Kronikë

Megaoperacion Shqipëri-Itali/ ‘Çmontohet’ grupi kriminal me bazë në Durrës, në kërkim 'Visi i Pojës'! 52 masa sigurie, ekzekutohen 42! Trafik droge me vlerë 7 mln euro (VIDEO)

21 Maj, 08:24| Përditesimi: 21 Maj, 23:47

  • Share

TIRANË- Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, që operonin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Operacioni, i koduar me emrin “Ura” u zhvillua prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe nga 52 masat e sigurisë që janë lëshuar, deri më tani janë ekzekutuar 42 prej tyre. Sa i takon Shqipërisë, GJKKO ka lëshuar 29 masa arrest me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Masat për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Megaoperacioni është zhvilluar në Shqipëri nga SPAK, i cili ka marrë firmën e GJKKO për 29 arreste me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Nga masat për 40 shqiptarë dhe 12 italianë janë gjithsej 49 në burg, 1 arrest shtëpie dhe 2 detyrim paraqitje.

Nga 51 masat e sigurisë dhe një urdhër ndalimi janë ekzekutuar 40, ndërsa mbetet në kërkim  Ervis Doçi, i njohur si ‘Visi i Pojës’, një emër shumë i njohur i botës së krimit në Durrës, të cilit në një operacion një vit më parë, iu gjetën 3 milionë euro cash në shtëpi. Disa pasuri të tij janë sekuestruar.

Në vendimin e gjykatës së Barit, që Report Tv e disponon, janë edhe emra të tjerë të njohur të krimit si Adi Çoba, Ekil Nderjaku, Indrit Tafili etj. Adi Çoba, është në cilësinë e kreut të njërit prej 3 grupeve kriminale, me masë sigurie arrest në burg.

40 janë edhe episodet e trafikimit të kokainës dhe heroinës, të zbardhura falë edhe zbulimit të komunikimeve në SKYECC, në periudhën 2020-2023, ndërsa sipas antimafias italiane ndihmë kanë dhënë edhe 3 bashkëpunëtorë të drejtësisë, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani.

Sa i përket punonjësve të policisë njëri akuzohet për korrupsion si polic kufiri, ndërsa Altin Morina, ish efektivi i arrestuar më herët, si anëtarë i grupit kriminal.

Antimafia italiane thotë se në operacione të mëparshme grupeve i janë sekuestruar 2 ton kokainë në portin e Roterdamit; 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro në Reggio Calabria, dhe 400 kilogramë hashash në Bari.

Autoritetet kanë arritur të dokumentojnë të gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal, që nga Shqipëria shkonte fillimisht në Pulia, pastaj në të gjithë territorin italian e më pas në disa vende evropian dhe në Amerikën e jugut. E reja e këtij hetimi është se janë përdorur në mënyrë të menjëhershme edhe platforma të komunikimit të enkriptuar si SKYECC. Episodet e zbardhura janë 30 në Itali, 10 në Shqipëri dhe vendet të tjera të BE.

Operacioni mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u krye në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit dhe Eurojust-it.

Prokurori i çështjes për Shqipërinë, Vladimir Mara, tha se grupi i struktura kriminal kishte 3 nëndarje që funksionin si më vetë dhe secili kishte rolin e saj, duke përfshirë të gjithë aktivitetin kriminal që niste me trafikun e drogës dhe përfundonte me pastrimin e parave, edhe përmes kriptove.

Skema e transferimit të parave për në Shqipëri është zbardhur totalisht thotë prokurori italian. Janë dokumentuar me video se si paratë futeshin në autobusët e ‘Ligori Travel’ dhe vinin në Shqipëri. Nga provat e siguruara rezulton se janë transferuar 4.5 milionë euro, të gjetura këto edhe nga shënime të mbajtura nga trafikantët dhe të dërguara me foto në celularë përmes skyecc.

