Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se rezultati paraprak i zgjedhjeve pritet të dalë brenda kësaj jave. Në konferencën për mediat, i pyetur për kërkesën për ankimimin që PS ka bërë ndaj kërkesës së PD për “bllokimin” e votave nga Greqia, ai tha se vendimi i tij s’ka lidhje me numërimin ose jo të votave.
“Nuk e di se është kompetencë e KAS, dhe respektoj vendimarrjen. Por dua të bëj të qartë se vendimi që kam marrë si komisioner nuk ka të bëjë me do të apo nuk do të numërohen apo jo votat e ardhura nga Greqia. Është vendim që ka synuar të administrojë procesin, ku ky proces i vlerësimit të votave zhvillohet nga numëruesit dhe komisioni përkatës. Vetëm kaq kemi urdhëruar, jo më shumë”, u shpreh Celibashi.
Pyetjes së gazetares Esiona Konomi lidhur me deklaratën e Taulant Ballës se vendimi i KQZ për “ngrirjen” e numërimit të votave nga Greqia, ishte një përpjekje për të qetësuar shpirtrat e trazuar të PD, iu përgjigj duke thënë se vendimi i tij i dhënë si komisioner përmirësoi procesin pasi do të kishin “ngecur” në një debat.
“Komente s’do të preferoja të bëja mbi mendimet e kujtdo politikani. Ne do të vendosim në lidhje me gjithë procesin e votimit nga jashtë, përfshirë edhe votat e Greqisë, sikurse çdo fletë votimi që i është nënshtruar deri tani numërimit dhe vlerësimit. Nuk ka vendim që ka përjashtuar apriori mbi votat që kanë ardhur nga Greqia. Procesi është duke vazhduar, vendimi që kam marrë si komisioner e ka ndihmuar procesin sepse ka qenë e kotë në kushtet kur përbërja e grupeve të numërimit është e balancuar, përbërja e komisioneve është e balancuar, do të kishim ngecur deri sot në debatin ndërmjet anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerëve për fletët e votimit nga Greqia. Meqense njëra palë e kontestonte këtë votim, kemi vazhduar me pjesën tjetër. Do të vendosim për ecurinë. Nuk janë të përjashtuar. Do të shqyrtohet fleta e votimit. Votat nga Greqia do t’i nënshtrohen numërimit, sikurse nga vendet e tjera, është vetëm çështje kohe. Me këtë rast do të shqyrtohen edhe pretendimet e gjithkujt me votën e Greqisë dhe diasporës në tërësi.”
Lajmi kryesor:
Procesi i numërimit/ Celibashi: Ecuri e ngadaltë, partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e numërimit! Shpallja e rezultatit brenda kësaj jave
Xh.D/I.M/ReportTv.al
