Nis sot viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Universiteti i Tiranës mbetet zgjedhja e parë e maturantëve ku priten mbi 11 mijë studentë në të tria ciklet e studimit. Nga rreth 20.200 maturantë në shkallë vendi, 60% kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës.
Me prioritet këtë vit janë parë degët që lidhen me fushën e shëndetit, IT dhe inxhinieritë në përgjithësi të ndjekura nga programet ekonomi-financë. Ndërkohë kuotat në degët e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë dhe arkitekturës tek Universiteti Politeknik i Tiranës, janë plotësuar 100%, gjithashtu dhe degët e IT. Kuotat gjithashtu janë plotësuar edhe tek 2 Akademitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Rendit.
Risi e këtij viti janë edhe programet e reja studimore me diplomë të dyfishtë, që u jep mundësi shumë prej studentëve të kenë një bashkëpunim mbarëkombëtar.
Regjistrimet në publik janë 75%, ndërsa te privati 25%. Procesi i regjistrimit do të vijojë deri me 8 tetor, ku edhe përfundon raundi I dytë. Pas kësaj datë do të ketë edhe një javë tjetër regjistrimesh, që konsiderohet raundi I lirë, ku maturantët që kanë mbetur pa një degë mund të regjistrohen të fakultetet që kanë kuota të lira.
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot godinat e reja studentore të ngritura në Qytetin e Studentit. Këto godina kanë rritur kapacitetin e studentëve të akomoduar me rreth 700 vende më shumë sesa në vitin e kaluar.
Ndërkohë presidenti Bajram Begaj ka uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik duke i cilësuar si udhëheqësit e të ardhmes, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ishte sot në Shkodër nga ku tha se ka ardhur koha për të rishikuar ligjin për arsimin.
Partia e Lirisë përmes Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu ka reaguar në lidhje me nisjen e vitit të ri akademik.
Haxhiu deklaron nga selia e PL-së, se Arsimi në Shqipëri ndodhet në një situatë kritike që rrezikon të ardhmen e një brezi të tërë. Ndërsa po ashtu ajo ngre shqetësimin për sigurinë në shkolla.
Deklarata e plotë:
Duke iu uruar suksese të gjithë studentëve dhe pedagogëve në këtë fillimviti akademik nuk mund të mospërmendim se Arsimi në Shqipëri ndodhet në një situatë kritike që rrezikon të ardhmen e një brezi të tërë. Sistemi arsimor po përballet me klasa dhe auditorë të boshatisur, mungesë mësuesish të kualifikuar dhe mungesë të sigurisë në shkolla. Politikat e qeverisë kanë dështuar të garantojnë cilësi, barazi dhe mundësi reale për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë. Shkollat janë kthyer në pasqyra të një realiteti të shoqërisë shqiptare, ku pabarazitë sociale thellohen dhe shkollat nuk arrijnë dot të garantojnë as sigurinë e fëmijëve tanë.
Ngjarja e rëndë ne gjimnazin “Ibrahim Rugova” është këmbana e alarmit që vazhdon të bjerë për mungesën e sigurisë në shkolla. Kjo përleshje me thika, Brenda dhe jashtë shkollës është vazhdimësia e vrasjes tragjike të Martin Canit .
Ngjarja në shkollën e Kamzës është pasqyra e ngjarjeve që ndodhin përreth saj. Prandaj shkollat nuk duhen trajtuar vetëm si godina, por si institucione edukimi në ndërveprim me komunitetin. Të ngresh një institucion arsimor do të thotë pike së pari të ofrosh siguri. Prindërit sot kanë frikë të dërgojnë fëmijët në shkolla qe t`i arsimojne. Shume familjare detyrohen te zgjedhin arsimin privat vetem per shkak te sigurise.
Ne shkollat tona nuk duhet te kete me shume thika sesa libra. kjo situate alarmante tregon qarte se kane deshtuar programet e parandalimit te dhunes ne shkolla,sherbimi I psikologut, komunikimi me prinderit dhe komunitetin. Nuk mund te ndodhnin keto ngjarje dramatike nese do te merreshin masat e duhura me oficeret e sigurise dhe te miretrainoheshin.
70% e shkollave jane te pambuluara me oficere sigurie.
Kjo eshte nje situate qe nuk mund te tolerohet me. Siguria e nxenesve prevalon mbi cdo investim dhe shpenzim tjeter. Prinderit sot duhet te jene te qete per te ardhmen e femijeve te tyre.
Arsimi nuk mund te vazhdoje te jete arsyeja kryesore pse familjet shqiptare largohen.
Partia e Lirise e ka vendosur Arsimin si prioritet te sajin ndaj edhe do te kerkoje me kembengulje ne Parlament qe Buxheti per arsimin te shkoje 5% te PBB. Investim real ne zhvillimin e kapitalit njerezor, ne infrastructure si dhe rritje te buxhetit per kerkimin shkencor.
Në nisje të vitit, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula ka hedhur akuza ndaj qeverisë, teksa ka deklaruar se universitare shqiptare ndodhen në një krizë të thellë prej vitesh.
