Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-3 me Italinë mbrëmjen e së mërkurës në "Air Albania". Dueli miqësor u ndoq nga 22 mijë tifozë, me kuqezinjtë e Rejas që zhvilluan paraqitje të mirë paçka disfatës kundër kampionëve të Europës në fuqi.
Trajneri italian i tanëve e nisi ndeshjen me skemën 3-5-2, teksa më i miri i ndeshjes për Shqipërinë me notën 7.3 u vlerësua Ardian Ismajli, autori i golit të vetëm. Notën më të dobët pas 90 minutave e mori Hysaj me 6.1, teksa Broja, Bare dhe Berisha me notën 6.2, kjo sipas Sofascore.
Paraqitje të mirë bëri Xhuliano Skuka, sulmuesi i Partizanit që debutonte në "Air Albania" me Shqipërinë. Edhe pse u fut tre minuta nga fundit i ndeshjes, Skuka (7.0) rrezikoi portën e Meret me një roveshatë që bëri tifozët të brohorisnin. Ndërkohë lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall Vincenzo Grifo i Italisë, me notën 9.3, teksa ishte autor i dopietës për të kaltrit e Mancinit.