Miliona euro pasuri janë sekuestruar si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Në vendin fqinj janë 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina. Ndërsa në Shqipëri janë sekuestruar prona të ndryshme me vlera disa miliona euro përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

 

Ora 18:36
Operacioni 'Ura'/ SPAK jep detajet: Pagesat për drogën kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes linjave të autobusëve, u sollën 4.5 mln euro

Prokuroria e Posaçme ka dalë me deklaratë zyrtare për shkatërrimin e një prej gupeve kriminale dhe 2 nëngrupe të tjera me qendër në Bari Itali, që bënin trafikun ndërkombëtar të drogës në Evropë e deri në Amerikën Latinë. GJKKO dhe Gjykata e Barit konfirmuan 52 masa sigurie, 49 prej të cilave arrest me burg.

Pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përme sautobusëve të ‘Ligori Travel’ dhe vinin në Shqipëri, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro, të gjetura këto edhe nga shënime të mbajtura nga trafikantët dhe të dërguara me foto në celularë përmes SkyECC. Në Shqipëri janë sekuestruar edhe miliona euro pasuri.

Njoftimi i plotë i SPAK

Në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot, më 21 maj 2025, një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. 

Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:

  • 29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;
  • 1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;
  • 22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali. 

Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.

Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.

Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë:

            Në Shqipëri:

  • 2 kompani ndërtimi,
  • 4 shoqëri tregtare dhe restorante,
  • 1 agjenci pasurish të paluajtshme,
  • 1 TV kabllor,
  • automjete luksoze, para cash, etj. 

Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.

Në Itali:

  • 9 apartamente,
  • 4 kompani,
  • 7 llogari bankare,
  • 3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.

Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.

Ora 16:22
Operacioni ‘Ura’/ Karteli italo-shqiptar me 3 organizata, Gjykata e Parisit urdhëroi përgjimet e SKY ECC, një dekadë gjurmime! Mbi 3,5 tonë drogë e trafikuar, blihej me 1 mijë euro kg

Operacioni 'Ura' i organizuar mes Italisë, Shqipërisë, Antimafias së Barit dhe organeve të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare çoi në shkatërrimin e 3 organizatave kriminale të fuqishme të narkotrafikut, mes të cilëve dy italiane dhe një shqiptare.

Janë lëshuar 52 urdhër-arreste, nga të cilat 42 të ekzekutuara, 2 masa detyrim paraqitjeje dhe një në arrest shtëpie.

Por ajo që bie në sy nga detajet e aksionit, nga dosja e Antimafias, është fakti se karteli bëhet përgjegjës për 3,5 tonë drogë heroinë, kokainë, marihuanë dhe hashash të sekuestruar apo trafikuar që nga nisja e hetimeve në vitin 2016, nëpërmjet dekriptimit dhe përgjimit të bisedave telefonike apo mesazheve të shkëmbyera nga rrjeti nëpërmjet platformës së koduar Sky ECC kryesisht, por edhe të tjerave.

Dhe urdhri për këto përgjime është lëshuar jo nga një prej vendeve ku kryhej ky trafik, por nga Gjykata e Parisit në Francë, e cila ka bashkëpunuar me hetimet.

“Një risi e këtij hetimi përfaqësohet nga përdorimi, midis burimeve të provave, i bisedave të koduara nga platforma Sky ecc, të fituara me Urdhra Hetimi Evropian nga Gjykata e Parisit. Mesazhet, pasi u deshifruan nga hetuesit e DIA-s së Barit dhe u ndanë me oficerët e SPAK-ut të Tiranës, u analizuan me kujdes dhe u kryqëzuan me rezultatet e tjera të hetimit, duke lejuar që akuzat për krim të ngriheshin si në DDA të Barit ashtu edhe në Autoritetin Gjyqësor Shqiptar”, informohet për përmbajtjen e dosjes nga mediat italiane.

Një tjetër episod sipas hetimeve, ka qenë pagesa e 500 mijë eurove për një ngarkesë të konsiderueshme kokaine nga Guayaquil në Ekuador (500 kg). Hetimet u intensifikuan mes viteve 2021-2022. Heroina vinte nga Turqia dhe kokaina nga Ekuadori.

“Hetimet komplekse, të kryera me përgjime telefonike, përgjime mjedisore, regjistrime video dhe shërbime vëzhgimi, mbrojtjeje dhe kontrolli, të mbështetura nga ekstrapolimi dhe analiza e bisedave të koduara të marra nga platforma Skyecc, si dhe nga deklaratat e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, thuhet në dosjen hetimore.

