Shëndeti

Nutricionisti Altin Joka: Ja vlerat ushqyese të tërshërës dhe pse duhet përdorur rregullisht

23 Prill, 16:03| Përditesimi: 23 Prill, 16:09

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për mitet dhe të vërtetat rreth përdorimit të tërshërës. Dikur tërshëra përdorej për të ushqyer kafshët, ndërsa sot përdoret nga njerëzit për vlerat e saj ushqimore.

”Shumë ushqime dikur nuk u dihej vlera ushqimore dhe nënvlerësoheshin, mes tyre është dhe tërshëra që sot përdoret gjerësisht” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se për të përcaktuar nëse një produkt është i shëndetshëm, duhet të bazohemi në tre faktorë: E para duhet të shohim historinë e përdorimit nga të parët tanë, e dyta vlerat që ka produkti dhe e treta provat klinike që janë përkthyer në studime, duke ju referuar njerëzve që e kanë konsumuar.

”Dikur tërshëra konsumohej nga kuajt sepse ishte shumë e pasur në nivelin e energjisë, e pasur me mineralin e fosforit dhe të kalciumit” shtoi Altini, duke theksuar se tërshëra është dhe një burim shumë i madh proteinash.

“Nëse do flasim për vlerat e tërshërës tek njerëzit, mund të themi se tërshëra ka nivele të larta fibrash, ka vitamina dhe minerale në sasi, ka më pak gluten se drithërat e tjera dhe nivel të lartë të proteinave. Nga një filxhan tërshëre, ne marrim nivele proteinash diku tek 5 gram, marrim nivel të martë të Manganit, mbi 25% nivelin e Selenit, nivel të Bakrit, Magnez dhe Fosfor, Zink, Hekur, vitaminë B5” shtoi Altini gjatë bisedës.

Duke përdorur tërshërën, detoksifikojmë mëlçinë, ndihmojmë trurin të funksionojë më mirë, forcojmë kockat, stabilizojmë hormonet, ulim nivelin e kolesterolit të keq, duke ulur kështu dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

“Sipas shumë studimeve, nëse konsumohet tërshërë për një kohë të gjatë, një person mund të ketë rënie në peshë, ndërsa është shumë efektive në problemet menstruale dhe paramenstruale tek gratë, ndihmon që të bëhet një gjumë i mirë, sepse ka një perqëndrim të mirë të melatoninës. Tërshëra forcon dhe nivelin e sistemit imunitar, sikurse jep qetësi mendore, apo kontrollon nivelin e sheqerit tek diabetikët”, thekson Joka.

Pyetjes së moderatores sesi të zgjedhim tërshërën në treg, cila është më e mira, Joka i përgjigjet duke thënë se tërshëra më e mirë është ajo kokërr e plotë, pasi ka nivelin më të lartë të fibrave, duke theksuar se kemi dhe tërshërën e thërmuar, apo tërshërën që njihet si fletë-fletë. Nëse tërshëra është kokërr e plotë dhe nuk ka kaluar në përpunim, e ka të nevojshme që të futet në ujë paraprakisht dhe të zihet, ndërsa nëse ne blejmë në market tërshërën e grirë të përpunuar, ajo konsumohet ashtu siç është pa qenë nevoja për ta zbutur më parë në ujë apo për të kaluar në zierje.

Tërshëra rekomandohet që të përdoret dhe nga fëmijët për shkak të vlerave ushqyese, mund të përzihet me shafran, xhinxhër, kanellë, apo me arrore, fryta pylli, mango, duke na mbajtur të ngopur për kohë të gjatë.

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?