Mbyllet pa probleme votimi në qarkun e Durrësit.
Vetëm në 2 qendra votimi, nr. 4/440 dhe 4460, procesi i votimit "ngriu" për pak momente pasi pajisjet elektronike nuk funksionuan, ndërsa në një tjetër qendër votimi, nr. 1594, u shënua një përplasje verbale mes gazetarëve me komisionerët, pasi nuk po lejohej filmimi brenda qendrës.
Kryebashkiakja e Durrësit, njëkohësisht drejtuesja politike e PS në këtë qark, Emirjana Sako, votoi që në orët e para të mëngjesit duke dhënë mesazhin e shfrytëzimit të kësaj të drejte përcaktuese për të ardhmen e tyre.
Vëzhgues të OSBE-së monitoruan nga afër procesin në një nga qendrat e votimit në Universitetin "Aleksandër Moisiu".
Drejtuesi politik i PD në Durrës, Oerd Bylykbashi, u bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht sot dhe garantoi se vota e tyre është e mbrojtur nga çdo tentativë për manipulim të saj.
Votimet në Durrës u ndoqën nga afër edhe nga ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato,
"Janë zgjedhjet e para pas hapjes së negociatave dhe përveç Tiranës donim të vëzhgonim edhe në qytete të tjera se si po ecën ky proces", tha Gonzato.
Votën në kuti e hodhi edhe kandidati demokrat për deputet Igli Cara.
Lajmi kryesor:
Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021
SI.E./r.k./ReportTv.al
