Kronikë
Bota

Megaoperacion Shqipëri- Itali/ ‘Çmontohet’ grupi kriminal me bazë në Durrës, në kërkim 'Visi i Pojës'! 52 urdhërarreste, ekzekutohen 42! Trafik droge me vlerë 7 mln euro (VIDEO)

21 Maj, 08:24| Përditesimi: 21 Maj, 14:07

  • Share

TIRANË- Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, që operonin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Operacioni, i koduar me emrin “Ura” u zhvillua prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe nga 52 masat e sigurisë që janë lëshuar, deri më tani janë ekzekutuar 42 prej tyre. Sa i takon Shqipërisë, GJKKO ka lëshuar 29 masa arrest me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë.

Nga 51 masat e sigurisë dhe një urdhër ndalimi janë ekzekutuar 42, ndërsa 10 persona janë ende në kërkim, mes tyre Ervis Doçi, një emër i njohur i botës së krimit, më herët i dënuar për trafik droge. Visi i Pojës” është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e tij u zhvilluan kontrolle dhe iu sekuestruan 3 mln euro cash ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. 

Hetimet për goditjen e këtij grupi kriminal kanë zgjatur rreth 1 vit dhe gjithçka është zbardhur zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin SkyECC. Po ashtu, një rol shumë të madh në shkatërrimin këtij grupi ka pasur edhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka zbardhur rolet e anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal. Sipas mediave, organizata kishte si drejtues kryesor Xhevdet Troplini. Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë Adi Çoba dhe Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”.

Në total, autoritetet kanë arritur të dokumentojnë 40 episode e trafikimit të kokainës dhe heroinës, 30 episode të sekuestrimit të drogës në Itali dhe 10 episode në Shqipëri e vende të BE. Në total, vlera e trafikut të drogës ka kapur 7 mln euro.

Në një konferencë për mediat, për të dhënë detaje lidhur me operacionin dolën kreu i SPAK, Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani. Dumani deklaroi se është goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend.

“Një hap tjetër të rëndësishëm kundër krimit të organizuar. I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. U godit një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend”, tha Altin Dumani.

Operacioni mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u krye në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit dhe Eurojust-it. 

Po ashtu urdhërarrest është dhënë edhe për administratorin e një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi, edhe për një avokat në Durrës Armand Tragaj, për një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla. Tragaj, rezulton i përfshirë në katër episode të ndikimit të paligjshëm. 

Operacioni antidrogë 'Ura' në Shqipëri dhe Itali është vijim i operacioneve 'Shefi', 'Kulmi' dhe 'Shpirti'. 

SPAK ka sekuestruar 3 restorante në Durrës, 1 bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës. Këto pasuri dyshohet se janë përdorur për pastrimin e të ardhurave nga aktiviteti kriminal.

Lajmi në përditësim...

 

 

 

Ora 13:44
Operacioni Ura/ Report Tv zbardh emrat e 14 shqiptarëve për të cilët u lëshua masë sigurie nga Italia, mes tyre edhe Visi i Pojës dhe Adi Çoba

Report Tv zbardh pjesë nga dosja italiane për operacionin ura. Zbardhen emrat e 14 shqiptarëve që Italia lëshoi masë sigurie, mes tyre edhe Visi i Pojës. 

Gertin Aliu
Adi Çoba
Ervis Deti
Agron Ganaj
Nuredin Kiptiu
Arsen Leskaj
Erigels Presi
Leonard Shakaj
Zenit Shtraza
Genci Telollari
Redi Tusha
Elvis Doçi
Ekil Nderjaku
Indrit Tafili
Ora 12:52
‘A kanë ndihmuar deklaratat bashkëpunëtorëve të drejtësisë në operacion?’ / Prokurori italian: Ka disa element që na kanë ndihmuar, përfshirë dhe përgjimet

 

Prokurori italia i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv Keti Banushi lidhur me pyetje se sa kanë ndihmuar deklaratat e bashkëpunëtorve të drejtësisë.

Ai  ka thënë se deklaratat e bashkëpunëtorëve kanë ndihmuar në këtë hetim, por kjo sipas tij ka qenë e ndërthurur me disa elementë. Carulli theksoi se janë marrë në konsideratë dhe disa përgjime.

