FT/ Shqipëri 1-3 Itali (Ismajli 16' / Di Lorenzo 20', Grifo 25', 64')
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-3 në miqësoren e luksit kundër Italisë në "Air Albania". Kuqezinjtë e Edy Rejas kaluan të parët në avantazh me Ismajlin në minutën e 16. Pas një krosimi nga Bajrami në zhvillimet e një goditje dënimi, mbrojtësi kuqezi shënoi me kokë një gol vërtet të bukur. Miqtë përmbysën shpejt ndeshjen me Di Lorenzo në minutën e 20 dhe dopietën e Grifo në minutat 25 dhe 64. Në këtë duel u godit edhe katër herë shtylla, dy herë nga kombëtarja kuqezi dhe dy herë nga miqtë.
22 mijë zemra kuqezi në stadium nuk i mjaftuan lojtarëve në fushë për të marrë një rezultat të mirë, me tanët që kanë qenë të pafat duke zhvilluar një ndeshje të denjë ndaj katër herë kampioneve të Botës dhe kampionëve të Europës në fuqi. Në gjashtë përballjet mes dy kombëtareve, goli i Ismajlit ishte i pari që Shqipëria i shënon Italisë. Në këtë sfidë Broja doli i dëmtuar pas 50 minutash lojë, me stafin që nuk deshi të rrezikonte. Për tanët minuta në fundin e ndeshjes mori edhe Skuka, duke i zënë vendin Uzunit. Trajneri Reja në pjesën e dytë hodhi në fushë edhe Roshin, Ardjan Bajramin, Asllanin, Ramadanin dhe Laçin.
Te Italia mori minuta edhe Chiesa, që vjen nga një dëmtim i gjatë prej 9 muajsh te Juventus. Pas tre ditësh Shqipëria luan sërish një tjetër miqësore në "Air Albania", këtë herë kundër Armenisë.Te Italia trajneri Mancini aktivizoi në fund edhe Simone Pafundin, mesfushorin 16 vjeçar të Udineses që vendos rekord te të kaltrit me futjen në fushë, duke u bërë lojtari më i ri që luan.
Formacionet startuese:
Shqipëria (3-5-2): Berisha, Ismajli, Lenjani, Mihaj, Kumbulla, Hysaj, Abrashi, Bare, Bajrami, Uzuni, Broja Trajner: Edy Reja
Italia (3-4-3): Meret, Bastoni, Bonucci, Scalvini, Di Lorenzo, Tonali, Verratti, Dimarco, Grifo, Zaniolo, Raspadori Trajner: Roberto Mancini
Disfata me Italinë mund të lërë shije të hidhur, por tifozët nga kjo përballje mbetën të kënaqur.
“Ndeshja ishte shumë e mirë ndaj një skuadre si Italia. Besoj se sot e merituam të paktën barazimin. Erdha nga Struga për të parë kombëtaren sot”, tha një prej tifozëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë një tjetër tifoz i Shqipërisë ka vendosur në pah lojën e mirë të kuqezinjve.
“Humbëm 1-3 por loja ishte shumë e bukur sepse luajtëm kundër kampionëve të Europës. Mund të shkojmë në Europian, por me Edy Rejan trajner do jetë e vështirë”, tha për Report Tv një prej tifozëve.
Pas ndeshjes kanë folur edhe disa nga futbollistët e Kombëtares. Kuqezinjtë ishin të zhgënjyer për rezultatin, duke qenë se kombëtarja kishte shumë raste.
Ardian Ismajli, autori i golit tha se është i lumtur për golin por jo për rezultatin.
“Ky ishte goli im i dytë me kombëtaren, pasi kam shënuar edhe kundër Kazakistanit po në Air Albania. Jam i lumtur për këtë, por duke qenë se kemi humbur me rezultatin 1-3 gëzimi nuk është edhe aq i madh”, tha Ismajli.
Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha foli për paraqitjen e mirë dhe nevojën për të përmirësuar gjërat në mbrojtje.
“Unë jam i kënaqur kur marrim rezultat gjë e cila nuk ndodhi sot. Paraqitja ka shumë e mirë, me raste, por na duhet të përmirësojmë disa gjëra sidomos në mbrojtje”, tha Berisha.
