Oferta për dialog, Rama: Bjellorusia s'e ka refuzuar, ja çfarë më tha ambasadori i tyre

28 Gusht 2020, 13:27| Përditesimi: 28 Gusht 2020, 16:28

  • Share

Kreu i OSBE-së Edi Rama tha se ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Special të organizatës, ambasadori i Bjellorusisë nuk e refuzoi ftesën për dialog që u ofrua. I pyetur se kur do të shkojë në Bjellorusi, Rama tha "Nuk e di, kjo është diçka që nuk e di askush. Nga ana bjelloruse nuk ka refuzim. Edhe sot, ambasadori i tyre në marrjen e fjalës nuk ishte aspak refuzues, thjesht tha që në kohën e duhur, ne do të japim përgjigjen tonë. Koha e duhur përcaktohet prej tyre. Kështu funksionon OSBE-ja. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që ne kemi pasur një ndërveprim absolutisht pozitiv edhe me palën amerikane me të cilën kemi qenë dje, kemi diskutuar në darkë.

Edhe me palën ruse me të cilën kemi qenë sot dhe kemi diskutuar në një mëngjes pune. Edhe me miqtë e shtrenjtë dhe partnerët e pandarë gjermanë, edhe me të tjerët. Kështu që do shohim si do shkojë procesi. Por edhe një herë e përsëris, ky është një nder i madh për Shqipërinë. Ky është një moment kur Shqipëria udhëheq OSBE-në, jo thjesht formalisht, por me ide dhe me një lidership që vlerësohet nga të gjithë nga pikëpamja e qasjes, e komunikimit. Dua të përfitoj nga rasti të falënderoj me shumë respekt ambasadorin tonë, që pavarësisht se e shikoja dhe sot, nga pikëpamja e moshës rezulton të jetë më i riu në atë sallë, absolutisht gëzon respektin e të gjithëve dhe bën një punë të shkëlqyer.

Por dhe gjithë skuadrën tonë mikse, me shqiptarë dhe me të huaj, që ambasadori ka ngritur sëbashku me ne të tjerët dhe që absolutisht po vlerësohet në mënyrë maksimale. Kjo është gjëja e rëndësishme për të gjithë ata që flasin për këtë temë dhe dalin jashtë teme duke u marrë me gishtin, kur gishti tregon hënën. Nuk është çështja këtu se çfarë pune kemi ne me Bjellorusinë, kur ne kemi hallet tona. Nuk kemi ardhur këtu për t’i dhënë mend botës, se kështu na erdhi. Ne jemi këtu sepse bota ka zgjedhur të na japë një detyrë. Në këtë detyrë, ne po shkëlqejmë. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe kjo është për Shqipërinë, nuk është për mua" tha ai.


Lajmi kryesor:

Rama mbledh OSBE-në për Bjellorusinë, thirrje Lukashenkos: Prano ofertën për t'ju pajtuar, tre pika i kemi të qarta! Ftesa nuk është refuzuar


  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?