Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar lidhur me aksionin e fundit të AMP gjatë ditës së sotme në doganën e Kakavijës ku u arrestuan 2 doganierët Ardit Abrija dhe Eliod Shurdhaj, ndërsa u shpallën në kërkim 1 doganier i parkimit dhe 3 punonjës të Kontrabandës nën akuzën se kishin lejuar kalimin e mallrave kontrabandë në këmbim të ryshfetit.
Drejtoria e Përgjithshme njofton se të gjithë personat e përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.
Konkretisht janë pezulluar: Ardit Abrija, Eliod Shurdhaj dhe Arben Marvataj (doganierë), Astrit XhaxhaArjan Mustafaj Fatjon Osmani (punonjës të Antikontrabandës).
“Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të procedurave doganore.
Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore.
Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast.
Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën”- thuhet në njoftim.
Lajmi kryesor:
EMRAT/ Ryshfet për të kaluar 4 kamionë e 1 trajler pa kontroll, në pranga 2 doganierë në Kakavijë, 4 në kërkim! Arrestohen 6 shoferë! Report TV sjell pamjet e mjeteve të bllokuara
B.V/ReportTv.al