Dhe më tej episodi i shit-blerjes:

“Hetuesit kanë rindërtuar gjithashtu disa dërgesa parash për të paguar drogën, të cilat u zhvilluan në Bari, për shuma që tejkalonin gjysmë milioni euro, transferimin e mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria në Amerikën Latine, të cilat do të ishin paguar si paradhënie për blerjen e një sasie prej 500 kilogramësh kokainë të dërguar nga Guayaquil (Ekuador), por edhe episode të dyshuara të abuzimit me detyrën që ndodhën në territorin shqiptar”.

Në Bari ishin ngritur laboratorë artizanalë përgatitjeje të lëndëve narkotike, prerje, ndarje, paketim dhe shitje. Organizata bëhet përgjegjëse për 2 tonë kokainë në portin e Roterdamit (Holandë); 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro (Reggio Calabria); prej 400 kilogramësh Hashish në Noicattaro (Bari), si dhe sasive të tjera të shpërndara me mbi 300 kg.

Operacioni u nis nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Barit dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës, me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.

Masat paraprake kundër 12 italianëve dhe 40 shqiptarëve, të urdhëruar për t'u mbajtur në burg (49), në arrest shtëpiak (1) dhe nën detyrimin për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore (2), u zbatuan, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar, në Shqipëri në qytetet e Durracit, Shkodrës, Tiranës, Fierit, Vlorës, në Itali në Bari dhe provincën e saj, Oria (Br), Matera, Frosinone, Torino, Kozencë, Trent, Komo, Kremona dhe Pomezia (Romë), si dhe në Belgjikë.

Sekuestrimet në Itali:
-9 apartamente
-4 kompani
-7 llogari rrjedhëse
-3 makina
Sekuestrimet në Shqipëri:
-2 kompanive të ndërtimit
-4 restoranteve luksoze
-1 agjencie pasurish të paluajtshme
-1 rrjet televiziv
Ora 14:35
Operacioni ‘Ura’/ Dy efektivët e përfshirë Orges Molla dhe Altin Morina, këtij të fundit iu komunikua masa në paraburgim

1747831011_1743747640altinmorina.jpg

Prokurori Vladimir Mara, gjatë konferencës për mediat me autoritetet italiane, njoftoi se nga hetimet lidhur me operacionin e koduar "Ura" rezultuan të përfshirë edhe dy punonjës policie. Bëhet fjalë për Altin Morinën, i arrestuar në muajin prill në kuadër të operacionit Revanshi, si edhe Orges Molla.

Bëhet me dije se masa e sigurisë i është komunikuar në ambientet e paraburgimit ku ndodhet. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Ekil Nderjakun në trafikun e lëndëve narkotike. Emri i Nderjakut del gjithashtu në dosjen në fjalë, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie. 

 

Ora 13:44
Operacioni Ura/ Report Tv zbardh emrat e 14 shqiptarëve për të cilët u lëshua masë sigurie nga Italia, mes tyre edhe Visi i Pojës dhe Adi Çoba

Report Tv zbardh pjesë nga dosja italiane për operacionin 'Ura'. Zbardhen emrat e 14 shqiptarëve që Italia lëshoi masë sigurie, mes tyre edhe Visi i Pojës. 

Gertin Aliu
Adi Çoba
Ervis Deti
Agron Ganaj
Nuredin Kiptiu
Arsen Leskaj
Erigels Presi
Leonard Shakaj
Zenit Shtraza
Genci Telollari
Redi Tusha
Elvis Doçi
Ekil Nderjaku
Indrit Tafili
Ora 12:52
‘A kanë ndihmuar deklaratat bashkëpunëtorëve të drejtësisë në operacion?’ / Prokurori italian: Ka disa element që na kanë ndihmuar, përfshirë dhe përgjimet

 

Prokurori italia i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv Keti Banushi lidhur me pyetje se sa kanë ndihmuar deklaratat e bashkëpunëtorve të drejtësisë.

