I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për ndikimin e vapës në funksionimin e trupit dhe sistemin nervor. Ai shpjegoi pse ndihemi të lodhur apo të nervozuar në ditët e nxehta dhe si mund të rikthejmë lëngjet që humbasim.
Në fillim të bisedës, Altini tha: “Në verë, shumë njerëz ndjehen më të nervozuar dhe kjo është e provuar nga studimet, ndonëse trupi ynë mundohet ta mbajë temperaturën konstante”. Ai shpjegoi se hipotalamusi luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e temperaturës dhe funksioneve të tjera të trupit, duke përfshirë sistemin e zemrës. Kur trupi lëshon djersë për të mbajtur temperaturën në nivele të përshtatshme, aktivizohet një mekanizëm mbrojtës, por djersitja e tepërt sjell humbjen e mineraleve të rëndësishme.
Altini theksoi gjithashtu se“Vetë enët e gjakut, për shkak të nxehtësisë, mund të përjetojnë anomali. Humbja e mineraleve mund të shkaktojë dëmtime në organe dhe, në raste ekstreme, mund të çojë në probleme të rënda shëndetësore.”
Në aspektin mendor, ai shpjegoi se temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht në tru, duke shkaktuar "shpërthime" në qeliza që aktivizojnë një seri reaksionesh të tjera në organe. Këto ndryshime çojnë në ankth, inflamacion, dhe prishje të nivelit të proteinave, duke përfshirë edhe sjellje më agresive ndaj të tjerëve. Disa studime sugjerojnë se në temperatura të larta, vendimet që marrim mund të jenë më të gabuara dhe ngjarjet kriminale janë më të shpeshta gjatë ditëve të nxehta.
Rekomandimet për t'u hidratuar dhe përballuar vapën
Altini theksoi rëndësinë e ujit për trupin gjatë verës, por me disa kufizime: “Uji është një element kyç, por duhet konsumuar jo më shumë se 300–400 ml në të njëjtën kohë dhe nuk duhet të jetë shumë i ftohtë.” Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kripërave minerale, të cilat duhet të mbahen të ekuilibruara për të parandaluar dehidratimin.
Nëse ndiheni të dehidratuar dhe keni simptoma si djersitje e tepërt, marramendje, ose duar dhe këmbë të ftohta, Altini sugjeroi se mund të keni kaluar në një shok nga temperatura e lartë.
Mënyrat për t'u hidratuar dhe mbajtur temperaturën në nivele të përshtatshme:
· Ushqimi: Ulni konsumin e kalorive dhe ushqimeve të ngrohta. Agjërimi mund të ndihmojë për të ulur temperaturën e trupit. Konsumoni ushqime të pasura me ujë dhe perime të stinës.
· Vitamina F: Kjo vitaminë, që gjendet tek arrorët, susami, vaji i kungullit, vaji i ullirit, peshqit dhe kivi, është e rëndësishme për trupin.
· Kripa: Përdorimi i pak kripë të zezë në ujë mund të ndihmojë shumë në ruajtjen e ekuilibrit të mineraleve.
· Për një person me peshë 70 kg, Altini rekomandon konsumimin e 2.2–2.5 litra ujë në ditë. Rëndësi ka të mos kalohen ndryshime të mëdha në temperaturat e trupit.
Mbrojtja ndaj helmimeve gjatë verës
Altini foli gjithashtu për helmimet që mund të ndodhin gjatë verës dhe mënyrat për t’i shmangur ato. Ai shpjegoi se sistemi imunitar luan një rol të rëndësishëm në aftësinë për të përballuar toksinat në zorrë.
“Nëse keni simptoma si tharje të gojës dhe marramendje, mund të keni një helmim. Në këtë rast, rekomandohet të shtoni 4 lugë sheqer dhe një lugë kripë në një litër ujë dhe ta konsumoni këtë për të ndihmuar trupin tuaj”, tha ai. Po ashtu, përdorimi i probiotikëve të lëngshëm ose i karboni aktiv mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit.
Në fund, ai theksoi se duhet të shmangim konsumimin e pijeve energjike dhe të reduktojmë konsumin e kafesë gjatë verës, pasi këto mund të shkaktojnë dehidratim.
Komente
