Politikë

Mbyllet votimi në qarkun e Elbasanit, në pranga dy persona që fotografuan votën! PS akuza kandidatit demokrat se hyri në qendrat e votimit

11 Maj, 07:54| Përditesimi: 11 Maj, 19:34

  • Share

Në qarkun e Elbasanit është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit. Në këtë qark nuk munguan as incidentet, ku një grua e cila u kap duke fotografuar votën e saj në qendrën e votimit, 2321 në një shkollë në qytetin e Elbasanit u arrestua. 

Pasi u 'kap mat' qytetarja e identifikuar si Majlinda Cani e justifikoi veten duke thënë e bëri pa dashje.

"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua shtetasja M.C. nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe në fshatin Spathar, Librazhd një qytetar që fotografoi votën u vendos në pranga. Votuesi tentoi të dalë nga dritarja e qendrës së votimit dhe për këtë arsye për më tepër se 30 minuta në këtë qendër u ndërpre votimi. 

"Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore Librazhd, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasin M. F., 43 vjeç, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit". Shtetasi M. F., në qendrën e votimit nr 2742, në fshatin Spathar, gjatë procesit të votimit, dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit. Sekuestrohet aparati celular i përdorur në këtë rast", informoi sot policia.

Në një qendër votimi, procesi i votimit nuk nisi në kohë, pasi mungonte një komisioner i PSD-së së Tom Doshit. Ndërkohë kandidatja e PD Klodiana Çapja denoncoi prezencën e një gruaje me listë emrash pranë dy qendrave të votimit në lagjen Kala, atë nr nr 23/01 dhe 23/00. Ajo iu bëri thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë për largimin e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, të cilët intimidojnë qytetarët. 

Ndërkohë, në Belsh, PS hodhi akuza se kandidati për deputet i listës së hapur të PD Dritan Cani hynte në çdo qendër votimit. Në orën 13:20 dhe 13:55 ai është futur edhe në qendrën e votimit 2583 dhe 2582 në njësinë administrative Kajan, bashkia Belsh. Ligji nuk lejon kandidati t’i afrohet 150 m qendrës së votimit.

Tensione ka pasur edhe në fshatin Kyçyk për shkak të prezencës së kandidatit socialist Musa Coha. Kryetari i komisionit tha për mediat se gjendja u qetësua pas largimit të tij. 

Kandidati i PD Aurel Bylykbashi bëri thirrje që të votohet masivisht.

“Elbasani dhe Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Me përgjegjësinë që keni si qytetar, drejtojuni qendrave të votimit dhe në kutitë e votimit fusni verdiktin tuaj pasi keni parë programet e gjithë partive. Porosis çdo komisioner, ligji duhet t’u drejtojë në qendrën e votimit. ”, tha Bylykbashi. 

Qarku i Elbasanit nxjerr 14 mandate, 5 në listën e mbyllur dhe 14 në listën e hapur.


Lajmi kryesor:

Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021


Xh.D/S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?