurorisë së Korçës. Nën drejtimin e prokurorit të SPAK, Vladimir Mara, prokurorët e Prokurorisë së Korçës,agjentë të BKH dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut ndoqën nga afër procesin zgjedhor.

Në qendrën e votimit në Sovjan u vonua nisja e votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjes PEI, por u vijua manualisht. Në fshatin Baban të Devollit u ndërpre gjithashtu procesi për shkak të djegjes së pajisjes PEI, por u zëvendësua me një tjetër.

Ndërkohë 36 të burgosurat e IEVP Pojskë votuan në qendrën e fshatit Piskupat, nën masa të rrepta sigurie shoqëruar nga forcat e policisë të rendit dhe të burgjeve.

Marinela Ziu, kandidate e Koalicioni Euroatlantik deklaroi se kishte marrë informacione se në qendrën e votimit në Voskopojë njerëzit votuan masivisht duke i konsideruar si persona që nuk shikojnë.

"I bëjmë thirrje SPAK të marrë pamjet filmike", ka thënë ajo.

Strukturat e PD në Kolonjë denoncuan administratorin e Mollasit nëpërmjet një video, ku shihet që ky i fundit lëvizte pranë qendrave të votimit. 

Qarku i Korçës ka 10 mandate, 3 kandidatë për deputetë janë në listën e mbyllur dhe 10 në listën e hapur

Ora 07:30
Zgjedhjet e 11 majit, mbyllet votimi në qarkun e Kukësit, procesi i qetë dhe pa incidente

Në qarkun e Kukësit është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit. 84.667 qytetarë me të drejtë vote të qarkut Kukës do të zgjedhin tre deputetët që do të përfaqësojnë ketë qark në Kuvendin e Shqipërisë. 13702 qytetarë kanë votuar.

Procesi u zhvillua i qetë dhe nuk u raportua për parregullsi apo incidente. 1 kandidat ndodhet në listën e mbyllur dhe 3 në listën e hapur.

Po ashtu, edhe kreu i KZAZ Uran Cengu është shprehur se procesi i votimit vijoi normalisht.

KZAZ në Tropojë ka të regjistruar 21.087 votues dhe 38 qendra votimi. Në Has janë të regjistruar gjithsej 4940  zgjedhës, me 28 qendra votimi.

Ndërkohë në Kukës kanë votuar qytetarët nga Kosova me shtetësi shqiptare.

Njëri prej tyre është Qazim Hoti, 28 vjeç, nga Gjakova, i cili votoi në qytetin e Krumës, në qendrën e votimit pranë Pallatit të Kulturës.

“Erdha për të votuar, është e drejta ime. Ligjërisht kam të drejtë. Votova për të mos u larguar të rinjtë, që të qëndrojnë në vendin e tyre,” u shpreh ai.

Ora 07:29
Mbyllet votimit në Qarkun Fier/ Kandidatja e PD thyen ligjin, hyn nëpër qendra votimi! PS: Demokratët po pengojnë procesin zgjedhor, Bardhi e mohon

Ka përfunduar votimi për parlamentin e ri në Qarkun Fier, ku nuk kanë munguar problematikat. 

Partia Socialiste në Fier, nëpërmjet kandidatës Kiduina Zaka, denoncoi se ashtu siç e kishte parashikuar, Partia Demokratike zbatoi plan për të penguar zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Sipas PS ka pasur raste të mos paraqitjes së komisionerëve të PD, ndërsa me emra denoncoi kandidatë demokratë që janë brenda qendrave të votimit në shkelje të Kodit Zgjedhor. Sipas PS ata kryejnë presion mbi komisionerët.

