Sociale

NJË NGA NE/ Vlonjati i verbër që mban familjen me punën si DJ: Nëse ngulmojmë, jemi më të aftë se një person normal!

8 Janar, 21:46| Përditesimi: 9 Janar, 08:13

  • Share

Të jetosh me “sytë e mendjes” është e mundur nëse tregon durim dhe këmbëngulje. 

Landi Sadiraj, nga fshati Kaninë i Vlorës, humbi shikimin në moshën 5-vjeçare për shkak të temperaturës së lartë. Por kjo nuk e ka penguar të bëjë jetën që do.

“Kur verbohesh në moshë të vogël ke favor që gjërat i fikson shumë shpejt. Duke qenë se unë lëvizja shumë në vendin tim të lindjes, i kam fiksuar vendet. Jam ambientuar shpejt dhe e kam pranuar problemin kështu si është. Kaninën nuk e ndërroj me asgjë, këtu jetesa është super.”

Këndvështrimi pozitiv për situatat dhe këmbëngulja e kanë ndihmuar në rrugëtimin e tij. Prej 19 vitesh punon si DJ, ka krijuar familje dhe është i hapur për bashkëpunime me këngëtarë të të gjitha trevave.

“Muzika për mua është jetë. Që fëmijë kam dëgjuar tërë kohës muzikë. Më pas kam bërë një kurs për piano. Duke qenë se kisha shumë shokë DJ, ulesha në mikserat e tyre dhe e praktikoja. Më pas bleva aparaturat e mia dhe hapa studion. Të jesh DJ i njohur është krenari sepse kur shkon në event të gjithë presin çfarë do të luash. Ndërsa në studio bëj produksione këngëtarësh, regjistrime të grupeve labe, marr porosi për evente, dasma dhe videoklipe”.

Nga të ardhurat si DJ dhe produksionet në studio ka arritur të mbajë familjen.

“Jam baba i tre fëmijëve. Është e vështirë, por duhet të sakrifikosh. Duhet të kesh durim, mbi të gjitha nerva për të menaxhuar situatën sepse duhet t’i përkushtohem muzikës dhe familjes. Nëse je këmbëngulës dhe do t’i arrish të dyja, ia del. Mundohem ta menaxhoj kohën. Vështirësinë më të madhe has tek montazhi. Duhet të jem tërë kohës i përqendruar sepse është program audio. Kam pasur probleme, por duke qenë se kam pranë familjarët, ata më tregojnë ku kam gabuar pas editimit. Një mesazh për personat me aftësi ndryshe: nëse ngulmojmë dhe duam të punojmë, jemi më të aftë se një person normal.”, shprehet Landi.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?