Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, ka bërë me dije se në ambientet e ish-repartit të Kranesë në Finiq ka nisur puna për ngritjen e Qendrës Rajonale të Emergjencave Civile. Në një bashkëpunim të ngushtë me kryetarët e bashkive Delvinë, Finiq, Konispol dhe Sarandë, kjo nismë synon forcimin e kapaciteteve në përballimin e situatave emergjente, me fokus të veçantë tek zjarret që rrezikojnë zonën gjatë verës.
“Kjo strukturë është një domosdoshmëri për rritjen e gatishmërisë dhe kapaciteteve operacionale në përballimin e zjarreve në të gjithë rajonin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i vizitorëve është më i lartë dhe rreziku nga zjarret shtohet ndjeshëm.” -shkruan ministri Vengu.
Qendra e re pritet të shërbejë si një pikë koordinimi mes institucioneve lokale dhe qendrore për menaxhimin efektiv të emergjencave natyrore, duke garantuar një përgjigje më të shpejtë dhe më të organizuar në rast nevoje.
Nisma vjen në një kohë kur autoritetet po përgatiten për sfidat që sjell sezoni i verës, me qëllimin për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pasuritë natyrore të zonës.
Komente
