Shëndeti

Nutricionisti Altin Joka: Kujdes, lexoni me vëmendje etiketat përpara se të blini produktin

4 Qershor, 16:16| Përditesimi: 4 Qershor, 16:20

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për ushqimet e marketeve dhe leximin e etiketave nga konsumatorët. Si të lexojmë etiketat dhe të mësojmë se çfarë fshihet në produkt?

 “Unë personalisht, kur blej produkte, bazohem te ato që kanë një ose dy përbërës, ose maksimalisht tre përbërës”, tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se ka krijuar një memorie për produktet që zgjedh. Ai theksoi se zgjedh edhe produkte të hapura si perimet, mishi, që të ketë mundësi t’i shohë.

Në kohët që jetojmë, a mund t’u besojmë etiketimeve ushqimore?

Sipas Jokës, industritë kanë shfrytëzuar pikën tonë të dobët që ne nuk kemi informacion dhe nëpërmjet marketingut, reklamave të bukura, u ofrojnë konsumatorëve produkte.

“Leximi i etiketave duhet të nisë që te fëmijët tanë në moshë të vogël, për të rritur ndërgjegjësimin e të rriturve nesër”, tha Altini duke shtuar se etiketat nuk janë aty për të na treguar ne të vërtetën, por janë aty për të na bindur që ne të blejmë produktin.

Zakonisht, produktet që shkruajnë “Organik” në etiketë, nuk përmbajnë 100% të produktit organik. E njëjta gjë vlen edhe për termin “natyral”, kur produktet nuk janë 100% natyrale. Vetë sheqeri gjendet me 61 emra të ndryshëm, që njerëzit ngatërrohen shpesh.

“Nëse në të ardhmen do të fokusohemi për shëndetin e popullatës, mos u fokusoni te spitalet, por te supermarketet dhe prodhimi industrial” - theksoi Altini.

Nëse një etiketë ka prapashtesën -oz, atëherë ajo i përket familjes së sheqerit. Kemi shumë lëndë me emra kimikë që sjellin shumë probleme në organizëm. Kodi E në produkte është për t’u mos u neglizhuar kur lexohet në ushqime. Kemi shumë aditivë të panevojshëm në ushqime. Sipas Altinit, duhet të zgjidhen produkte që kanë sa më pak përbërës. Duhet parë nëse sheqeri, vajrat dhe yndyrnat janë të parat në listë; nëse po, ky produkt është i pari që duhet të eliminohet. Duhet të shmangen produktet që kanë koncentrate në përbërje. Vaji i palmës është një tjetër problem që gjendet në produktet ushqimore, përforcuesit e shijes dhe ngjyruesit “natyralë”, duke abuzuar me termin “natyrale”. Duhet të shmanget shkronja S, pra shurupi si përbërës. Duhet të eliminojmë gjithashtu edhe ushqimet e gatshme dhe të konsumojmë shumë ujë, duke shmangur glukozën, fruktozën dhe, në fund, duhet parë data e skadencës.

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?