Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro uroi nga Universiteti Luigj Gurakuqi në Shkodër nisjen e vitit të ri akademik 2025-2026. Kumbaro bëri të ditur se janë 19,671 studentë të regjistruar deri më datë 5 tetor në univeristetet shqiptare, ndërkohë që vazhdojnë regjistrimet në raundin e dytë, e më pas në raundin e tretë.
“Me reformën e arsimit të lartë, kemi siguruar cilësinë e institucioneve tona arsimore, ç’ka do të thotë një garanci për diplomën tuaj nesër. Por një dekadë pas asaj shkundje të sistemit, ka ardhur koha për ta rishikuar ligjin e arsimit të lartë, për t’iu përgjigjur sfidave të kësaj kohe.
Standardet e cilësisë do të sigurohen në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe të Kërkimit Shkencor, duke bërë që diplomat tuaja të vlerësohen globalisht, dhe ju të keni më shumë mundësi për mobilitet akademik dhe profesional.
Një simbol i fuqishëm në këtë rrugë është padyshim ngritja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që po e kthen kryeqytetin në një qendër të dijes rajonale, e sigurisht shërben si një katalizator për të gjitha universitetet e vendit!
Nga ana tjetër, kam kënaqësi të ndaj një lajm inkurajues, që ka të bëjë me rritjen e dukshme të mbështetjes për kërkimin shkencor. Vetëm nga 2021 në 2024, fondi për kërkimin shkencor është rritur 5 herë, ndërsa ai për infrastrukturën kërkimore pothuajse është dyfishuar.
Vëmendjen do të vijojmë ta kemi në këtë drejtim, pasi synojmë të dyfishojmë investimet për laboratorë modernë, të mbështesim doktoraturat për të rinjtë dhe do të mbajmë të hapur ftesën për kolegët akademikë të diasporës sonë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Lajmi kryesor:
Nis viti i ri akademik/ 20 mijë maturantë të regjistruar, 60% zgjodhën Universitetin e Tiranës! Risi programet studimore me diplomë të dyfishtë
K.B/ReportTv.al