Pasi është kthyer me urgjencë nga Italia në Lepenicë të Vlorës, tek shtëpia e prindërve, e motra bën apel për ndihmë. Ajo hedh poshtë cdo lajm mbi dyshimet se i vëllai është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Për emisionin ’Pa Gjurmë’ ajo zbulon të tjera tragjedi që kanë ndodhur në familjen Ngucaj, për të cilën pas ndarjes nga jeta të dy djemve të tjerë, heshtja për këtë ngjarje është një tjetër vdekje e ngadaltë. E motra është e bindur se Ermali është rrëmbyer me armë në kokë në fshatin Lepenicë, vend nga i cili u zhduk më 12 tetor të këtij viti.
‘Nuk kemi asnjë shenjë nuk dimë ku ta kërkojmë. Kam folur ditën e hënë në orën 07:02, në mesenxher si cdo ditë. Nuk kisha kuptuar se kishte dicka. Më ngrihen nervat kur dëgjoj gjëra në media në lidhje me humbjen e tij. Kemi folur si motër e ëvlla, për prindërit. Ishte shumë i qetë dhe kishte shokë shumë. Ne nuk e njohim shoqërinë e vëllait, pasi ai nuk e ngatërronte me familjen. Vëllai im nuk merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. Unë personalisht nuk jam në dijeni për konflikte, apo për konfliktin e mëparshëm, pasi ai është mbyllur, nuk kemi dyshime aty. Për mua ka qenë dicka e organizuar dhe jam e bindur se e kanë rrëmbyer me armë në kokë në fshatin Lepenicë, por nuk e di arsyen pse. Nuk kemi asnjë te njohur në fshatin ku u gjet makina".
E motra kërkon nga kushdo që ka informacion për fatin e 40-vjeçarit, të njoftojë, pasi cdo ditë që kalon është një vuajtje më shumë për prindërit. Ajo lutet që asgjë e keqe të mos ketë ndodhur me të vëllanë.
‘Më ka treguar kunata për bisedën e fundit, por unë dua te bëj një apel për vellain tim. Kushdo që e ka parë të lajmërojë dhe të na tregojë dicka, kam dy prindër që vuajnë në shtëpi dhe janë të helmuar. Nuk dua t’i ndodhi asgjë e keqe vëllait tim. Dua të di ku është vëllai, ai nuk ngatërron rrugën kollaj. Dy vëllezër më kanë vdekur, këtë kishim dritën e syrit. Kjo heshtje të bën të vdesësh ngadalë. Nëna është sëmurë, qëndron vetëm shtrirë. Asnjë nuk flet, nuk na tregojnë cfarë ka ndodhur’, -përfundon apelin e saj motra e të humburit, Jetmira Ngucaj
40-vjeçari ishte i papunë dhe kishte dalë nga burgu një vit më parë pasi kishte kryer dënimin me 7 muaj burg për përplasje fizike. Bëhet fjalë për konfliktin e ndodhur në guroren e Selenicës në vitin 2018, kohë kur Ngucaj punonte roje në biznesin e Ylli Sallës. Asokohe ishte konfliktuar për guroren me Paolo Durmishajn, nga fshati Kotë i Vlorës. Por që për familjarët ky sherr për guroren është i mbyllur. Sakaq, sipas burimeve nga policia vijojnë hetimet edhe në pistën tjetër, atë të konfliktit për një sasi kanabisi që ka humbur në zonë.