Në një deklaratë nga selia e PD, Sula tha se arsimi i lartë po shkatërrohet në heshtje.
“Universiteti është zemra e kombit, që po shuhet nga shpresa për një shoqëri më të lirë. Nuk mund të ketë të ardhme kur rinia largohet, kur pedagogët nënshtrohen”, thekson Sula.
Deklarata e plotë e Sulës:
Çelja e vitit të ri akademik, përveçse sjell urime për studentët që për herë të parë ulen në auditorët universitarë, për ata që vijojnë rrugëtimin e tyre akademik, si dhe për pedagogët dhe stafet që kontribuojnë në sistemin e arsimit të lartë, na rikthen në mënyrë të pashmangshme përballë një realitet të hidhur: kriza e thellë dhe e gjithanshme në të cilën ndodhet prej vitesh bota universitare shqiptare.
Zbrazja e universiteteve: Shkatërrimi i heshtur i arsimit të lartë
Auditorët bosh janë pasqyra më e qartë e kësaj krize. Në më pak se një dekadë, numri i studentëve është ulur me 45%. Kjo nuk është vetëm pasojë e rënies demografike, por një shpërbërje e vetë sistemit arsimor.
Universiteti nuk është më ëndrra e të rinjve shqiptarë. Ata largohen, sepse e ardhmja nuk ndërtohet mbi premtime boshe, me diploma që nuk vlejnë, apo mbi institucione të kapura nga interesat politike.
Mësuesia në kolaps, teknologjia si pretekst për mbyllje degësh
Zhvillimi i vrullshëm teknologjik na orienton drejt degëve të informatikës, por kjo nuk përligj mbylljen e rreth 100 programeve studimore mes të cilave janë dhe ato të mësuesisë. Rilindja nuk ka dëshirë ta shohë këtë realitet që po jep pasoja në sistemin parauniversitar, duke lënë shkollat pa mësues dhe brezat pa edukim të qëndrueshëm., ndërsa pa siguruar standarde të universiteteve për studentët shqiptarë propagandon ardhjen e studentëve të huaj.
Mjekësia: peng i barrierave të qeverisë
Vetëm këtë vit, numri i maturantëve që konkurruan për Mjekësi të Përgjithshme ra me 40%, për shkak të barrierave të vendosura nga vetë qeveria. Në vend që të nxisë dhe motivojë të rinjtë të zgjedhin degët jetike për shoqërinë, shteti ngriti barriera ligjore që dekurajojnë dhe penalizojnë studentët të largohen për të studiuar në universitete jashtë vendit ose në arsimin jopublik
Reforma pa transparencë, akreditim fasadë
Gremisjen e arsimit të lartë ia bëri të qartë edhe Bordi i Akreditimit kryeministrit : Ligji 80/2015 për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor është kthyer në një dështim të heshtur. Janë bërë 10 vite nga miratimi i tij dhe ende një pjesë e madhe e akteve nënligjore janë të pazbatueshme.
Më pak se 40% e programeve universitare janë akredituar, ndërsa mbi 40% e pedagogëve nuk kanë gradën shkencore “Doktor” ; 46% e pedagogëve punojnë me kohë të pjesshme. Në këtë realitet, qeveria flet për një fasadë të re ligjore, por pa bërë asnjë analizë serioze për dështimet e dekadës së fundit.
Ndërkombëtarizimi i rremë dhe financimi më i ulët në Europë
Ndërsa propagandohet ndërkombëtarizimi, financimi për kërkimin shkencor në Shqipëri listohet në fund të Europës, sipas të dhënave të EUROSTAT-it që siç shprehen ekspertët e huaj përbën thirrje për ndryshimin e drejtimit strategjik të vendit. Universitetet nuk mund të bëhen qendra ekselence me propagandë, por me investim të qëndrueshëm dhe vizion afatgjatë.
Humbja e autonomisë institucionale dhe e lirive akademike
Autonomia universitare është në rënie të lirë. Universitetet po shndërrohen në zgjatime të rilindjes.
Në Gjirokastër, administratori i universitetit ishte njëherazi koordinator elektoral i Partisë Socialiste, i cili kërkonte foto të votës si “provë besnikërie”.
Në universitetin e Sporteve në mënyrë antiligjore përjashtohen studentët nga e drejta e tyre themelore e sanksionuar ne ligjin e arsimit të lartë për të zgjedhur drejtuesin e fakultetit, duke i zhvilluar zgjedhjet më date 1 tetor, pa filluar ende viti akademik– pasi rektori është i preferuari i partisë në pushtet dhe, edhe pse u publikuan një sërë shkeljesh prej tij, nuk është marrë asnjë masë.
Në Qytetin Studenti, studentët përzihen me forcë nga godinat, ndërkohë që dhomat shpërndahen me akte korruptive.
Sot, pedagogët po perballen me shantazhe dhe presione, duke i përdorur edhe studentët në mënyrë antiligjore, ndërkohë që kanë përballë edhe trysninë nga drejtuesit e institucionit, të cilët të lidhur me pushtetin kanë bërë shndërrimin e tempujve të e dijeve në vatra patronazhimi.