“Deklaratat e bashkëpunëtorëve janë shumë të rëndësishme, sepse na japin një përshkrim nga brenda grupeve dhe përbëjnë gjithmonë në çdo hetim një nga burimet më të çmuara të hetimeve dhe zhvillimet brenda grupeve kriminale. Jo vetëm ndryshimet që gjithnjë i përkasin fenomeneve që zhvillohen ndërkohë, por dhe në terrenet ku kryhet. Edhe rolet që mbulojnë në grupe, me ndryshimet që bëjnë. Edhe rriten në një grup kriminal dhe pastaj edhe mund të rrëzohet. Kjo mund të vijë në mënyrë të menjëhershme dhe ata që bëjnë pjesë në këto grupe. Kjo pastaj bëhet dhe me mjete të tjera, përgjime, bashkëpunime dhe me tregimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.”-tha Carulli. 

Ora 12:40
Pse operacioni u zhvillua pas zgjedhjeve? Ja si përgjigjet Dumani

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në konferencën për mediat bashkë me autoritetet italiane, u pyet edhe pse operacioni u zhvillua në këtë kohë pas zgjedhjeve.

“Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet, ne veprojmë si skuadër edhe datën e dakordësojmë së bashku. Kushtëzohemi nga njëri tjetri në lidhje me dinamikën e hetimit, me marrjen e vendimit nga gjykata si dhe përgatitjen për ekzekutim të masave të sigurimit. Është një operacion ndërkombëtar, nuk zhvillohet vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ku edhe tani që po flasim po bëhen përpjekje për të lokalizuar dhe kapur anëtarë të grupit. Kështu që ajo që është e sigurt është një datë e dakordësuar me policinë italiane dhe Eurojust”, tha Dumani.

Ora 12:34
Operacioni 'Ura', Mara: 2 policë të arrestuar, njëri ishte pjesë e grupit kriminal  

 

Prokurori Vladimir Mara tha se dy efektivë policie rezultian të përfshirë. Njëri prej tyre pjesë e grupit kriminal ndërsa tjetri i përfshirë në një rast korrupsioni. 

 

"2 punonjës të policisë së shtetit të arrestuar, njëri prej me pozicion të rëdnësishëm. Në njërin rast bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe një në policinë kufitare të Durrësit. Sa i përket personave për të cilët janë ekzekutuar masat e sihurimit, roli i tyre është i rendësishëm, organizatorë të këtyre grupeve, kemi pasur edhe nëndarje të këtyre grupeve, por 10 prej tyre, nuk janë ekzekutuar masat e sigurimit. ", tha Mara.

Më pas, ai shtoi se:

"Njëri prej policëve, kishte rol në grupin e strukturuar kriminal. Jemi në fazën e dyshimeve. Ndërsa polici tjetër, kishte rolin e korruptuesit të zyrtarëve. Avokati dyshohet për 4 raste të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm, përfshirë të drejtësisë.", tha ai. 
 

Vladimir Mara tha se dy efektivë policie rezultian të përfshirë. Njëri prej tyre pjesë e grupit kriminal ndërsa tjetri i përfshirë në një rast korrupsioni. 

Ora 12:21
Operacioni 'Ura', prokurori italian zbërthen skemën se si vinin paratë në Shqipëri

 

Në konferencën me SPAK lidhur me operacionin Ura, prokurori italian zbërtheu skemën se si anëtarë të këtij grupi dërgonin paratë në Shqipëri.

 

“Për sa i përket flukseve të parave kemi arritur bashkë të vëzhgojmë dhe filmojmë kur personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet, për eleminimin e vështirësive në kufi ka lejuar të kryheshin lokalizime me GPS dhe vëzhgime transkufitare. Kemi arritur të shohim se paratë nga Bari shkonin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të dhënat e chateve në fotografitë në celular kishte përveç lëndëve narkotike edhe para. Kishte edhe letra të shkruara me dorë të të dhënave financiare të grupit. Përmes rindërtimit të të ardhurave për çdo shitje lëndësh narkotike kemi arritur të sekuestrojmë pasuritë për shumën e barazvlefshme të çdo vepre penale.”, deklaroi ai.

 

Më tej prokurori Vladimir Mara tha:

“Masë sigurimi ndaj një avokati në Durrës, disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. I përket një faze të mëtejme të hetimit për verifikime të tjera. Ndërsa lidhje të drejtësisë me grupet kriminale nuk kemi pasur deri më tani por hetimi do të nxjerrë dhe do të na paraqesë një pamje më të qartë të asaj që ka ndodhur.”, tha ai.  

Ora 12:18
Operacioni 'Ura'/ Mara: Janë ekzekutuar 42 masa sigurie në Itali dhe në Shqipëri! Ka 5 raste zyrtarësh për shpërdorim detyre, pronari i televizonit u zbulua gjatë hetimit

 

Prokurori i SPAK Vladimir Mara i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me masat e sigurisë që janë ekzekutuar.

