Politikë

Numërimi i votave preferenciale të diasporës! Mbyllen Tirana, Fieri, Korça e Lezha, Xhaçka e ruan mandatin! Zegjine Çaushi deputete me diferencë 64 vota, Kadeli përmbys Nelin

19 Maj, 08:27| Përditesimi: 19 Maj, 23:01

  • Share

Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës për partitë, pritet tashmë rezultati për votat preferenciale, ku gara më e fortë zhvillohet brenda Partisë Socialiste, aktualisht në qarqkun e Vlorës, ku kandidatët presin ndryshime.

Pas Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës, mbyllet numërimi për kandidatët edhe në Fier, Vlorë, Lezhë dhe Tiranë. Po vijon Elbasani, Gjirokastra dhe Vlora.

Ish-ministrja Olta Xhaçka ka arritur të kalojë kolegen e saj Blerina Gjylameti, pas numërimit të votave të ardhura nga Greqia për Tiranën, duke marrë një avantazh prej 130 votash. Ajo e ruajti diferencën deri në fund dhe njëkohësisht mandatin e deputetes, teksa mësohet se Gjylameti i ka kërkuar KQZ-së verifikimin e filmimeve të numërimit për votat.

Po brenda PS-së, Orlando Rakipi mbajti një epërsi prej 500 votash ndaj Xhemal Qefalisë, duke siguruar në fund këtë mandat. Një tjetër emër që ka siguruar mandat nga lista e hapur është ministrja Anila Denaj, e cila u zgjodh përmes kuotës gjinore.

Në kampin opozitar, gara brenda Partisë Demokratike në Tiranë konsiderohet e mbyllur. Jorida Tabaku kryeson me mbi 2000 vota ndaj Ilir Alimehmetit, një rezultat që nuk ndryshoi deri në fund. Ajo pritet të sigurojë mandatin e vetëm që PD mori në listën e hapur për këtë qark. Alimehmeti qëndroi të paktën 200 vota para Tabakut te diaspora, por në atë brenda vendit ishte mbi 2 mijë vota pas deputetes demokrate.

Në qarkun e Fierit, socialistët Dhimitër Kruti dhe Ramion Kurti ndodheshin në një garë të ngushtë, me vetëm 120 vota diferencë mes tyre, kur numërimi ishte në votat e fundit. Por në mbarim të procesit, Ramioni arriti ta ruante diferencën dhe arriti të fitonte mandatin. 

Garë pati edhe mes femrave socialiste për një mandat nga kuota gjinore, mes Zegjine Çaushit dhe Matilda Bardhos. Bardho ndodhej mbi 400 vota para Çaushit te Diaspora, por kjo e fundit vijoi ta ruante avantazhin deri në fund me shifrat që ngushtoheshin, derisa arriti ta fitonte vetëm me 64 vota ndaj koleges socialiste (shifrat e sistemit të KQZ).

Gara për votat preferenciale u bë gjithashtu e fortë në Lezhë, si në radhët e PS-së ashtu edhe në ato të PD-së, por vetëm brenda secilës parti. Në PD, Kastriot Piroli mbajti një epërsi të dukshme ndaj Aleksandër Lalës, ndërsa në PS, Marjeta Neli kryesoi me rreth 400 vota ndaj Admir Kadelit fillimisht, por ky i fundit e përmbysi në fund. Dhe në orët e mbrëmjes është mbyllur numërimi në qarkun e Lezhës për zarfat e votës së diasporës. Admir Kadeli ka arritur të kalojë në fund 27 vota para Marjeta Nelit, e cila kryesoi në rang qarku nga numërimi, teksa diaspora solli përmbysjen. Ky numër votash tashmë duhet zyrtarizuar edhe nga KQZ.

Ndërkohë në Korçë, Besa Spaho arrin të ruajë mandatin nga kolegia e saj socialiste Eslemvera Zake. 

Garë të fortë ka edhe në Vlorë për diasporën, mes Klevis Kasos dhe Vasil Llajos brenda PS. Ky i fundit kishte marrë avantazhme 271 vota në qark, por Kaso ka arritur të rikuperojë dhe kalojë aktualisht me diasporën, teksa ndodhet rreth 130 vota para dhe për momentin siguron mandatin e deputetit me përmbysje. Orët e vona të mbrëmjes Vasil Llajo doli i katërti në listën e hapur, pasi u kalua edhe nga Brunilda Mersini.

Partia Socialiste ka siguruar deri tani 83 mandate, duke ruajtur edhe mandatin e 12-të në Fier dhe marrë mandatin e 9-të në Vlorë, pas numërimit të votave të diasporës nga Greqia, i cili i rikonfirmoi përballë sfidës së Nismës "Shqipëria Bëhet" dhe në Vlorë ia mori mandatin PD-së nga lista e sigurt. Nga ana tjetër, Partia Demokratike mban 50 mandate, pasi ruajti mandatin e katërt në Lezhë, por nuk arriti t'ia rrëmbente dot Partisë Mundësia mandatin e dytë, duke mbetur vetë në 13 deputetë, vetëm me një të fituar nga lista e hapur.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?