Ai  ka thënë se deklaratat e bashkëpunëtorëve kanë ndihmuar në këtë hetim, por kjo sipas tij ka qenë e ndërthurur me disa elementë. Carulli theksoi se janë marrë në konsideratë dhe disa përgjime.

“Deklaratat e bashkëpunëtorëve janë shumë të rëndësishme, sepse na japin një përshkrim nga brenda grupeve dhe përbëjnë gjithmonë në çdo hetim një nga burimet më të çmuara të hetimeve dhe zhvillimet brenda grupeve kriminale. Jo vetëm ndryshimet që gjithnjë i përkasin fenomeneve që zhvillohen ndërkohë, por dhe në terrenet ku kryhet. Edhe rolet që mbulojnë në grupe, me ndryshimet që bëjnë. Edhe rriten në një grup kriminal dhe pastaj edhe mund të rrëzohet. Kjo mund të vijë në mënyrë të menjëhershme dhe ata që bëjnë pjesë në këto grupe. Kjo pastaj bëhet dhe me mjete të tjera, përgjime, bashkëpunime dhe me tregimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.”-tha Carulli. 

Ora 12:40
Pse operacioni u zhvillua pas zgjedhjeve? Ja si përgjigjet Dumani

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në konferencën për mediat bashkë me autoritetet italiane, u pyet edhe pse operacioni u zhvillua në këtë kohë pas zgjedhjeve.

“Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet. Ne veprojmë si skuadër, edhe datën e dakordësojmë së bashku. Kushtëzohemi nga njëri-tjetri në lidhje me dinamikën e hetimit, me marrjen e vendimit nga gjykata si dhe përgatitjen për ekzekutim të masave të sigurimit.

Është një operacion ndërkombëtar. Nuk zhvillohet vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ku edhe tani po bëhen përpjekje për të lokalizuar dhe kapur anëtarë të grupit. Kështu që ajo që është e sigurt është një datë e dakordësuar me policinë italiane dhe Eurojust”, tha Dumani.

Ora 12:34
Operacioni 'Ura', Mara: 2 policë të arrestuar, njëri ishte pjesë e grupit kriminal  

 

Prokurori Vladimir Mara tha se dy efektivë policie rezultian të përfshirë. Njëri prej tyre pjesë e grupit kriminal ndërsa tjetri i përfshirë në një rast korrupsioni. 

 

"2 punonjës të policisë së shtetit të arrestuar, njëri prej me pozicion të rëdnësishëm. Në njërin rast bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe një në policinë kufitare të Durrësit. Sa i përket personave për të cilët janë ekzekutuar masat e sihurimit, roli i tyre është i rendësishëm, organizatorë të këtyre grupeve, kemi pasur edhe nëndarje të këtyre grupeve, por 10 prej tyre, nuk janë ekzekutuar masat e sigurimit. ", tha Mara.

Më pas, ai shtoi se:

"Njëri prej policëve, kishte rol në grupin e strukturuar kriminal. Jemi në fazën e dyshimeve. Ndërsa polici tjetër, kishte rolin e korruptuesit të zyrtarëve. Avokati dyshohet për 4 raste të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm, përfshirë të drejtësisë.", tha ai. 
 

Vladimir Mara tha se dy efektivë policie rezultian të përfshirë. Njëri prej tyre pjesë e grupit kriminal ndërsa tjetri i përfshirë në një rast korrupsioni. 

Ora 12:21
Operacioni 'Ura', prokurori italian tregon ‘skemën’ se si vinin paratë në Shqipëri

Në konferencën me SPAK  lidhur me operacionin Ura, prokurori italian Ettore Cardinali zbërtheu skemën se si anëtarë të këtij grupi kriminal dërgonin paratë në Shqipëri.