Për Kristjan Asllanin kjo përballje ishte një ëndërr.
“Për mua ishte një ëndërr pasi që 2 vjeç jetoj në Itali. Doja shumë të luaja kundër këtyre, madje që nga fillimi. Gjithsesi hyra si zëvendësues dhe jam i lumtur. Ndeshja ishte shumë e mirë për ne, por Italia ka kualitet dhe nëqoftëse u jep mundësi të shënojnë gol”, tha Asllani.
Myrto Uzuni foli për emocionet e këtij dueli.
“Është një emocion i veçantë të luash kundër kampionëve dhe akoma më shumë me kaq tifoz sa ishin sot. Besoj bëmë një lojë të mirë, por nëse do luanim më shumë për skuadrën rezultati mund të ishte tjetër”, tha Uzuni.
"Pitbulli" i Kombëtares, Amir Abrashi tregoi për përmirësimet që duhet të bëhen në lojë.
“Kemi patur shumë raste, por edhe Italia. Për tifozët ishte një ndeshje e bukur, spektakolare. Mirëpo ne nuk mundëm dot të marrim as barazim dhe duhet t'i analizojmë gabimet që bëjmë shumë lehtë", tha Abrashi.
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-3 në miqësoren e luksit kundër Italisë në "Air Albania". Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i Shqipërisë, Edy Reja.
"Shumë mundësi për gol por sërish humbje - Ka vetëm një aspekt, në pjesën e parë kishim një problem me Bastonin. Në të dytën krujuam shumë, kishim mundësi dhe meritonim edhe një gol për 2-2 dhe do hapnim ndeshjen. Një 2-3 edhe mund të pranohej, por 1-3 nuk jam i kënaqur me atë që dhamë në fushë gjatë 45 minutave të dyta.
Lojtarët e rinj për t'u aktivizuar - Edhe ne kemi punuar me të rinjtë, kemi Asllanin, luajti sot edhe Ardjan Bajrami. Unë po shoh lojtarë edhe te U-17 dhe moshat e tjera. Kemi Bajramin që luan në Portugali edhe është lojtar i mirë. Te Italia futën Pafundin që është 16 vjeç dhe thonë se është Maradona i ri te Italia. Unë po shoh lojtarë të rinj për Shqipërinë te moshat.
Çfarë duhet të bëjë Broja, të rrijë te Chelsea apo të luajë në Serie A? Broja ka ekipin dhe familjen e tij që e ndihmojnë dhe mbështesin. Në Angli do jetë më ndryshe duke qenë në Premier League, ka një karakter që i përshtatet ktij kampionati. Sezonin e shkuar qëndroi në huazim dhe luajti 25 ndeshje, këtë sezon luan me një ekip të madh.
E ardhmja? Kemi folur shpesh për këtë çështje. Në çdo kohë nuk kam firmosur kontratë para fundit të sezonit. Flasim me Dukën dhe do jetë ai që vendos, nëse jam i vlefshëm do e tregojë ai.
Sa shqip kë mësuar Reja? Është e vështirë, unë kam provuar shumë. Në Shqipëri pothuajse të gjithë flasin italisht, duhet të sforcohem pak më shumë", tha Reja.
Futbollisti i kombëtares, Myrto Uzuni në përfundim të ndeshjes është treguar kritik, ku tha se ndonëse është një brez i mirë në kombëtare, duhet të jenë më altruist e për të punuar më shumë për ekipin.
“Ishin të përqendruar në maksimum, shënuam një gol të shpejt, por mendoj se duhet të kishim bërë më mirë, se kishim mundësi, duhet të bluajmë për ekipin, duhet të pasonim më shumë që të kënaqnim edhe tifozët që ishin të shumtë. Jemi një brez shumë i mirë, por duhet të jemi më altruist dhe të punojnë më shumë për ekipin”, tha Myto Uzuni.
Nga ana tjetër, futbollisti i Shqipërisë, Ardjan Ismajli autori i golit, tha se kjo ishte një ndeshje e mirë, por duhet punuar për të përmirësuar gabimet.
“Të them të drejtën kemi bërë një ndeshje të madhe, kemi luftuar deri në fund dhe kemi dhënë maksimumin, çka është e rëndësishme në futboll. E kam pritur golin të them të drejtën, pasi jam në formë të mirë dhe më vjen mirë që erdhi pikërisht mbrëmjen e sotme.
