‘Po nuk u ngrit akuza e vrasjes ne si familjarë nuk kemi asgjë në terezi, nuk ka drejtësi. Atëherë do të ngrihemi vetë ne dhe do bëjmë drejtësi.'
Zotohet Zamira Durda, gruaja që prej 16 vjetësh kërkon drejtësi për humbjen e djalit 7 vjeç në shpërthimit e Gërdecit që mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi qindra të tjerë. Familjarë të viktimave, edhe këtë 15 mars, vendosën lule në memorialin në kujtim të tyre.
Në luftë për drejtësi, gruaja që nuk u dorëzua asnjëherë, këtë radhë kishte nevojë për mbështetje publike nga të gjithë familjarët e viktimave dhe të plagosurve.
‘A jam vetëm unë apo jam bashkë me ju? Dua ta dëgjoj njëzëri. Të paktën të mos më bëhet më kjo pyetje, që ti je vetëm dhe nuk të mbështet njeri.’- tha Zamira Durda.
Zabiti është një prej të plagosurve në shpërthimin e madh. Distanca 20 metër i dha mundësinë e dytë për të jetuar.
‘Rreth orës 12 pa një çerek dëgjoj një zë gruaje e cila bërtiti: zjarri, largohuni! U larguan në drejtim të asaj kodre, atje më ka zënë mua predha e fundit, shpërthimi i dytë ose i tretë që më goditi, rreth 20 metra nga shpërthimi. Ata që ishin atje afër gati mbaruan.’- tha i mbijetuari Zabit Çuku.
Ramazan Cami humbi vëllain dhe kunatën. Ati tregon për Report Tv dramën derisa identifikuan trupat e pajetë.
‘Kunata ime Bukuria, trupi i saj ka qenë jo më tepër se 50 cm. Ka ardhur vetëm dentistja që i ka vendosur dhëmbët që e ka identifikuar, ka firmos te prokurori. Kurse vëllai është futur në dhe me ADN. Kanë marrë gjakun tim, janë bërë analizat, copat e mishit mbledh e fut në arkivol.’- tha Ramazan Cami, familjar i viktimave.
Barie Sefa erdhi nga Kukësi në Gërdec për një jetë më të mirë, por kurrë nuk ia priste mendja se aty do të linte jetën vajza e saj, e cila la 3 fëmijë jetim.
‘Nuk harrohet për jetë, na lëshoi përtokë. Ajo ka hy në tokë, më ka heq keq. Pati bërë shtëpinë me borxh në Kavajë. Shtatë veta kam pas brenda, tjerët u plagosën.’- u shpreh Barie Sefa, familjare e viktimave.
Shpërthimi shkaktoi një krater gjigant me një thellësi prej 120 m, dhe ngjasonte me një kërpudhë të zezë tymi.
Shumë analistë e quajtën atë si 'bombë atomike në miniaturë'. Dëshmitarë që përjetuan ngjarjen thonë se valanga e shpërthimit i kishte hedhur ato disa metra larg. Persona që ndodheshin në udhëtim në rrugën Tiranë – Durrës, dëshmuan në media të ndryshme se frika i kishte pushtuar të gjithë.
Shumë të tjerë do të ktheheshin nga emigracioni, vetëm për të gjetur shtëpinë e rrënuar ose të dy prindërit të vdekur. Ata që humbën gati gjithçka filluan protesta të shumta në të gjithë vendin.