“Për sa i përket flukseve të parave kemi arritur bashkë të vëzhgojmë dhe filmojmë kur personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet, për eleminimin e vështirësive në kalimin e kufijve, është arritur me anë të shkëmbimit të informacionit simultane, ka lejuar të kryheshin lokalizime me GPS dhe vëzhgime të vëzhgimit transkufitare. Kemi arritur të shohim se paratë shkonin në shoferët e autobusëve dhe më pas për në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të dhënat e chateve në fotografitë në celular, ku rezultonin  përveç lëndëve narkotike, edhe para. Me paratë e dërguara, kishte edhe letra të shkruara me dorë të të dhënave financiare të grupit. Përmes rindërtimit të të ardhurave për çdo shitje lëndësh narkotike, kemi arritur të sekuestrojmë pasuritë për shumën e barazvlefshme të çdo vepre penale.”, deklaroi ai.

Më tej prokurori Vladimir Mara tha se avokati në Durrës, për të cilin është dhënë masë sigurie, rezulton i përfshirë në disa episode të ushtrimit të drejtësisë.

“Masë sigurimi ndaj një avokati në Durrës, disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. I përket një faze të mëtejme të hetimit për verifikime të tjera. Ndërsa lidhje të drejtësisë me grupet kriminale nuk kemi pasur deri më tani por hetimi do të nxjerrë dhe do të na paraqesë një pamje më të qartë të asaj që ka ndodhur.”, tha ai.  

Ora 12:18
Operacioni 'Ura'/ Mara: Janë ekzekutuar 42 masa sigurie në Itali dhe në Shqipëri! Ka 5 raste zyrtarësh për shpërdorim detyre, pronari i televizonit u zbulua gjatë hetimit

 

Prokurori i SPAK Vladimir Mara i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me masat e sigurisë që janë ekzekutuar.

Nga ana tjetër Mara bëri me dije se janë dhe 5 zyrtarë të përfshirë për shpërdorim detyre.

Mara: "Në Republikën e Shqipërisë janë vendosur 30 masa sigurie të cilat janë arrest me burg. Nga këto në Itali dhe Shqipëri gjithsej janë ekzekutuar 40 masa sigurimi. Kishin aktivitete kriminale nga Amerika Latine, si dhe për një shtetas që kishte një kompani transporti. Janë ekzekutuar 42 masa sigurimi.

(Ndërhyn Dumani)

Dumani: "Ka pasur gjithsej 51 masa sigurimi, janë ekzekutuar 42 masa. Roli i personave që janë në masë sigurie, për 10 prej tyre ende nuk janë ekzekutuar masat, ku janë 5 raste zyrtarësh për shpërdorim detyre."- tha Mara

Nga ana tjetër më pas Mara i është përgjigjur dhe pyetjes së një tjetër gazetari lidhur me detajet mbi hetimin e pronarit të televizionit në Vlorë

"Përgjigjja është një. Krahas hetimit penal dhe ajo që kemi dyshuar na ka çuar në këtë zbulim. Është kapur dhe një televizion në Vlorë i cili është dhe një person i hetuar në kuadër të këtij hetimi penal."-tha Mara. 

 

Ora 12:09
Operacioni ‘Ura’/ Sekuestrohen 3 restorante në Durrës, 1 bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë

Prokurori i SPAK, Vladimir Mara ka folur lidhur me detajet lidhur me operacionin ‘Ura’ të zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Italinë, vende të BE-së dhe Amerikën e Jugut. Mara tha se janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë.

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit të gjithëve për prezencën. Do të mundohem në mënyrë të përmbledhur të jap disa detaje të tjera lidhur me këtë hetim. Siç u relatua më parë, ka qenë një hetim i përbashkët mes prokurorisë italiane dhe SPAK. Janë kryer hetime paralele në Itali dhe Shqipëri dhe janë shkëmbyer të dhëna të përditshme, ku janë kapur disa sasi droge në shtetin italian. Nga antimafia dhe prokuroria e Barit janë marrë të dhëna nga SKY ECC që kanë paraqitur një panoramë të qartë të këtij grupi kriminal dhe kemi arritur të ndërtojmë shtrirjen e këtij aktiviteti kriminal që niste në Puglia, në disa vende të BE-së, Belgjikë, Hollandë dhe në Amerikën e Jugut. E reja në këtë hetim është se, krahas të dhënave nga SKY ECC, janë përdorur edhe të dhëna nga platformat. Janë sekuestruar 30 episode të trafikut në Itali dhe 10 episode në Shqipëri. Është dokumentuar gjithë cikli nga vendet e origjinës dhe, falë analizës së drejtorisë së DIA-s, është arritur të konkludohet i gjithë ky aktivitet kriminal me një vlerë afro 5 milionë euro. Gjej momentin t’i falënderoj autoritetet italiane dhe ne, falë këtij bashkëpunimi, patëm këtë rezultat. Kemi ekzekutuar 52 urdhër-arreste dhe janë hetuar 42 masa sigurie dhe janë evidentuar vepra korruptive në institucionet e Shqipërisë, për zyrtarë shtetërorë dhe për një avokat. Sot janë ekzekutuar vendimet e gjykatës. Janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro në cash, të cilat edhe këto i janë nënshtruar këtij hetimi penal.-tha Mara