Nga ana tjetër Mara bëri me dije se janë dhe 5 zyrtarë të përfshirë për shpërdorim detyre.

Mara: "Në Republikën e Shqipërisë janë vendosur 30 masa sigurie të cilat janë arrest me burg. Nga këto në Itali dhe Shqipëri gjithsej janë ekzekutuar 40 masa sigurimi. Kishin aktivitete kriminale nga Amerika Latine, si dhe për një shtetas që kishte një kompani transporti. Janë ekzekutuar 42 masa sigurimi.

(Ndërhyn Dumani)

Dumani: "Ka pasur gjithsej 51 masa sigurimi, janë ekzekutuar 42 masa. Roli i personave që janë në masë sigurie, për 10 prej tyre ende nuk janë ekzekutuar masat, ku janë 5 raste zyrtarësh për shpërdorim detyre."- tha Mara

Nga ana tjetër më pas Mara i është përgjigjur dhe pyetjes së një tjetër gazetari lidhur me detajet mbi hetimin e pronarit të televizionit në Vlorë

"Përgjigjja është një. Krahas hetimit penal dhe ajo që kemi dyshuar na ka çuar në këtë zbulim. Është kapur dhe një televizion në Vlorë i cili është dhe një person i hetuar në kuadër të këtij hetimi penal."-tha Mara. 

 

Ora 12:09
Operacioni ‘Ura’/ Sekuestrohen 3 restorante në Durrës, 1 bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë

Prokurori i SPAK, Vladimir Mara ka folur lidhur me detajet lidhur me operacionin ‘Ura’ të zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Italinë, vende të BE-së dhe Amerikën e Jugut. Mara tha se janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë.

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit të gjithëve për prezencën. Do të mundohem në mënyrë të përmbledhur të jap disa detaje të tjera lidhur me këtë hetim. Siç u relatua më parë, ka qenë një hetim i përbashkët mes prokurorisë italiane dhe SPAK. Janë kryer hetime paralele në Itali dhe Shqipëri dhe janë shkëmbyer të dhëna të përditshme, ku janë kapur disa sasi droge në shtetin italian. Nga antimafia dhe prokuroria e Barit janë marrë të dhëna nga SKY ECC që kanë paraqitur një panoramë të qartë të këtij grupi kriminal dhe kemi arritur të ndërtojmë shtrirjen e këtij aktiviteti kriminal që niste në Puglia, në disa vende të BE-së, Belgjikë, Hollandë dhe në Amerikën e Jugut. E reja në këtë hetim është se, krahas të dhënave nga SKY ECC, janë përdorur edhe të dhëna nga platformat. Janë sekuestruar 30 episode të trafikut në Itali dhe 10 episode në Shqipëri. Është dokumentuar gjithë cikli nga vendet e origjinës dhe, falë analizës së drejtorisë së DIA-s, është arritur të konkludohet i gjithë ky aktivitet kriminal me një vlerë afro 5 milionë euro. Gjej momentin t’i falënderoj autoritetet italiane dhe ne, falë këtij bashkëpunimi, patëm këtë rezultat. Kemi ekzekutuar 52 urdhër-arreste dhe janë hetuar 42 masa sigurie dhe janë evidentuar vepra korruptive në institucionet e Shqipërisë, për zyrtarë shtetërorë dhe për një avokat. Sot janë ekzekutuar vendimet e gjykatës. Janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro në cash, të cilat edhe këto i janë nënshtruar këtij hetimi penal.-tha Mara

Ora 12:05
Operacioni antidrogë me Italinë, Dumani: Qendra e grupit kriminal ishte në Durrës

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se qendra e grupit kriminal ishte në qytetin e Durrësit.

“Vlerësimi që bëjmë ne si institucion që është ndër grupet më të rrezikshme ka shumë indikatorë. Grupi ynë i hetimit dhe kolegët italianë konkludojmë se është një nga grupet më të rrezikshme qoftë nga pushteti financiar që kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për ti shpërndarë në Evropë, kryesisht në Italisë e vende të tjera të Europës.

Qendra e grupit ishte qytetit i Durrësit dhe nëngrupeve, sa i takon emrave ne nuk japim gjeneralitete të personave që arrestohen edhe në komunikimet që bëjmë në njoftimet për shtyp nuk përmendim gjeneralite, s’kemi pse bëjmë përjashtim, qoftë për ata që masa është ekzekutuar dhe për ata që masa nuk është ekzekutuar.

Ora 11:58
Operacioni antidrogë me Italinë, Proda: 349 punonjës policie të përfshirë në aksion

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, lir Proda u shpreh se janë ekzekutuar disa masa arresti.

