Kronikë

Arrestohet Xhevdet Plaku dhe 6 të tjerë në Durrës, ‘Akili’ ishte arratisur nga burgu në Itali! U kapën në restorant të armatosur (VIDEO)

23 Maj, 09:55| Përditesimi: 23 Maj, 18:01

  • Share

I arratisuri nga burgu italian, Xhevdet Plaku në shoqërinë e të shumëkërkuarit, Flobenc Meçja, vëllezërve në kërkim, Voltan dhe Jugert Xhani, u arrestuan duke drekuar në Gjirin e Lalzit. Bashkë me ta, në pranga ranë Alfred Hasanaj, Fatjon Qesja e Oltion Hasani, të akuzuar për moskallëzim krimi. Në pamjet e superoperacionit policor, dallohet që ata kapen me bukë në gojë, ndërsa pistoletat i mbanin në tavoline gati për qitje. Policia kishte një informacion në rrugë operative dhe ia behu në restorant, duke i zënë mat 7 personat e akuzuar per ngjarje te ndryshme kriminale.

“Operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “Enigma, gjatë të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 shtetas me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të cilat këta shtetas i mbanin me vete, me fishekë në fole gati për qitje”, tha Vilson Bala. 

Xhevdet Plaku që njihet me nofkën “Kiss” nga Durrësi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është arratisur nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti. 45-vjecari ishte dënuar në shtetin fqinj për trafik droge. Ndërsa Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. 43 -vjecari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje.

Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024. Policia thotë se 39 vjecari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim. Dy vëllezerit, sipas të dhënave në QKR, janë pronarë të disa bizneseve.

Dyshohet se motivi i vrasjes së Rroshkodolit është përplasja për trafikun e drogës në Holande dhe Belgjikë. Më herët për këtë ngjarje është arrestuar nga policia e Shkodrës dhe Xhulio Malo, 26 vjeç. Ndërsa makina e përdorur në krim është gjetur asokohe e çmontuar në një servis në Mullet.

 7 TË ARRESTUARIT NË GJIRIN E LALZIT
Xhevdet Plaku
Flobenc Meçja
Voltan Xhani
Jugert Xhani
Fatjon Qesja
Oltion Hasani
Alfred Hasanaj

 Në përditësim...

Ora 11:25
Kush është Flobenc Meçia që u arrestua në Durrës! Franc Çopja i ofroi 5 mln euro për kokën e ‘Krymit’, u ‘tradhtua’ nga bisedat në Sky Ecc

1747990577_voltanxhani.jpg

Flobens Meçja nga Shkodra, i njohur edhe me dy mbiemrat Gega dhe Drini, ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i artë”. 45-vjeçari nga Shkodra u arrestua në një operacion nga policia e Durrësit, teksa po drekonte me Xhevdet Plakun dhe pesë të tjerë në një restorant në Gjirin e Lalzit.

Mësohet se Meçjas i janë ofruar 5 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt, i njohur me nofkën Krymi. Emrin i tij del në disa biseda në SkyEcc me Franc Çopjan, i cili i ofron 5 milion euro për vrasjen e Erion Alibejt, i njohur me nofkën “Krymi”. Gjithashtu i ofron nga 1 milion euro për vrasjen e personave Arjan Spahiu, Aldo Baho dhe Ilir Lloshi, ku Flobenc Meçia është shprehur i gatshëm të kryejë vrasjet në fjalë.

Policia e Durrësit, në deklaratën për mediat sot, tha se ndaj 45-vjeçarit, GJKKO ka dhënë në muajin korrik 2024 masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje.

Ora 11:12
Operacioni në Durrës/ Mes të arrestuarve edhe Voltan dhe Jugert Xhani, dy vëllezërit dyshohen për organizim dhe sigurim kushtesh për vrasjen e Elis Roshkodolit në Shkodër

1747992261_momentiiop.JPG

Dy nga të arrestuarit në Durrës, vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani, akuzohen se për sigurim kushtesh dhe përkrahje të autorit në lidhje me vrasjen e Elis Roshkodolit në Shkodër në gusht të vitit 2024

Policia tha se Voltan Xhani, 39-vjeç, ishte në kërkim pasi në shtator të vitit të kaluar, gjykata e Shkodrës kishte dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit Elis Rroshkodolit.