Ora 12:05
Operacioni antidrogë me Italinë, Dumani: Qendra e grupit kriminal ishte në Durrës

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se qendra e grupit kriminal të goditur në bashkëpunim me autoritetet italiane, deklaroi se ishte në qytetin e Durrësit. Në konferencën për mediat, ai tha:

“Vlerësimi që bëjmë ne si institucion që është ndër grupet më të rrezikshme ka shumë indikatorë. Grupi ynë i hetimit dhe kolegët italianë konkludojmë se është një nga grupet më të rrezikshme qoftë nga pushteti financiar që kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për t’i shpërndarë në Evropë, kryesisht në Itali dhe pjesë të tjera të Europës.

Qendra e grupit ishte qyteti i Durrësit dhe nëngrupeve. Sa i takon emrave ne nuk japim gjeneralitete të personave që arrestohen edhe në komunikimet që bëjmë në njoftimet për shtyp nuk përmendim gjeneralite. Nuk kemi pse bëjmë përjashtim, qoftë për ata që masa është ekzekutuar dhe për ata që masa nuk është ekzekutuar.”, deklaroi Dumani.

Ora 11:58
Operacioni antidrogë me Italinë, Proda: 349 punonjës policie të përfshirë në aksion

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, lir Proda u shpreh se në operacionin e përbashkët antidrogë me autoritetet italiane janë përfshirë 349 punonjës policie për të zbatuar masat e sigurisë nga GJKKO.

“Siç u bë me dije, dje dhe herët në mëngjes, drejtoria e Përgjithshme dhe strukturat vendore të disa qarqeve janë përfshirë në një operacion të ekzekutimit të  masave të GJKKO. Për të përmendur përmasat e këtij operacioni, duhet të përmend forcat e policisë janë përfshirë në operacion, 349 punonjës policie.

Janë përfshirë disa struktura të policisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme operacionale, drejtoria kundër Krimit të Organizuar, Forcat e Sigurisë Komnbëtare dhe RENEA. Konfirmoj vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të goditur krimin e organizuar”, theksoi Proda.

Ora 11:55
‘Ndoqëm paratë përtej kufirit’, prokurori italian: Bashkëpunimi me SPAK ishte i suksesshëm, nuk pati rrjedhje informacioni

Prokurori italian Ettore Cardinali, në konferencën për mediat me SPAK tha se bashkëpunimi mes autoriteteteve të dy vendeve ishte i suksesshëm dhe nuk pati rrjedhje informacioni.

“Falenderimi i shkon të gjithëve, dhe me kontributin e secilit kemi arritur të ndërtojmë një hetim që shkon përtej kufijve. Çdo gjë nga gjyqtarët, forcat e rendit, shkëmbimi i informacioneve me Eurojust, ekspertët e sigurisë, sigurisht edhe DIA, policia e re gjyqësore në SPAK. Nëse duke punuar bashkë vendosim angazhimin tonë, mund të arrijmë nivele që më parë ishin të vështira për t’u arritur. Gjatë këtyre viteve punë e shkëmbim informacionesh, këshillash mbi harmonizimin e vendimeve, mund të arrijmë të perfeksionojmë hetimet tona, duke përdorur burimet teknologjike, përgjimit dhe burimet e marra nga banka e të dhënave si Eurojust, chatet e sekuestruara më parë, bashkëpunim edhe me vendet e tjera që kanë shfrytëzuar teknologjinë, por edhe me burimet e reja, që afron ligjin italian me atë shqiptar, si bashkëpunëtorët e drejtësisë, që kanë dhënë një kontribut edhe më të madh për hetimin.

