Politikë

Numërimi i votave të diasporës mbyllet 9 ditë pas zgjedhjeve, i hapet rrugë certifikimit të 11 majit! Kutitë e fundit të Elbasanit nuk ‘prekën’ rezultatin

20 Maj, 15:09| Përditesimi: 20 Maj, 15:27

  • Share

9 ditë pas zgjedhjeve çdo votë e 11 majit tashmë është numëruar. Në Parkun Olimpik u lexua edhe vota e fundit, që vinte nga diaspora dhe që i takonte qarkut të Elbasanit, duke i dhënë fund procesit të numërimit brenda e jashtë vendit.

Kutitë e fundit nuk pritej të prodhonin asnjë ndryshim rezultati në renditjen e kandidatëve fitues për subjektet politike, prandaj atmosfera në Parkun Olimik ishte më e qetë se ditët e tjera.

Por atmosfera jo gjithmonë ishte kjo. Në Parkun Olimpik u panë ethet e ndeshjes më të gjatë, asaj të partive politike që për herë të parë betejën politike e përqendruan tek diaspora.

Emigrantët në jo pak raste ndikuan ndjeshëm në rezultate. Në Vlorë i dhanë socialistëve mandatin e 9-të, ndërsa në Tiranë votat e tyre lanë në ankth deri në minutë të fundit dy deputetet socialiste, Blerina Gjylamenti dhe Olta Xhaçka. Avantazhi i takoi ish-ministres Xhaçka, me një diferencë prej 140 votash.

Edhe në Lezhë, diaspora ishte vendimtare për mandatin e Admir Kadelit, i cili ia more me 27 vota më shumë koleges socialiste Marinela Neli.

Tek diaspora, shpresoi deri në minutë të fundit edhe koalicioni i Adriatik Lapajt, duke kërkuar në Fier mandatin e dytë të tyre, por pa rezultat.

Edhe pse diaspora nuk i kënaqi dot të gjitha palët, për socialistët u konsiderua një sukses i vërtetë, me 61% të votave të favor të tyre.

Falënderimet për 83 mandatet, rezultatin më të mirë të dy dekadave të fundit të socialistëve, ua shprehu edhe vetë kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa PD e cila rrudh në 50 mandate vijon kontestimet dhe kërkon audit të votës. 7 mandatet e mbetura u ndanë mes partive të vogla, 3 PSD-ja e Tom Doshit, 2 Mundësia e Agron Shehajt dhe nga një mandat për partitë e Arlind Qorrit dhe Adriatik Lapajt.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?