“Ashtu si e kishim paralajmëruar Partia Demokratike në qarkun e Fierit po zbaton një aksion të organizuar për të penguar zhvillimin normal të procesit të votimit. Përfaqësues të kësaj force politike kanë braktisur detyrën në disa raste siç është sekretari i qendrës së votimit 3209/1 në Topojë të Fierit, i cili ka marrë edhe vulën me vete. PS ka bërë kërkesë për zëvendësim të menjëhershëm të sekretarit të qendrës së votimit 3209/1, Jani Sharka. PS edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë komisionerëve të PD të mos ju binden urdhrave të drejtuesve të tyre për të shkelur ligjin. Çdo shkelje e ligjit do të denoncohet në organet ligjzbatuese. Ndërkohë që në orët e para të procesit të votimit janë vërejtur kandidatë të PD, që në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor, kanë hyrë në qendrat e votimit. Përmendim këtu kandidatët, Zana Numani, Luljeta Sejko, Luan Baçi, Eduart Sharka, Gentjan Çela, Samena Malenaj dhe Silva Hasaj, të cilët në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor hyjnë në qendrat e votimit duke ushtruar presion mbi komisionerët, ndërkohë që ata kryejnë detyrën sipas parashikimeve ligjore. Të gjitha këto veprime në shkelje të ligjit nga kandidatët e PD, janë referuar pranë KZAZ-ve dhe KQZ-së dhe skuadra juridike e PS të Qarkut Fier po procedon me kallëzime personale për secilin kandidat të PD që hyn në qendrat e votimit në shkelje të kodit, duke bërë presion mbi komisionerët dhe zgjedhësit në përgjithësi. Të gjitha këto aksione janë të vërtetuara me pamje filmike dhe fotografi. PS e Qarkut Fier kërkon nga kandidatët e të gjitha forcave politike, të respektojnë përcaktimet dhe të mos afrohen pranë qendrave të votimit më shumë se 150 metra. PS është e angazhuar me të gjitha strukturat e saj në respekt të plotë të Kodit Zgjedhor për të siguruar një process të qetë dhe të rregullt votimit”,- tha Zaka.

Drejtuesi politik i PD, Gazment Bardhi e mohoi. 

"Përmes zëdhënëses së organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, Belinda Balluku po tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme për Partinë Demokratike. Nuk ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ka mbrojtje të procesit zgjedhor nga votimi i patronazhistëve në emër të votuesve të tjerë. Kjo është e vërteta e rastit të referuar nga Belinda Balluku. Patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar. Aktualisht, procesi vijon normalisht, pasi është njoftuar KZAZ dhe anëtarë të të dyja forcave politike kanë verifikuar situatën.

Kandidatët e Partisë Demokratike do t’i përgjigjen çdo thirrje të komisionerëve tanë kur konstatohet shkelje e ligjit. Që nga mëngjesi në shumicën e QV komisionerët e Partisë Demokratike kanë njoftuar kandidatët se komisionerët/vëzhguesit e PS brenda QV marrin në mënyrë të paligjshme të dhënat e qytetarëve që kanë votuar dhe i hedhin në një format unik të përgatitur nga PS. Kjo është e paligjshme dhe synon të kontrollojë votuesit.

Është e paligjshme që persona të paautorizuar, punonjës të administratës, persona të armatosur, të qëndrojnë brenda, në derën apo afër QV. Policia e Shtetit edhe pse është njoftuar nuk bën asnjë reagim. Për pasojë, kandidatatët tanë kanë ndërhyrë dhe do të ndërhyjnë në çdo rast për të kërkuar rregullshmërinë e procesit, që po minohet nga prezenca e palejuar e qindra patronazhistëve të PS në cdo QV. Ftoj qytetarët e qarkut të Fierit të mos intimidohen nga këto akte antidemokrate të bandës së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Fier! Sot është dita e qytetarëve dhe çdo votë e tyre vlen", shkruan Bardhi. 

Edhe më herët, Komisionerë të Partisë Socialiste bënë një denoncim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në shkelje të Kodit Zgjedhor një prej kandidateve për deputete të Partisë Demokratike ndodhet në qendra votimi.

Ata kanë dorëzuar edhe në KZAZ foto dhe video, ku duket se në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sadush Dervishi” në Ruzhdie kandidatja Samena Malena ka hyrë brenda. Sipas komisionereve te PS kandidatja nuk ishte në këtë qendër për të votuar pasi ajo voton në një qendër votimi, në fshatin Kasnicë.

U raportua gjithashtu edhe për një përplasje në ambientet e qendrës së votimit, te ambulanca në Lushnje, mes Agron Çelës, xhaxhait të kandidatit të PD-së, Gentian Çela, me kandidatin e PS-së, Elton Korreshi.

Ndërkohë që po në Fier Partia Demokratike ka denoncuar mangësi të fletëve të votimit në qendrën e vendosur në shkollën “Konstandin Peto”, në zonën Fermë-Çlirim në Fier.

Kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi votoi në qendrën Nr 2983/01 në KZAZ në nr 60 i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Irena Subashi. Në një prononcim për mediat kryebashkiaku iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht ndërsa theksoi se kjo është një ditë kur politika hesht dhe qytetari flet. 

“Besoj është nga ditët e çmuara ku politika hesht dhe duhet të flasin qytetarët me votën e vet. Mesazhi im në këto ditë është që të gjithë të dalin të votojnë. Vetëm duke votuar besoj se gjithësecili do të bëjë realitet dhe përmbushë aspiratat e veta për një Shqipëri më të mirë, të drejtë dhe drejt BE. Fieri nuk ka pasur realisht probleme. Mund të ketë ndonjë indicent të vogël. “, tha Subashi. 
 