Për të arritur te flukset ekonomike, pra për të ndjekur paratë përtej kufijve. Kufijtë nuk janë më pengesë, se ekziston ky bashkëpunim i vazhdueshëm informacionesh, që na ka lejuar të arrijmë platforma të rëndësishme për ekzekutimin e masave të sigurisë, edhe për të luftuar pasuritë me anë të këtyre pajisjeve që krijojnë pasuri të paligjshme. Këto pasuri përbëjnë arsye për të tjerë që kryejnë vepra kriminale. Më pas me sekuestrime. Ne tregojmë se shtetet janë të ndjeshme dhe rikuperojnë edhe frytin e aktiviteteve të paligjshme. Të gjitha të ardhurat e paligjshme të transportuara në Shqipëri u hetuan me anë të një analize të detajuar. Prova e këtij bashkëpunimi është prania jonë këtu sot. Ne kemi vendosur të ndjekim këto masa në Shqipëri dhe Itali e kemi bërë me një ‘regji’ ndërkombëtare, që lejoi të mos përhapeshin informacionet e një hetimi ndaj një tjetër, duke arritur këtë rezultat të mirë që kemi sot.”, tha ai.

 

Ora 11:40
Operacioni ‘Ura’ / Prokurori italian Rossi: Mafia shqiptare është një forcë e madhe në Europë, jemi të bindur se do ta luftojmë këtë ‘kancer’

 

Kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, në konferencën e përbashkët për shtyp së bashku me kreun e SPAK, Altin Dumani, u shpreh se mes institucioneve shqiptare dhe atyre italiane ka pasur një bashkëpunim perfekt. Rossi u shpreh se mafia shqiptare është një forcë e madhe, por që ai shpreh bindjen se aktiviteti i tyre do të hetohet falë bashkëpunimit.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu për luftën kundër mafias që ndajmë me prokurorinë e Barit dhe autoritetet shqiptare. Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë prej 10 vjetësh për të luftuar krimin në Itali dhe Shqipëri. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar janë shumë të afta për kapjen e veprave bashkë me ne. Kjo afërsi dhe kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme. Mafia shqiptare është një forcë e madhe, por jemi të bindur se populli shqiptar do ta luftojë këtë kancer, përmes bashkëpunimit që është perfekt dhe që mund të arrijë këtë objektiv.Për detajet e operacionit do të flasin kolegët e mi dhe këtë afërsi që ndodh mes nesh."- tha Rossi.

Ora 11:35
Operacioni i përbashkët antidrogë, Dumani konferencë me autoritetet italiane: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se është goditur një ndër grupet kriminale më të fuqishme në Shqipëri.

Në konferencën për mediat bashkë me autoritetet italiane, në kuadër të operacionit të përbashkët antidrogë të koduar “Ura”, kreu i Prokurorisë së Posaçme deklaroi:  

“Një hap tjetër të rëndësishëm kundër krimit të organizuar. I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. U godit një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend.”

Ora 11:06
Operacioni ‘Ura’/ Itinerari që përdorej për shpërndarjen e drogës, lënda narkotike e presuar me logot ‘Audi’, ‘Paris’ dhe ‘Leon’! Nga Shqipëria drejt Italisë dërgohej përmes autobusëve

1747818200_operacioniura.jpg

Të tjera detaje mësohen lidhur me operacionin e përbashkët antidrogë mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Lënda narkotike kokainë nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë. Nga aty shpërndahej në qytete të tjera të Italisë, por edhe shtete të tjera të BE. Droga e presuar kishte logo të ndryshme, përfshirë atë të Audi, Paris dhe Leon.

Këto emërtime janë sipas devijacioneve të ndryshme nga ku do të shkonte në destinacion. Ndërkohë, lënda narkotike heroinë dërgohej nga Shqipëria në Itali përmes autobusëve të linjave të Barit dhe jo vetëm, të cilët lëviznin në det përmes trageteve.