Pas golit na kapi pak euforia. Goli i parë i Italisë ishte pak me fat, ndërsa i dyti me kundërsulm. Me punë mund t’i shmangim këto gabime dhe të përmirësohemi edhe më shumë”, tha Ismajli.
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-3 në miqësoren e luksit kundër Italisë në "Air Albania". Kuqezinjtë e Edy Rejas kaluan të parët në avantazh me Ismajlin në minutën e 16. Pas një krosimi nga Bajrami në zhvillimet e një goditje dënimi, mbrojtësi kuqezi shënoi me kokë një gol vërtet të bukur. Miqtë përmbysën shpejt ndeshjen me Di Lorenzo në minutën e 20 dhe dopietën e Grifo në minutat 25 dhe 64. Pas ndeshjes për mediat foli trajneri i Italisë, Roberto Mancini.
"Nuk ishte një ndeshje e lehtë, Shqipëria bëri një lojë të mirë. Komplimente për kuqezinjtë, faleminderit për ftesën. I njoh lojtarët e Shqipërisë sepse nuk mund të jesh në Serie A nëse nuk ke cilësi. Zëvendësi i Bonucit? Kemi disa, por e kemi akoma me ne dhe na nevojitet", tha Mancini.
Italia shënon golin e tretë me Grifo në të 64 minutë. Shqipëri 1-3 Itali.
Minuta e 25, Italia shënon edhe golin e dytë me Grifo dhe përmbys Shqipërinë pas pasigurisë së Kumbullës. Bie heshtja në stadium.
Festa zgjati shumë pak. Italia ka barazuar shifrat 1-1. Di Lorenzo ka shënuar gol duke zbehur gëzimin në ‘Air Albania’
.
Minuta e 16 e takimit. Ardian Ismajli kalon në avantazh Shqipërinë kundër Italisë. Krosimi i saktë i Bajramit kthehet në asist perfekt për mbrojtësin që me kokë shtang Meret. Festë e madhe në stadium. Ky është goli i parë që Shqipëria i shënon Italisë.
Përpara ndeshjes miqësore Shqipëri - Itali në Air Albania që luhet këtë të mërkurë, rivalitet ka edhe mes Interit dhe Romës. Tifozët shqiptarë kërkojnë fanellat e idhujve të tyre. Edhe pse zemra rreh kuqezi për Kombëtaren, një fanellë e Zaniolos apo Barellas në koleksion nuk bën keq.
Edhe pse Shqipëria dhe Italia luajnë sot një test miqësor në Air Albania, incidentet me tifozët nuk kanë munguar. Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihen qartë se tifozët janë mbi xhamin ndarës të sektorit të tifozëve miq, ndërsa duken edhe tifozët që janë me rripa në duar.
Kuqezinjtë e Edy Rejas kanë dalë në nxehmje për përgaitjen e duelit me Italinë (20:45). Tifozët në Air Albania i kanë pritur me brohorima futbollistët, që luajnë një përballje të shumëpritur nga fansat në Shqipëri.
45 minuta nga fillimi i ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë në "Air Albania", tifozët kuqezi kanë filluar të mbushin stadiumin. Në 20:45 pritet një atmosferë e ngrohtë në stadiumin e kryeqytetit shqiptar, teksa përpara hyrjes në impiant çdo tifoz do i nënshtrohet kontrolleve fizike për të mos lejuar sendet e forta. Fusha duket në gjendje perfekte.
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në 20:45 testin miqësor me Italinë në "Air Albania". Pas formacionit zyrtar të Shqipërisë, edhe Roberto Mancini i Italisë ka zbardhur rreshtimin e të kaltërve.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (3-5-2): Berisha, Ismajli, Lenjani, Mihaj, Kumbulla, Hysaj, Abrashi, Bare, Bajrami, Uzuni, Broja Trajner: Edy Reja
Italia (3-4-3): Meret, Bastoni, Bonucci, Scalvini, Di Lorenzo, Tonali, Verratti, Dimarco, Grifo, Zaniolo, Raspadori Trajner: Roberto Mancini