I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti shqiptar nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për një nga bimët më të vlerësuara të natyrës: borzilokun. Jo vetëm një erëz e dashur në kuzhinë, por edhe një kurë e fuqishme natyrore për trupin dhe mendjen.
“Borziloku është cilësuar si qetësues i shpirtit,” tha Joka.
Ai shpjegoi se kjo bimë përmban katër vajra esencialë shumë të rëndësishëm, të cilët gjenden në një ekuilibër të përsosur, duke i dhënë borzilokut fuqinë për të ndikuar pozitivisht në disa sisteme të trupit. Nga aspekti neurologjik, është provuar se borziloku ndihmon në uljen e ankthit, qetëson sistemin nervor, ul aktivitetin e trurit dhe përmirëson cilësinë e gjumit. Po ashtu, ai ndihmon në qetësimin e trupit gjatë stresit dhe lodhjes mendore.
“Në formë çaji, borziloku është ideal për qetësimin nervor dhe për një gjumë më të mirë. Për frymëmarrjen, borziloku hap rrugët e frymëmarrjes dhe ndihmon në pastrimin e mushkërive. Ai është përdorur tradicionalisht kundër kollës, rekomandohet të konsumohet në çaj bashkë me mente për tretjen dhe me sherebelë për problemet e fytit dhe grykës”, rekomandoi Joka.
Një përdorim shumë i njohur është ai në aromaterapi, nëpërmjet vajit esencial të borzilokut, i cili ka efekt relaksues mbi muskujt dhe ndihmon në lehtësimin e tensionit fizik dhe emocional. Po ashtu, është efektiv në trajtimin e problemeve dermatologjike si irritime të lëkurës apo dermatite. Borziloku ka edhe efekt detoksifikues, i kombinuar me lëkurë limoni në ujë, ndihmon në pastrimin e organizmit dhe freskon metabolizmin. Një tjetër kombinim i fuqishëm është borziloku me xhinxher, i cili përdoret për qetësi nervore dhe forcim të sistemit imunitar. Ndërsa kombinimi me trumzë dhe lule bliri krijon një pije të ngrohtë që lehtëson stresin dhe tensionin mendor. Ai ndihmon gjithashtu në rritjen e qumështit tek nënat që ushqejnë fëmijët me gji, është efektiv kundër pagjumësisë dhe madje mund të përdoret si repelent natyral kundër pickimeve të mushkonjave. Përveç kësaj, ndihmon në qarkullimin limfatik dhe përmirëson freskinë e gojës.
Joka veçoi edhe farat e borzilokut, të cilat përmbajnë sasi të larta kalciumi dhe kanë efekte shumë pozitive për shëndetin e kockave dhe të sistemit tretës.“Borziloku nuk është thjesht një erëz për sallatën,” përfundoi ai, “por një aleat i fuqishëm për trupin, mendjen dhe sistemin imunitar dhe duhet të jetë pjesë e përditshme e tryezës sonë.”
Komente