Ndërsa ndaj të vëllait Jugert Xhani, 35 vjeç, rëndojnë akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak”.

Dy vëllezërve, gjatë momentit që u arrestuan teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit, iu gjetën edhe nga një armë zjarri pistoletë.

Ora 11:02
VIDEO/ ‘Policia barkas...’, momenti ku efektivët ‘mësyjnë’ në restorantin ku po drekonte Xhevdet Plaku dhe 6 të tjerët

 

Ky është momenti ky policia “mësyn” në restorantin në Gjirin e Lalzit, ku po drekonin shtatë personat që ranë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Enigma”.

Mes të arrestuarve është edhe Xhevdet Plaku, i njohur ndryshe edhe si Akili, me 25 identitete, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arrest nga autoritetet italiane pasi ishte arratisur nga burgu i Ankonës, ku po vuante dënimin për trafik lëndësh narkotike.

Të arrestuarit e tjerë  janë Flobens Mecia alias Gega alias Drini, Voltan Xhani, Jugert Xhani, Oltion Hasani, Fatjon Qesja  dhe Alfred Hasanaj.  Disa prej tyre, në momentin e ndalimit, ishin edhe të armatosur.  

Ora 10:20
U arrestua në Durrës pas arratisjes nga burgu i Ankonës, kush është Xhevdet Plaku, i njohur si ‘Akili’! Zbërthimi i Sky Ecc zbuloi planin për t'i bërë atentat në 2019 dhe kreu i një bande droge

1747988538_xhevdetplaku.jpg

Xhevdet Plaku, një person me rrezikshmëri të lartë është arrestuar në qytetin e Durrësit, pas arratisjes nga një burg në Ankona të Italisë ku vuante dënimin për trafik droge. I njohur i ‘Akili’, Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ai është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. 

Akili njihet edhe si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilin e drejtonte nga Amsterdami dhe pakove iu vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda. Zakonisht emra të markave të shtrenjtave të drogës duke nënkuptuar cilësinë e lartë të saj. “Hermes” ishte kokaina më e pastër e më pas vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’.   Emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i krimeve të Komisariatit nr. 6 Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.

Zbardhja e përgjimeve të Sky ECC zbuluan se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019. Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllait të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.

Xhevdet Plaku nuk është një kriminel i zakonshëm. Ai ka një emër në botën e krimit. Ka dy vrasje pas tij. E para ka ndodhur në vitin 2000, kur vrau Sali Rapin, vëllain e Rexhep Rapit në Borghetto Santo Spirito, në provincën e Savonës. Një ekzekutim gjakftohtë me një plumb në kokë  si pjesë e një grindjeje mes bandash, shkruan corriere. 

Vrasja e dytë ka ndodhur tre vjet më vonë, në Durrës, ku ishte kthyer për të jetuar. Në vitin 2019, tentuan ta vrisnin ndoshta për të hakmarrë ndaj Rapit, por sulmi nuk u realizua kurrë.

Ora 10:11
U kapën në një restorant, kush janë 7 të arrestuarit në Durrës, 3 me rrezikshmëri të lartë shoqërore! Mes tyre edhe Xhevdet Plaku

 

Drejtori i Policisë Vendore të Durrësit, Vilson Bala, në një konferencë për mediat, bëri me dije se 7 persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Enigma”. Ndalimi i disa prej tyre u bë i mundur në një restorant në Gjirin e Lalzit. Mes të arrestuarve janë edhe Xhevdet Plaku, Flobens Mecia, Voltan Xhani, Jugert Xhani.

Xhevdet Plaku, i njohur edhe me nofkën “Akili”, u arratis në janar të këtij viti në burgun e Ankokas në Itali, ku po vuante dënimin për trafik droge. Atij iu gjet një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.  Në pranga ka rënë edhe Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43-vjeç, Voltan Xhani, 39-vjeç, dhe Jugert Xhani, 35-vjeç

“Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje; 

Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë,  pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;

Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;

O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

F. Q., 36 vjeç,  banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.” 

Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera. “, njoftoi policia.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?