Kronikë

Një vit më parë iu mbyt nëna në det të hapur, Avdul Rama akuza policisë e prokurorisë: Askush s'na njoftoi për stuhi, po zvarriten hetimet

7 Nëntor 2021, 18:12| Përditesimi: 7 Nëntor 2021, 18:21

  • Share

Një vit më parë Avdul Rama nga Himara humbi nënën e tij në det të hapur ku kishin dalë për të peshkuar me lejen e policisë e cila nuk i njoftoi se parashikohej stuhi. Tani, Avduli hedh akuza jo vetëm ndaj policisë kufitare por edhe ndaj prokurorisë së Vlorës për zvarritje të hetimeve dhe për manipulim të ngjarjes.

Pas më shumë se një viti pasi humbi nënën në det të hapur dhe iu rrezikua jeta e tij, babait dhe punëtorit teksa po peshkonin, Avdul Rama hedh akuza se askush nuk i paralajmëroi për stuhinë, madje ai ishte pajisur edhe me lejen e posaçme nga policia kufitare e Himarës.

"Ngjarja ka ndodhur në 5 gusht të 2020. Kam pasur një anije peshkimi me emrin 'Arbëri'. Fatkeqësisht nga koha e keqe në det anija u mbyt ku gjeti dhe mbytjen nëna ime Mirela Rama. Atë mëngjes ne kemi qenë të fundit që u nisëm nga porti i Himarës. Koha ka qenë e mirë fillimisht. Në mes të lundrimit moti u përkeqësua shumë. Na goditi stuhia ku në fund anija u përmbys dhe u godit. Ngjarja ka ndodhur përpara gjirit të Gjipesë, para Jalës. Ne kemi qenë 4 persona në det. Unë, mamaja ime, babai dhe punëtori jonë. Ne nuk kemi kërkuar ndihmë sepse ngjarja ka qenë sekondare dhe në pak sekonda anija u përmbys dhe kemi qenë të gjithë në ujë. Shpëtimi ka qenë në mjete private. Unë kam dalë vetë, babin një skaf ndërsa nënën e ka gjetur ushtria. Në radhë të parë doli që kapiteria e Vlorës ka njoftuar që më 5 gusht të mos dalë në det asnjë mjet u vogël apo i mesëm lundrimi të dilte për peshkim apo qëllime turizmi. Policia kufitare nuk na dha informacionin që ne nuk duhet të dilnim në det.  Na pajisi me dokument që ne e quajmë kopirol. Këtu është edhe vërtetimin nga policia kufitare që konfirmon që mjeti Arbëri me 4 persona në bord ka dalë për lundrim dhe kjo gjë është e regjistruar", tha ai.

Avdul Rama thotë se ka bërë kallëzim ndaj policisë kufitare e cila iu erdhi në ndihmë vetëm pas 5 orësh.

"Në momentin që ne na godet stuhia, për pak çaste stuhia kaloi në Himarë. Vëllai na kontaktoi në telefon dhe telefonat ishin fikur. Në atë moment vëllai telefonon shefin e komisariatit të Himarës dhe  jep alarmin. I thotë nxirr mjetin shpëtues në det se anija është mbytur. Në atë moment mjeti lundrues I policisë kufitare nuk ka dal. Kanë dalë mjetet private. Shefi i policisë kufitare Dhërmi, ish shefi tani sepse ka ikur, ka nxjerrë mjete të tjera private  në operacionin e kërkim shpëtimit, ku vetë gomonja e policisë ka ardhur 5 orë me vonesë. E faktojnë dhe mediat. Në momentin që vjen gomonja e policisë më merr mua nga gjiri i Gjipesë dhe me çon drejt Jalës. Policia Kufitare e kishte mundësinë që ne mos të dilnim në det dhe nuk e bëri dhe në momentin që mori njoftimin që një anije ishte mbytuyr në det nuk reagoi në kohë për operacionin e shpëtimit", vijon Rama.  

Ai akuzon edhe Prokurorinë e Vlorës që sipas tij jo vetëm po mban pezull hetimet, por edhe po manipulon ngjarjen.

"Sot prokurorja Flora Çela mban dosjen mbi tavolinë. Ne kemi kallëzuar policinë kufitare. Kemi  bërë kallëzim dhe tek kontrolli i brendshëm i Vlorës. Nëna ishte hera e disatë që dilte në det. Kas pasur edhe një mjet të vogël lundrues në pronësi. Unë kam qenë jashtë, ndërsa nëna me babanë ka qenë brenda në kabinë. Mjeti ka qenë në gjendje të re dhe me mjete shpëtimi. I blerë në Shëngjin dhe me të gjitha dokumentet. Dosja ka qenë në prokurori. Është thirrur dëshmitari, punoi për të dëshmuar pas 8 muajsh. Ka pasur dhe një tentativë për mbylljen e dosjes. Ne pasi kemi bërë kallëzim me avokatin mbrojtës atëherë na kanë thirrur në pytje. Sot kërkojmë që sa më shpejt prokuroria të mbyllë hetimet. Të gjitha probat janë në tavolinë dhe të ngrihen akuzat siç i takon. Kemi pasur informacion për manipulim provash dhe për mbyllje çështje. Kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë dhe të gjithë ato ndërmjetës që duan të manipulojnë provat dhe fshehin ngjarjen kjo nuk ka për ndodhur", përfundon Avdul Rama.

5 gusht të 2020, familja Rama nga Himara po peshkonte në gjirin e Gjipesë me anijen 9 metra të gjatë ku i zuri stuhia ndërkohë që policia i kishte dhënë leje të dilnin në det të hapur.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?