Qarku i Fierit numëron 381 524 votues dhe 32 553  votues të regjistruar në  diasporë. 404 shtetas me të drejtë vote do të votojnë në burgun e Fierit.

Qarku i Fierit nxjerr 16 kandidatë për deputetë, 5 kandidatë për deputetë janë në listën e mbyllur dhe 16 në listën e hapur.

Ora 07:24
Mbyllet votimi në qarkun Tiranë, 4 të arrestuar për fotografim vote! Një grua në Kavajë u kap me listë emrash, më herët takoi Elvis Rroshin

Mbyllet votimi në qarkun Tiranë. Gjatë ditës u shënuan disa incidente me fotografimin e votës ndërsa 4 persona ranë në pranga. 

Një grua, e identifikuar si Xhuli Duda, u shoqërua nga policia në Kavajë. Ajo është ndjekur nga agjentë të policisë, ndërsa është takuar me ish-kryetarin e bashkisë, Elvis Roshi. Pas takimit, gruaja është ndaluar teksa dhe i është gjetur një listë që përmbante emrat e disa prej familjarëve të saj. Dyshohet se ajo është përfshirë në aktivitete të dyshimta që lidhen me blerjen e votës. Duda dhe Roshi u morën në pyetje.

Një grua tjetër u arrestua pasi fotografoi votën në një qendër votimi. Kryetari i Komisionit Zonal të Qendrës së Votimit në qendrën e votimit denoncoi rastin pasi konstatoi personin duke fotografuar fletën e votimit. 

"Një shtetase u arrestua pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal. Kryetari i Komisionit Zonal të Qendrës së Votimit në qendër votimi në Tiranë pasi konstatoi shtetasen A.H. duke fotografuar fletën e votimit denoncoi rastin. Pas marrjes së njoftimit, menjëherë në vendngjarje është dërguar grupi hetimor dhe u identifikua shtetasja si dhe administruan aktet përkatëse. Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, u arrestua shtetasja A.H., e dyshuar si autore e veprës penale të “Shkelja e fshehtësisë së votimit” parashikuar nga neni 327/1 i K.Penal.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës", njoftoi policia. 

Po ashtu, policia njoftoi se kishte arrestuar edhe 2 persona të tjerë pasi sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave ku kishin votuar, kishin fotografuan fletët e tyre të votimit.

"Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këto raste, është bërë arrestimi në flagrancë i këtyre 2 shtetasve, konkretisht H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme në lidhje me rastet", njofton policia.

Një 34-vjeçar ra në pranga gjithashtu nga policia e Tiranës, pasi fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale. Në pranga është vendosur Renato Feri, ish-polic i arrestuar për drogë. 

'Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale', njoftoi sot policia. 

Në mëngjes, në Astir, në kontejnerët e kthyer në qendra votimi u vonua për pak çaste nisja e votimit, por më pas vijoi normalisht.  
Qarku i Tiranës prodhon 37 mandate në këto zgjedhje. 12 kandidatë janë në listën e mbyllur të Tiranës dhe 37 në listën e hapur. 

Fotografimi i votës
Ora 07:23
Mbyllet votimi në qarkun Shkodër, procesi vijoi i qetë dhe pa probleme

Mbyllet procesi i votimit në qarkun e Shkodrës. Procesi vijoi kryesisht i qetë.  

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili votoi në mëngjes për parlamentin e ri të vendit, u bëri thirrje qytetarëve të kryejnë "këtë detyrë qytetare të votimit".

“Fushatë shumë qytetare shumë e qetë, siç është vetë Shkodra. Shpresojnë të shkojë kështu deri në fund ditës sot dhe secili të gjetë kohën për të ardhur dhe për të kryer këtë detyrë qytetare të votimit dhe pastaj ju uroj të gjithëve një të dielë të bukur me familjet e tyre”,- tha Beci.

Në qendrën Bruçaj pati një problematikë për shkak të energjisë elektrike. Ndonëse materialet zgjedhore ishin në çdo qendër, pati vonesa të vogla nga anëtarët e komisionerëve për shkak të distancës gjeografik pasi shumica e tyre jetojnë në Shkodër apo rrethina. 

Ky qark nxjerr 9 mandate në total. Sa i takon kandidatëve, 4 janë në listën e mbyllur dhe 11 në listën e hapur.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?