Mbyllet votimi në qarkun Tiranë. Gjatë ditës u shënuan disa incidente me fotografimin e votës ndërsa 4 persona ranë në pranga.
Një grua, e identifikuar si Xhuli Duda, u shoqërua nga policia në Kavajë. Ajo është ndjekur nga agjentë të policisë, ndërsa është takuar me ish-kryetarin e bashkisë, Elvis Roshi. Pas takimit, gruaja është ndaluar teksa dhe i është gjetur një listë që përmbante emrat e disa prej familjarëve të saj. Dyshohet se ajo është përfshirë në aktivitete të dyshimta që lidhen me blerjen e votës. Duda dhe Roshi u morën në pyetje.
Një grua tjetër u arrestua pasi fotografoi votën në një qendër votimi. Kryetari i Komisionit Zonal të Qendrës së Votimit në qendrën e votimit denoncoi rastin pasi konstatoi personin duke fotografuar fletën e votimit.
"Një shtetase u arrestua pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal. Kryetari i Komisionit Zonal të Qendrës së Votimit në qendër votimi në Tiranë pasi konstatoi shtetasen A.H. duke fotografuar fletën e votimit denoncoi rastin. Pas marrjes së njoftimit, menjëherë në vendngjarje është dërguar grupi hetimor dhe u identifikua shtetasja si dhe administruan aktet përkatëse. Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, u arrestua shtetasja A.H., e dyshuar si autore e veprës penale të “Shkelja e fshehtësisë së votimit” parashikuar nga neni 327/1 i K.Penal.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës", njoftoi policia.
Po ashtu, policia njoftoi se kishte arrestuar edhe 2 persona të tjerë pasi sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave ku kishin votuar, kishin fotografuan fletët e tyre të votimit.
"Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këto raste, është bërë arrestimi në flagrancë i këtyre 2 shtetasve, konkretisht H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme në lidhje me rastet", njofton policia.
Një 34-vjeçar ra në pranga gjithashtu nga policia e Tiranës, pasi fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale. Në pranga është vendosur Renato Feri, ish-polic i arrestuar për drogë.
'Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”. Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale', njoftoi sot policia.
Në mëngjes, në Astir, në kontejnerët e kthyer në qendra votimi u vonua për pak çaste nisja e votimit, por më pas vijoi normalisht.
Qarku i Tiranës prodhon 37 mandate në këto zgjedhje. 12 kandidatë janë në listën e mbyllur të Tiranës dhe 37 në listën e hapur.
Fotografimi i votës
Lajmi kryesor:
Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021
Xh.D/ReportTv.al
