EMRAT/ Ryshfet për të kaluar 4 kamionë e 1 trajler pa kontroll, në pranga 2 doganierë në Kakavijë, 4 në kërkim! Arrestohen 6 shoferë! Report TV sjell pamjet e mjeteve të bllokuara

24 Dhjetor 2023, 09:44| Përditesimi: 24 Dhjetor 2023, 19:17

  • Share

2 doganierë në Doganën e Kakavijës janë arrestuar dhe 4 të tjerë janë shpallur ne kërkim pasi akuzohen se në këmbim të ryshfetit kanë lënë kalimin e 4 kamionëve, 1 trajleri dhe një furgoni pa u kontrolluar. Gjithashtu policia ka arrestuar edhe 6 shoferët që në kamionët e tyre kishin mallrat të kontrabanduara.

Operacioni i urdhëruar nga Prokuroria Gjirokastrës, nisi prej mëngjesit të së shtunës deri në orët e para të së dielës dhe u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Policinë e Gjirokastrës.

Me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës janë arrestuar përgjegjësi i doganës së Kakavijës Ardit Abrija, doganieri i kontrollit fizik, Eliod Shurdhaj dhe u shpallën në kërkim Arben Marvataj (doganier i parkimit) si dhe 3 punonjësit e Antikontrabandës Astrit Xhaxha, Arjan Mustafaj Fatjon Osmani).

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar menjëherë pas zhvillimit të aksionit dhe ka njoftuar se Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimin për pezullimin e të gjithë personave të përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.

Mësohet se AMP kishte marrë informacione dhe denoncime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetëra tonë mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj. Gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka siguruar pamjet e kamionëve të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra që kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit që janë bllokuar.

Ora 16:09
Pa kontroll në Kakavijë, Report Tv siguron pamjet e kamionëve me mallra kontrabandë që janë bllokuar

Report Tv ka siguruar pamjet e trajlerit, të kamionëve të tonazhit të rëndë si dhe mjeteve të tjera të mbushura me mallra kontrabandë që u tentua të kalohen në pikën kufitare Kakavijë pa kryer kontrolle si dhe duke shmangur pagesat e zhdoganimit.

Ora 14:47
Arrestimet e doganierëve në doganën e Kakavijës, reagon Balla: AMP do të rrisë forcën goditëse ndaj të gjitha formave të krimit ekonomik

1702556921_taulantballa.jpg

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për aksionin e AMP falë të cilit u arrestuan 2 doganierë, u shpall në kërkim një tjetër dhe 3 punonjës të Antikontrabandës, nën akuzën se kanë lejuar futjen e mallrave kontrabandë në këmbim të ryshfetit.

Balla shkruan se goditja e realizuar së fundmi, është mesazh ndaj kujtdo që i shkon në mendje që të marrë shuma të caktuara monetare në këmbim të shkeljes së detyrës.

“Një bravo e merituar për Agjensinë e Mbikqyrjes Policore e cila ka goditur mbrëmë gjatë natës një rast flagrant kontrabande duke arrestuar fajtorët. Policia e Shtetit dhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore do të rrisin forcën goditëse ndaj të gjitha formave të krimit ekonomik. Goditja e mbrëmshme është një mesazh i qartë ndaj kujtdo, të cilit i shkon në mendje të kthejë pas kohën e kaluar, kur “ngrihej trau” për të mbushur xhepat e disa personave, na bën më të vëmendshëm për t'i goditur fort këto tentativa”- shkruan Balla.

Ora 13:46
Nuk kontrollonin mallrat, Komisioni Disiplinor në Dogana pezullon 3 doganierët dhe 3 punonjësit e Antikontrabandës në doganën e Kakavijës

 

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar lidhur me aksionin e fundit të AMP gjatë ditës së sotme në doganën e Kakavijës ku u arrestuan 2 doganierët Ardit Abrija dhe Eliod Shurdhaj, ndërsa u shpallën në kërkim 1 doganier i parkimit dhe 3 punonjës të Kontrabandës nën akuzën se kishin lejuar kalimin e mallrave kontrabandë në këmbim të ryshfetit.

Drejtoria e Përgjithshme njofton se të gjithë personat e përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.

Konkretisht janë pezulluar: Ardit Abrija, Eliod Shurdhaj dhe Arben Marvataj (doganierë), Astrit XhaxhaArjan Mustafaj Fatjon Osmani (punonjës të Antikontrabandës).

“Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të procedurave doganore.

Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore.

Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast.

Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën”- thuhet në njoftim.

Ora 13:31
S'kontrollonin automjetet me mallra në Kakavijë, policia: 2 doganierë të arrestuar dhe 4 në kërkim! Pranga edhe 6 shoferëve

1685605626_finalprojekt.00592104.Still040.jpg

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin ku u arrestuan përgjegjësi i turnit A.A dhe E.Sh, doganier fizik në të njëjtën degë nën akuzën se kanë marrë rzshfet për të mos kontrolluar disa kamionë me mallra që kalonin në pikën kufitare.

Lidhur me këtë operacion mësohet se janë arrestuar edhe 6 persona, shoferë të automjeteve që kishin mallra të kontrabanduara dhe kalonin pa u kontrolluar. Konkretisht janë arrestuar

- V.D., 40 vjeç;

- ⁠TH.M., 48 vjeç;

- ⁠R.I., 41 vjeç;

- ⁠A.XH., 45 vjeç;

- ⁠A.M., 50 vjeç;

- ⁠F.O., 39 vjeç;

Ndërsa janë shpallur në kërkim A.M me detyrë doganier i parkimit si dhe 3 punonjës të kontrabandës të identifikuar si F.R., N.S. dhe G.SH.

Policia ka ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.

B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?