E njëjta rrugë përdorej nga autobusët për sjelljen e sasive të mëdha të parave në Shqipëri. Nga kontrollet, përveç lëndës narkotike dhe topave me para, janë gjetur lista ku shënoheshin shumat a parave dhe të shpërndarjes së drogës. Grupi kriminal i goditur i shqiptarëve i kishte rolet e ndara, sipas funksioneve që kryenin, nga porositë tek ata që kalonin lëndën narkotike për në Itali.

Ora 10:15
Operacioni ‘Ura’/ Urdhërarrest edhe për Orgest Mollën dhe Hasan Nerjakun  

1747813061_operacioneura.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se është lëshuar urdhërarrest edhe për Orgest Mollën dhe Hasan Nerjakun, në kuadër të operacionit Ura mes Shqipërisë dhe Italisë. 

Ora 09:16
Operacioni i përbashkët antidrogë Itali-Shqipëri, ndalohet edhe pronari i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”! Dyshohej se transportonte para nga Italia drejt Shqipërisë

1747815322_ligorcombashi.jpg

Megaoperacioni i koduar “Ura” mes autoriteteve shqiptare e italiane është shtrirë edhe në qytetin e Fierit. Mes 52 urdhër-arresteve të lëshuara është edhe Ligor Çombashi, administrator i kompanisë së autobusëve të linjës Shqipëri- Itali, “Ligori Travel” .

Sipas burimeve policore, Çombashi është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Sheq Marinas ndërsa mësohet se nuk është një person i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016, është arrestuar për kotrabandë mallrash në Vlorë.

Burime nga fshati Sheq Marinas bëjnë me dije se Ligor Çombashi e ka nisur aktivitetin e tij pas viteve '90, fillimisht me furgonë dhe njihet si njeri i qetë dhe i respektueshëm.

Dyshohet se Çombashi transportonte shuma parash nga aktivitetet e paligjshme të personave në Itali drejt të afërmve të tyre në Shqipëri.

Ora 09:15
Operacioni Ura/ Në 11:30 Dumani, kryeprokurori i Barit dhe Drejtori i Antimafias italiane japin detajet në konferencë për media

1747646334_altindumani.jpg

Në orën 11:30 në një konferencë të përbashkët për shtyp mbi detajet e operacionit Ura do të jetë kreu i SPAK Altin Dumani e Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani. 

"Së pari uroj të jeni mirë! Në orën 11:30 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me autoritetet italiane për operacionin e përbashkët mbi trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.  Konferenca do të zhvillohet në Sallën e Mbledhjeve të Prokurorisë së Posaçme dhe do t’ju kërkoja të paraqiteni në orën 11:10 qe te mund te hyni dhe te jemi gati per fillimin e perpikte. Për shkak të hapsirave të kufizuara është e pamundur për të pasur me vete kamerat tuaja. Konferenca do të zhvillohet me regji qendrore të RTSH-së nga ku mund të merrni sinjalin ose do t’ju dërgohet nje link, pak para fillimit te konferences. Do të ketë edhe pyetje përgjigje që lidhen vetëm me operacionin", njoftoi SPAK. 

Ora 09:06
Operacioni 'Ura', masë sigurie edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës

1747811786_armandtragaj.jpeg

Detaje të tjera mësohen në lidhje me operacionin e zhvilluar në Shqipëri dhe Itali kundër trafikut të lëndëve narkotike.  

Burime bëjnë të ditur se masë sigurie është dhënë edhe ndaj avokatit Armand Tragaj në Durrës. Tragaj ka qenë ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës.

Ora 09:04
Operacioni ‘Ura’ mes Italisë dhe Shqipërisë/ Urdhër arrest edhe për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës

1747642939_policia.JPG

Në Shqipëri, në kuadër të operacionit të madh antidrogë “Ura” në bashkëpunim me Italinë, është lëshuar urdhër arrest edhe për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës.

Në total janë lëshuar 52 urdhër arreste. Ndërkohë, sipas disa burimeve janë përfshirë avokatë, biznesmenë, policë, zyrtarë si dhe personazhe të botës së krimit.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?