Një shqiptar është arrestuar ditën e sotme në Greqi, pasi u fut në territorin e shtetit fqinj duke mos respektuar kontrollin në pikën kufitare. Në Qafë-Botë, Gardjan Mirukaj, 39 vjeç nuk iu bind policëve për kontroll, duke thyer traun e doganës greke.
Në ndjekje të tij u vunë 6 automjete të policisë greke, duke bërë të mundur arrestimin e tij në Igumenicë, pas 30 kilometrash ndjekje.
Në tentativë për t'u larguar, ai ka përplasur edhe një automjet të policisë greke, por fatmirësisht nuk mbetën persona të lënduar. 39-vjeçari është shoqëruar në polici ndërsa nga kontrollet në automjet nuk janë evidentuar sende të paligjshme. Dyshohet se ai vuan nga probleme psikologjike.
"Falë bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë dhe homologeve Greke, ndalohet drejtuesi i një automjeti, i cili nuk iu bind Policisë Kufitare Shqiptare dhe asaj Greke, duke kaluar në menyrë të jashtëligjshme pikën e kufirit në Qafë-Botë.
Ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin Grek në menyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.
Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale", njoftoi Policia.
Report Tv ka mësuar se shqiptari që ka thyer traun e doganës greke është Gardian Mirukaj, 39 vjeç nga Lezha. Motivet e kwsaj ngjarjeje nuk duhen ende.