Politikë

Mbyllet votimit në Qarkun Fier/ Kandidatja e PD thyen ligjin, hyn nëpër qendra votimi! PS: Demokratët po pengojnë procesin zgjedhor, Bardhi e mohon

11 Maj, 07:29| Përditesimi: 11 Maj, 19:56

  • Share

Ka përfunduar votimi për parlamentin e ri në Qarkun Fier, ku nuk kanë munguar problematikat. 

Partia Socialiste në Fier, nëpërmjet kandidatës Kiduina Zaka, denoncoi se ashtu siç e kishte parashikuar, Partia Demokratike zbatoi plan për të penguar zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Sipas PS ka pasur raste të mos paraqitjes së komisionerëve të PD, ndërsa me emra denoncoi kandidatë demokratë që janë brenda qendrave të votimit në shkelje të Kodit Zgjedhor. Sipas PS ata kryejnë presion mbi komisionerët.

“Ashtu si e kishim paralajmëruar Partia Demokratike në qarkun e Fierit po zbaton një aksion të organizuar për të penguar zhvillimin normal të procesit të votimit. Përfaqësues të kësaj force politike kanë braktisur detyrën në disa raste siç është sekretari i qendrës së votimit 3209/1 në Topojë të Fierit, i cili ka marrë edhe vulën me vete. PS ka bërë kërkesë për zëvendësim të menjëhershëm të sekretarit të qendrës së votimit 3209/1, Jani Sharka. PS edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë komisionerëve të PD të mos ju binden urdhrave të drejtuesve të tyre për të shkelur ligjin. Çdo shkelje e ligjit do të denoncohet në organet ligjzbatuese. Ndërkohë që në orët e para të procesit të votimit janë vërejtur kandidatë të PD, që në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor, kanë hyrë në qendrat e votimit. Përmendim këtu kandidatët, Zana Numani, Luljeta Sejko, Luan Baçi, Eduart Sharka, Gentjan Çela, Samena Malenaj dhe Silva Hasaj, të cilët në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor hyjnë në qendrat e votimit duke ushtruar presion mbi komisionerët, ndërkohë që ata kryejnë detyrën sipas parashikimeve ligjore. Të gjitha këto veprime në shkelje të ligjit nga kandidatët e PD, janë referuar pranë KZAZ-ve dhe KQZ-së dhe skuadra juridike e PS të Qarkut Fier po procedon me kallëzime personale për secilin kandidat të PD që hyn në qendrat e votimit në shkelje të kodit, duke bërë presion mbi komisionerët dhe zgjedhësit në përgjithësi. Të gjitha këto aksione janë të vërtetuara me pamje filmike dhe fotografi. PS e Qarkut Fier kërkon nga kandidatët e të gjitha forcave politike, të respektojnë përcaktimet dhe të mos afrohen pranë qendrave të votimit më shumë se 150 metra. PS është e angazhuar me të gjitha strukturat e saj në respekt të plotë të Kodit Zgjedhor për të siguruar një process të qetë dhe të rregullt votimit”,- tha Zaka.

Drejtuesi politik i PD, Gazment Bardhi e mohoi. 

"Përmes zëdhënëses së organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, Belinda Balluku po tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme për Partinë Demokratike. Nuk ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ka mbrojtje të procesit zgjedhor nga votimi i patronazhistëve në emër të votuesve të tjerë. Kjo është e vërteta e rastit të referuar nga Belinda Balluku. Patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar. Aktualisht, procesi vijon normalisht, pasi është njoftuar KZAZ dhe anëtarë të të dyja forcave politike kanë verifikuar situatën.

Kandidatët e Partisë Demokratike do t’i përgjigjen çdo thirrje të komisionerëve tanë kur konstatohet shkelje e ligjit. Që nga mëngjesi në shumicën e QV komisionerët e Partisë Demokratike kanë njoftuar kandidatët se komisionerët/vëzhguesit e PS brenda QV marrin në mënyrë të paligjshme të dhënat e qytetarëve që kanë votuar dhe i hedhin në një format unik të përgatitur nga PS. Kjo është e paligjshme dhe synon të kontrollojë votuesit.

Është e paligjshme që persona të paautorizuar, punonjës të administratës, persona të armatosur, të qëndrojnë brenda, në derën apo afër QV. Policia e Shtetit edhe pse është njoftuar nuk bën asnjë reagim. Për pasojë, kandidatatët tanë kanë ndërhyrë dhe do të ndërhyjnë në çdo rast për të kërkuar rregullshmërinë e procesit, që po minohet nga prezenca e palejuar e qindra patronazhistëve të PS në cdo QV. Ftoj qytetarët e qarkut të Fierit të mos intimidohen nga këto akte antidemokrate të bandës së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Fier! Sot është dita e qytetarëve dhe çdo votë e tyre vlen", shkruan Bardhi. 

Edhe më herët, Komisionerë të Partisë Socialiste bënë një denoncim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në shkelje të Kodit Zgjedhor një prej kandidateve për deputete të Partisë Demokratike ndodhet në qendra votimi.

Ata kanë dorëzuar edhe në KZAZ foto dhe video, ku duket se në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sadush Dervishi” në Ruzhdie kandidatja Samena Malena ka hyrë brenda. Sipas komisionereve te PS kandidatja nuk ishte në këtë qendër për të votuar pasi ajo voton në një qendër votimi, në fshatin Kasnicë.

U raportua gjithashtu edhe për një përplasje në ambientet e qendrës së votimit, te ambulanca në Lushnje, mes Agron Çelës, xhaxhait të kandidatit të PD-së, Gentian Çela, me kandidatin e PS-së, Elton Korreshi.

Ndërkohë që po në Fier Partia Demokratike ka denoncuar mangësi të fletëve të votimit në qendrën e vendosur në shkollën “Konstandin Peto”, në zonën Fermë-Çlirim në Fier.

Kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi votoi në qendrën Nr 2983/01 në KZAZ në nr 60 i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Irena Subashi. Në një prononcim për mediat kryebashkiaku iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht ndërsa theksoi se kjo është një ditë kur politika hesht dhe qytetari flet. 

“Besoj është nga ditët e çmuara ku politika hesht dhe duhet të flasin qytetarët me votën e vet. Mesazhi im në këto ditë është që të gjithë të dalin të votojnë. Vetëm duke votuar besoj se gjithësecili do të bëjë realitet dhe përmbushë aspiratat e veta për një Shqipëri më të mirë, të drejtë dhe drejt BE. Fieri nuk ka pasur realisht probleme. Mund të ketë ndonjë indicent të vogël. “, tha Subashi. 
 

Qarku i Fierit numëron 381 524 votues dhe 32 553  votues të regjistruar në  diasporë. 404 shtetas me të drejtë vote do të votojnë në burgun e Fierit.

Qarku i Fierit nxjerr 16 kandidatë për deputetë, 5 kandidatë për deputetë janë në listën e mbyllur dhe 16 në listën e hapur.


Lajmi kryesor:

Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021


SI.E./K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?