Universitetet nuk kanë nevojë për dekor, por për dinjitet. Universiteti është zemra e kombit, që po shuhet nga shpresa për një shoqëri më të lirë. Nuk mund të ketë të ardhme kur rinia largohet, kur pedagogët nënshtrohen.
Arsimi i lartë ka nevojë për mbështetje reale e cila nuk është realizuar në asnjë prej treguesve nga kjo qeveri ndaj sot gjendemi në këtë rrënim, prej nga ku nuk është e largët dita që universitetet shqiptare të mbeten vetëm ndërtesa bosh – pa dije, pa të rinj, pa të ardhme.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).
Në postimin e tij në rrjete sociale, ministri Salla thekson, se këtë vit akademik, numri i regjistrimeve në 9 programet e përbashkëta me Universitetin BOKU të Vjenës shënoi një rritje mbi 20%, duke reflektuar interesin e lartë të studentëve dhe besimin në cilësinë e arsimit të ofruar.
“Ky rezultat është fryt i përpjekjeve për afrimin e arsimit me tregun e punës dhe për ta kthyer UBT-në në një qendër ekselence në rajon”, shprehet Salla.
Falë këtij partneriteti, studentët përfitojnë diplomë të dyfishtë dhe eksperiencë ndërkombëtare, duke pasur mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në një prej institucioneve më të njohura akademike shqiptare.
Sipas Ministrit, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të MBZHR dhe UBT, studentët do të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht përmes praktikave dhe programeve të punësimit, në mbështetje të vizionit “Bujqësia 2030”, shkruan Salla.
Ndër të tjera ai u uroi suksese të gjithë studentëve të rinj, duke theksuar rolin e tyre në transformimin e bujqësisë shqiptare drejt një sektori modern, në përputhje me standartet europiane.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro uroi nga Universiteti Luigj Gurakuqi në Shkodër nisjen e vitit të ri akademik 2025-2026. Kumbaro bëri të ditur se janë 19,671 studentë të regjistruar deri më datë 5 tetor në univeristetet shqiptare, ndërkohë që vazhdojnë regjistrimet në raundin e dytë, e më pas në raundin e tretë.
“Me reformën e arsimit të lartë, kemi siguruar cilësinë e institucioneve tona arsimore, ç’ka do të thotë një garanci për diplomën tuaj nesër. Por një dekadë pas asaj shkundje të sistemit, ka ardhur koha për ta rishikuar ligjin e arsimit të lartë, për t’iu përgjigjur sfidave të kësaj kohe.
Standardet e cilësisë do të sigurohen në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe të Kërkimit Shkencor, duke bërë që diplomat tuaja të vlerësohen globalisht, dhe ju të keni më shumë mundësi për mobilitet akademik dhe profesional.
Një simbol i fuqishëm në këtë rrugë është padyshim ngritja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që po e kthen kryeqytetin në një qendër të dijes rajonale, e sigurisht shërben si një katalizator për të gjitha universitetet e vendit!
Nga ana tjetër, kam kënaqësi të ndaj një lajm inkurajues, që ka të bëjë me rritjen e dukshme të mbështetjes për kërkimin shkencor. Vetëm nga 2021 në 2024, fondi për kërkimin shkencor është rritur 5 herë, ndërsa ai për infrastrukturën kërkimore pothuajse është dyfishuar.
Vëmendjen do të vijojmë ta kemi në këtë drejtim, pasi synojmë të dyfishojmë investimet për laboratorë modernë, të mbështesim doktoraturat për të rinjtë dhe do të mbajmë të hapur ftesën për kolegët akademikë të diasporës sonë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka uruar sot të gjithë studentët për nisjen e vitit të ti akademik 2025-2026.
Nga Universiteti ‘ Aleksandër Moisiu’ në Durrës, Begaj i drejtohet gjeneratës së re si e ardhmja e vendit dhe nëpërmjet një arsimi cilësor, ata do të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe udhëheqës të së ardhmes.
“Sot nga Universiteti "Aleksander Moisiu" Durrës uroj të gjithë studentët shqiptarë për nisjen e këtij kapulli të ri të dijes.
Ju jeni gjenerata e ndërtimit të së ardhmes! Shqipëria ka nevojë për ju!
Vetëm përmes një arsimimi cilësor ju mund të bëheni jo thjesht të diplomuar, por qytetarë të përgjegjshëm, profesionistë të aftë dhe udhëheqës të së ardhmes.
Ju uroj një vit të mbarë akademik, plot suksese dhe arritje, në shërbim të vetes suaj, të familjeve tuaja dhe të atdheut tonë.
Shkëlqeni”, shkruan Begaj.
Në nisje të vitit të ri akademik, kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga godinat e reja në Qytet Studenti ku do të akomodohen afro 5 mijë studentë të Universitetit të Tiranës.
Këto godina kanë rritur kapacitetin e studentëve të akomoduar me rreth 700 vende më shumë sesa në vitin e kaluar.
“MIRËMËNGJES dhe nga Qyteti Studenti, ku me nisjen e vitit të ri akademik do të akomodohen afro 5 mijë studentë të Universitetit të Tiranës, rreth 700 më shumë se vitin e kaluar, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij në facebook.
Komente
