TIRANË- Në radhët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në të gjithë vendin mungojnë 35% e organikës së nevojshme dhe për këtë duhet zgjidhje urgjente. Teksa prezantoi para KLP raportin e vitit 2024, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ngriti shqetësimin për numrin e ulët të prokurorëve, ndërsa nga ana tjetër theksoi se përballen me ngarkesë.
Ndalur në shifra, Çela tha se numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka qenë vetëm 209, që përbën 65% të strukturës organike prej 321 vendesh, pra 112 prokurorë më pak. Në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë në 2024 janë kanë qenë vetëm 185 prokurorë, ose 98 më pak; në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm kanë qenë vetëm 11 nga 20 të parashikuar, dhe në Prokurorinë e Përgjithshme gjithashtu 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë nga 18 të parashikuar.
“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.
Kërkesën për një shesh ndërtimi për një godinë të re Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Cela e përsëriti në raportimin vjetor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat”, theksoi Çela.
Për menaxhimin e çështjeve Kryeprokurori tha se sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve në prokurori, që po mbështetet nga Bashkimi Evropian, pritet të ndihmojë ndjeshëm në këtë drejtim.
“Një tjetër problem mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë e oficerëve të policisë gjyqësore. Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve apo raporte të institucioneve/organizatave monitoruese të të drejtave të njeriut, rezulton se duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale”
Pas raportimit në KLP, Çela tha për mediat se prokuroritë e rretheve kanë vënë në dispozicion të SPAK ambientet e tyre për të koordinuar më mirë punën për luftën kundër krimeve zgjedhore për 11 majin.
Çela bëri me dije se gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61.091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela prezantoi para KLP edhe objektivat e institucionit që ai drejton për vitin 2025.
"Me synim përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë, rritjen e mëtejshme të efektivitetit të ndjekjes penale, ngritjes dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit në procesin penal, prioritetet tona institucionale janë:
1. Ndjekja me efikasitet dhe efiçencë e rekomandimeve në luftën ndaj kriminalitetit duke u fokusuar në mirëfunksionimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të prokurorisë, si dhe në koordinimin dhe bashkërendimin institucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit
2. Vijimi i punës për forcimin e kapaciteteve institucionale për rritjen e eficiencës në veprimtarinë administrative të prokurorisë dhe i kapaciteteve profesionale për rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së prokurorëve dhe policisë gjyqësore në ushtrimin e funksioneve kushtetuese e ligjore.
3. Të vijojë rritja më tej e veprimtarisë mbikëqyrëse për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme të detyrueshme dhe e bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në drejtim të koordinimit të aktiviteteve, shkëmbimit të informacionit, identifikimit të shkeljeve disiplinore apo etike dhe problemeve të performancës së zyrave të prokurorive.
4. Të vijojë rritja më tej e efiçencës së bashkërendimit ndërinstitucional dhe koordinimit me Komisionin e Policisë Gjyqësore dhe me agjencitë ligjzbatuese të përfshira, për forcimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore në strukturat përkatëse të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, me synim rritjen më tej të cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e hetimeve në drejtimet prioritare të luftës kundër kriminalitetit në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.
5. Të vijojë plotësimi/përditësimi i kuadrit nënligjor me qëllim përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut në procesin penal.
6. Të vijojë sigurimin e bashkëpunimit për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes që mundëson dixhitalizimin e plotë të proceseve të punës, gjenerimin e statistikave të plota, të sakta dhe të besueshme në kohë reale, shpërndarjen e çështjeve me short elektronik në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, si dhe çdo kërkesë të nevojshme për një sistem me standarde bashkëkohore.
7. Përdorimi me efektivitet i fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës në prokurori me qëllim sigurimin e aksesit të shtetasve në prokurori, nëpërmjet garantimit të standardeve për intervistimin e miturve dhe viktimave të krimit, si dhe aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara.
8. Rritja e bashkëpunimit dhe transparencës në marrëdhëniet me publikun dhe median, në funksion të informimit të publikut, forcimit të besimit te prokuroria dhe nxitjes së raportimit të krimit.
9. Vijimin e angazhimit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian me përmbushjen e detyrimeve institucionale në luftën kundër kriminalitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.", tha Çela.
I pyetur nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me presionin politik apo mediatik ndaj prokurorëve, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, tha se prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm nuk përballen me problematika të ngjashme me ato të SPAK-ut. Ai theksoi se sot prokurorët gëzojnë mbrojtje të plotë ligjore, fizike dhe institucionale për të ushtruar funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, edhe në kushte presioni.
“Nuk përballen, nuk kanë atë problematika të cështjeve të ngjashme me ato që ka SPAK. Megjithatë do ju jap një përgjigje, se një çështje e tille është ngritur edhe në Komisionin e Ligjeve vjet. Sot prokurorët kanë një nivel mbrojtje në të gjitha aspektet pikërisht për të ushtruar siç duhet funksionet e tyre edhe në kushtet e presionit të çfarëdollojshëm. Kjo mbrojte është ligjore, fizike dhe përmes trajtimit që i bëhet prokurorit në pikëpamje të elementëve të tjerë që kanë pjesë e statusit të trajtimit të prokurorit. Puna jonë është punë që natyrshëm do përballet me çështje të kësaj natyre, e rëndësishme është mënyra se si ne reagojmë. Unë besoj që pavarësisht se çfarë ndodh, prokurori duhet të ushtrojë funksionet e tyre në mënyrën që u kërkohet, qoftë nga Kushtetuta dhe nga ligji. Mekanizmat e tjerë kanë qenë funksion, reagimet e KLP për çdo rast”, tha Olsian Çela.
Para KLP, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shprehu shqetësimin për përdorimin e lartë të masës së sigurisë "arrest me burg", duke theksuar se mungon reflektimi nga prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë për të zbatuar masa alternative.
“Ka një aplikim të ulët të masave të tjera sigurimit, përveç asaj të arrestit me burg, i është kërkuar prokurorive, të ketë një aplikim më të kujdesshëm, më të balancuar. Për këtë qëllim nxorëm edhe një udhëzim të përgjithshëm në korrik dhe u kërkohet që për mënyrën si i vlerësojnë kërkesat për caktim e masave të sigurisë të tregohet kujdes i shytuar dhe të jetë fokusi për caktimin e masave alternative nga jo arrest me burg. Nga prokuroritë pranë Shkallëve të Para nuk e kam gjetur këtë reflektim. Është në të njëjtin nivel, në mos më e lartë se një vit më parë”, tha Çela.
Komente
