Politikë

Procesi i numërimit/ Celibashi: Ecuri e ngadaltë, partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e numërimit! Shpallja e rezultatit brenda kësaj jave

12 Maj, 19:31| Përditesimi: 12 Maj, 20:36

  • Share

Brenda kësaj jave do të mësohet rezultati final se si votuan shqiptarët në 11 maj. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se i gjithë procesi i numërimit të votave si ato brenda vendi po ashtu edhe të diasporës do të mbyllet këtë javë.

"Duke përfshirë edhe votimin nga jashtë besoj, brenda kësaj jave do ta kemi. Varet shumë, thashë s’e kam për të justifikuar, shumë nga mënyra edhe sesi partitë politikë që kanë të angazhuara njerëz në procesin e numërimit nga jashtë do të organizojnë njerëz në këtë proces", tha Celibashi. 

Celibashi foli për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se kemi probleme me ecurinë, që sipas tij është kushtëzuar për shkak të lodhjes së numëruesve. Ai u bëri thirrje partive politike për të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit

“Janë 24 KZAZ që e kanë përfunduar procesin e numërimit dhe për subjektet zgjedhore dhe kanë vendosur të nisin nesër me procesin e numërimit të votave për kandidatët e listës së hapur. Kemi patur ndërprerje në KZAZ-të e Fierit, ka rifilluar procesi i numërimit të votave. Në disa KZAZ, Pustec dhe Devoll ka përfunduar numërimi për partitë dhe koalicionet, ashtu edhe për kandidatët. Procesi i numërimit ka shkuar shumë mirë, por edhe sikur në zgjedhjet e tjera kemi probleme me ecurinë dhe vazhdimësinë normale të këtij procesi. Në pjesën me të madhe kjo ecuri e ngadaltë është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve dhe anëtarëve të KZAZ-së. Një pjesë e tyre kanë qenë komsionerë dhe kur ka përfunduar votimi u është dashur të kryejnë edhe detyrën e numëruesit. Partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Ata e dinë se cilët njerëz kanë të propozuar dhe angazhuar dhe duhet të ndërtojnë një sistem me trune. Nuk mund të lejojmë ndërprerjen e procesit të numërimit të votave", tha Celibashi. 

Një koment e ka edhe për rezultatet përfundimtare të OSBE-ODIHR për procesin zgjedhor.

“Mendoj që sikurse e kam thënë ky raport është pasqyrim real i asaj që ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, ajo çfarë për interesin e KQZ, dua të sjell në vëmendje është vlerësimi pozitiv për performancën e KQZ, transparencën dhe procesin e votimit nga jashtë që e ka vlerësuar shumë mirë deri tani. Për problematikat e adresuara meritojnë të adresohen si për KQZ që janë çështje të karakterit teknik, por më së shumti për partitë politike dhe kuvendin e Shqipërisë pas këtyre zgjedhjeve.

Çfarë është pasqyruar në raport është gjykimi dhe vlerësimi im në tërësi për procesin zgjedhor. Ky proces është një proces që është filluar tërësisht në shinat e ligjit dhe kodit zgjedhor, ka probleme dhe janë evidentuar probleme, ne i kemi pasur dhe janë të përsëritura. Por asesi nuk e zhbëjnë gjykimin dhe vlerësimin për një proces zgjedhor të zhvilluar sipas parashikimeve të kodit zgjedhor”, tha Celibashi.

Ora 19:40
PD kërkon të bllokojë votën e Greqisë/ Celibashi: Do të numërohen të gjitha, çështje kohe! Vendimi im ndihmoi procesin

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se rezultati paraprak i zgjedhjeve pritet të dalë brenda kësaj jave. Në konferencën për mediat, i pyetur për kërkesën për ankimimin që PS ka bërë ndaj kërkesës së PD për “bllokimin” e votave nga Greqia, ai tha se vendimi i tij s’ka lidhje me numërimin ose jo të votave. 

“Nuk e di se është kompetencë e KAS, dhe respektoj vendimarrjen. Por dua të bëj të qartë se vendimi që kam marrë si komisioner nuk ka të bëjë me do të apo nuk do të numërohen apo jo votat e ardhura nga Greqia. Është vendim që ka synuar të administrojë procesin, ku ky proces i vlerësimit të votave zhvillohet nga numëruesit dhe komisioni përkatës. Vetëm kaq kemi urdhëruar, jo më shumë”, u shpreh Celibashi. 

Pyetjes së gazetares Esiona Konomi lidhur me deklaratën e Taulant Ballës se vendimi i KQZ për “ngrirjen” e numërimit të votave nga Greqia, ishte një përpjekje për të qetësuar shpirtrat e trazuar të PD, iu përgjigj duke thënë se vendimi i tij i dhënë si komisioner përmirësoi procesin pasi do të kishin “ngecur” në një debat. 

“Komente s’do të preferoja të bëja mbi mendimet e kujtdo politikani. Ne do të vendosim në lidhje me gjithë procesin e votimit nga jashtë, përfshirë edhe votat e Greqisë, sikurse çdo fletë votimi që i është nënshtruar deri tani numërimit dhe vlerësimit. Nuk ka vendim që ka përjashtuar apriori mbi votat që kanë ardhur nga Greqia. Procesi është duke vazhduar, vendimi që kam marrë si komisioner e ka ndihmuar procesin sepse ka qenë e kotë në kushtet kur përbërja e grupeve të numërimit është e balancuar, përbërja e komisioneve është e balancuar, do të kishim ngecur deri sot në debatin ndërmjet anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerëve për fletët e votimit nga Greqia. Meqense njëra palë e kontestonte këtë votim, kemi vazhduar me pjesën tjetër. Do të vendosim për ecurinë. Nuk janë të përjashtuar. Do të shqyrtohet fleta e votimit. Votat nga Greqia do t’i nënshtrohen numërimit, sikurse nga vendet e tjera, është vetëm çështje kohe. Me këtë rast do të shqyrtohen edhe pretendimet e gjithkujt me votën e Greqisë dhe diasporës në tërësi.”

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Pse sipas jush vonohet kaq shumë procesi i numërimit: