Presidenti i Republikës Bajram Begaj

Politikë
Sociale

Nisja e vitit të ri arsimor, presidenti Begaj uron nxënësit nga vendlindja: Shkolla është vendi ku formësojmë vlerat

8 Shtator, 13:09| Përditesimi: 8 Shtator, 18:03

  • Share

1757330082_a8120b238f04420aa298a05ef7e65ae7.jpg

Në nisje të vitit të ri shkollor, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka uruar nxënësit nga shkolla në vendëlindjen e tij në fshatin Gosë.

Begaj u takua me nxënës, mësues e prindër gjatë vizitës në këtë shkollë, nga ku uroi suksese në mbarëvajtjen e mësimit dhe edukimit, duke theksuar rëndësinë që ka shkolla në formësimin e individit dhe shoqërisë dhe në kultivimin e vlerave njerëzore.  

“Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë.

Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”.

Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli për nxënësit e klasës së parë, më të cilët ndau eksperiencën e tij në shkollën e fshatit Gosë, duke u shprehur se këtu fillon baza e dijes, mësimet e para, ndërtohet një përvojë e pasur dhe miqësi të reja.

“Fillimi i vitit shkollor është gjithmonë emocion i madh, pikënisje që shënon një kapitulli të ri në jetën tuaj dhe të mijëra nxënësve”.

Ndërsa theksoi integrimin e shkollave me risitë teknologjike, Presidenti i Republikës theksoi në mesazhin e tij rëndësinë që ka shkolla në ruajtjen e vlerave njerëzore: 

“Shkolla nuk është vetëm vendi ku mësojmë lëndë dhe libra, është vendi ku formësojmë vlera. Çdo shtator është sfidë, përgjegjësi dhe mundësi para të gjithëve: nxënësve, mësuesve, prindërve dhe shoqërisë. Teknologjia dhe rrjetet sociale janë mjete të fuqishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë respektin, miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin”.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e respektimit të ndërsjellë në shkollë, në mënyrë që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe, gjithashtu, theksoi se ky edukim duhet të nisë nga familja. E krahas sfidave, nxënësve u uroi t’i jetojnë vitet e shkollës me punë e  pasion, duke qenë kërkues për dijen.

"Këto vite janë thesari juaj më i madh, janë suksesi i të ardhmes suaj. Kushtojuni rëndësi, mësoni me përkushtim, por edhe me gëzim.  Jini kurioz, pyesni, kërkoni, studioni, zbuloni dhe ëndërroni çdo ditë. Bëni shokë dhe shoqe. Gëzojeni jetën tuaj me miqësitë më të bukura e më të vërteta të jetës.

Mësuesve u shprehu mirënjohje për misionin fisnik: “Mësuesia është profesion i pasionit dhe sakrificës, është profesion i jetës, profesion që ndërton të ardhmen e kombit. Kontributi juaj mbetet i pashlyeshëm”.

Një rëndësi të veçantë në këtë mesazh Presidenti Begaj i kushtoi gjuhës shqipe. 

“Si President i kam kushtuar rëndësi të posaçme gjuhës dhe alfabetit shqip. U gëzova vërtet shumë kur mësova nga drejtoresha juaj që jeni ndër kampionët e shkollave në këtë lëndë. Në kohën kur mbizotëron teknologjia dhe imazhi është i plotfuqishëm, gjuha shqipe mbetet çelësi i ndërlidhjes dhe i suksesit afatgjatë”.


Lajmi kryesor:

Viti i ri shkollor/ ‘Përplasje’ e vjetër qeveri-opozitë! Manastirliu: Arsim modern! PD: Zbrazen klasat


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Viti i ri shkollor, sa i sigurt iu duket ambienti për fëmijën tuaj?