“Forcat e policisë janë përfshirë në operacion të ekzekutimit të masave nga Gjykata e Posaçme. Rreth 349 punonjës policie janë përfshirë në operacion. Konfirmoj vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të goditur krimin e organizuar”, theksoi Proda.

 

 

Ora 11:55
‘Ndoqëm paratë përtej kufirit’, prokurori italian: Bashkëpunimi me SPAK i suksesshëm, nuk patëm rrjedhje informacioni

Prokurori italian Ettore Cardinali tha se bashkëpunimi me SPAK ishte i suksesshëm dhe nuk pati rrjedhje informacioni.

“Falenderimi i shkon të gjithëve, dhe me kontributin e secilit kemi arritur të ndërtojmë një hetim që shkon përtej kufijve. Çdo gjë nga gjyqtarët, forcat e rendit, shkëmbimi informacioneve, DIA, policia e re gjyqësore në SPAK, nëse duke punuar bashkë vendosim angazhimin tonë, mund të arrijmë nivele që më parë ishin të vështira për tu arrirë. Në këto vite bashkëpunim, mund të arrijmë të perfeksionojmë arritjet tona.

Çdo gjë që vjen, si edhe burimet e marra nga Eurojust, dhe bashkëpunimet edhe me vendet e tjera, por edhe me burime të reja, që afron ligjin italian me atë shqiptar si bashkëpunëtorët e drejtësisë, kanë dhënë një kontribut edhe më të madh për hetimin. Për të arritur te flukset ekonomike, pra për të ndjekur paratë përtej kufijve. Kufijtë nuk janë më pengesë se ekziston ky bashkëpunim që na ka lejuar edhe të sekuestrojmë pasuri që janë krijuar në mënyrë të paligjshme.

Të gjitha të ardhurat e paligjshme të transportuara në Shqipëri u hetuan me anë të një analize të detajuar. Prova e këtij bashkëpunimi është prania jonë këtu sot. Ne kemi vendosur të ndjekim këto masa në Shqipëri dhe Itali e kemi bërë me një regji ndërkombëtare që lejoi të mos përhapeshin informacionet. Ndajmë të njëjtat rezultate sepse jemi një skuadër e përbashkët që me kohën po perfeksionohet”, tha ai.

Ora 11:40
Operacioni ‘Ura’ / Prokurori italian Rossi: Mafia shqiptare është një forcë e madhe në Europë, jemi të bindur se do ta luftojmë këtë ‘kancer’

 

Kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, në konferencën e përbashkët për shtyp së bashku me kreun e SPAK, Altin Dumani, u shpreh se mes institucioneve shqiptare dhe atyre italiane ka pasur një bashkëpunim perfekt. Rossi u shpreh se mafia shqiptare është një forcë e madhe, por që ai shpreh bindjen se aktiviteti i tyre do të hetohet falë bashkëpunimit.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu për luftën kundër mafias që ndajmë me prokurorinë e Barit dhe autoritetet shqiptare. Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë prej 10 vjetësh për të luftuar krimin në Itali dhe Shqipëri. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar janë shumë të afta për kapjen e veprave bashkë me ne. Kjo afërsi dhe kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme. Mafia shqiptare është një forcë e madhe, por jemi të bindur se populli shqiptar do ta luftojë këtë kancer, përmes bashkëpunimit që është perfekt dhe që mund të arrijë këtë objektiv.Për detajet e operacionit do të flasin kolegët e mi dhe këtë afërsi që ndodh mes nesh."- tha Rossi.

Ora 11:35
Operacioni i përbashkët antidrogë, Dumani konferencë me autoritetet italiane: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se është goditur një ndër grupet kriminale më të fuqishme në Shqipëri.

Në konferencën për mediat bashkë me autoritetet italiane, në kuadër të operacionit të përbashkët antidrogë të koduar “Ura”, kreu i Prokurorisë së Posaçme deklaroi:  

“Një hap tjetër të rëndësishëm kundër krimit të organizuar. I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. U godit një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend.”

Ora 11:06
Operacioni ‘Ura’/ Itinerari që përdorej për shpërndarjen e drogës, lënda narkotike e presuar me logot ‘Audi’, ‘Paris’ dhe ‘Leon’! Nga Shqipëria drejt Italisë dërgohej përmes autobusëve

1747818200_operacioniura.jpg

Të tjera detaje mësohen lidhur me operacionin e përbashkët antidrogë mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Lënda narkotike kokainë nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë. Nga aty shpërndahej në qytete të tjera të Italisë, por edhe shtete të tjera të BE. Droga e presuar kishte logo të ndryshme, përfshirë atë të Audi, Paris dhe Leon.

