Ka përfunduar votimi për parlamentin e ri në Qarkun Dibër, ku nuk munguan tensionet elektorale dhe incidentet si pasojë.
Në qendrën e votimit 1122 të vendosur në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër, pati përleshje fizike mes eksponentëve të Partisë Socialiste.
Sipas burimeve nga vendngjarja, kandidati i Partisë Socialiste, Danjel Gjura, thuhet se ka goditur me grusht Florian Lazri, punonjës i Ujësjellësit, gjatë një debati që mendohet të jetë zhvilluar në lidhje me veprimtari të karakterit elektoral dhe ndikimin mbi votuesit. Lazri thuhet se ishte në mbështetje të kandidatit socialiste Agron Malaj.
Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, policia është thirrur në vendngjarje për të marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe për të nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar në lidhje me rastin.
Burime jozyrtare tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje të brendshme brenda strukturave lokale të kësaj force politike, të cilat dyshohet se lidhen me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe ndikimin mbi elektoratin.
Më tej, administratori i Njësisë Administrative Xibër, ka përfunduar në SPAK nën akuzat për "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", "Vetëgjyqësia" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor".
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet procedurale në SPAK, për veprat penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", "Vetëgjyqësia" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor", në ngarkim të shtetasve : E.D., 36 vjeç, (administratori i njësisë Administrative Xibër), dhe shtetasit B.H., 57 vjeç, banues në Klos",- njofton për një tjetër rast policia.
Dibra nxjerr 5 mandate, 2 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 5 në listën e hapur.
Lajmi kryesor:
Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021
Xh.K/K.M/ReportTv.al