Këto emërtime janë sipas devijacioneve të ndryshme nga ku do të shkonte në destinacion. Ndërkohë, lënda narkotike heroinë dërgohej nga Shqipëria në Itali përmes autobusëve të linjave të Barit dhe jo vetëm, të cilët lëviznin në det përmes trageteve.

E njëjta rrugë përdorej nga autobusët për sjelljen e sasive të mëdha të parave në Shqipëri. Nga kontrollet, përveç lëndës narkotike dhe topave me para, janë gjetur lista ku shënoheshin shumat a parave dhe të shpërndarjes së drogës. Grupi kriminal i goditur i shqiptarëve i kishte rolet e ndara, sipas funksioneve që kryenin, nga porositë tek ata që kalonin lëndën narkotike për në Itali.

Ora 10:15
Operacioni ‘Ura’/ Urdhërarrest edhe për Orgest Mollën dhe Hasan Nerjakun  

1747813061_operacioneura.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se është lëshuar urdhërarrest edhe për Orgest Mollën dhe Hasan Nerjakun, në kuadër të operacionit Ura mes Shqipërisë dhe Italisë. 

Ora 09:16
Operacioni i përbashkët antidrogë Itali-Shqipëri, ndalohet edhe pronari i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”! Dyshohej se transportonte para nga Italia drejt Shqipërisë

1747815322_ligorcombashi.jpg

Megaoperacioni i koduar “Ura” mes autoriteteve shqiptare e italiane është shtrirë edhe në qytetin e Fierit. Mes 52 urdhër-arresteve të lëshuara është edhe Ligor Çombashi, administrator i kompanisë së autobusëve të linjës Shqipëri- Itali, “Ligori Travel” .

Sipas burimeve policore, Çombashi është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Sheq Marinas ndërsa mësohet se nuk është një person i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016, është arrestuar për kotrabandë mallrash në Vlorë.

Burime nga fshati Sheq Marinas bëjnë me dije se Ligor Çombashi e ka nisur aktivitetin e tij pas viteve '90, fillimisht me furgonë dhe njihet si njeri i qetë dhe i respektueshëm.

Dyshohet se Çombashi transportonte shuma parash nga aktivitetet e paligjshme të personave në Itali drejt të afërmve të tyre në Shqipëri.

Ora 09:15
Operacioni Ura/ Në 11:30 Dumani, kryeprokurori i Barit dhe Drejtori i Antimafias italiane japin detajet në konferencë për media

1747646334_altindumani.jpg

Në orën 11:30 në një konferencë të përbashkët për shtyp mbi detajet e operacionit Ura do të jetë kreu i SPAK Altin Dumani e Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani. 

"Së pari uroj të jeni mirë! Në orën 11:30 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me autoritetet italiane për operacionin e përbashkët mbi trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.  Konferenca do të zhvillohet në Sallën e Mbledhjeve të Prokurorisë së Posaçme dhe do t’ju kërkoja të paraqiteni në orën 11:10 qe te mund te hyni dhe te jemi gati per fillimin e perpikte. Për shkak të hapsirave të kufizuara është e pamundur për të pasur me vete kamerat tuaja. Konferenca do të zhvillohet me regji qendrore të RTSH-së nga ku mund të merrni sinjalin ose do t’ju dërgohet nje link, pak para fillimit te konferences. Do të ketë edhe pyetje përgjigje që lidhen vetëm me operacionin", njoftoi SPAK. 

Ora 09:06
Operacioni 'Ura', masë sigurie edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës

1747811786_armandtragaj.jpeg

Detaje të tjera mësohen në lidhje me operacionin e zhvilluar në Shqipëri dhe Itali kundër trafikut të lëndëve narkotike.  

Burime bëjnë të ditur se masë sigurie është dhënë edhe ndaj avokatit Armand Tragaj në Durrës. Tragaj ka qenë ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës.

Ora 09:04
Operacioni ‘Ura’ mes Italisë dhe Shqipërisë/ Urdhër arrest edhe për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës

1747642939_policia.JPG

Në Shqipëri, në kuadër të operacionit të madh antidrogë “Ura” në bashkëpunim me Italinë, është lëshuar urdhër arrest edhe për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës.

Në total janë lëshuar 52 urdhër arreste. Ndërkohë, sipas disa burimeve janë përfshirë avokatë, biznesmenë, policë, zyrtarë si dhe personazhe të botës së krimit.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?