Ambasadorja Yuri Kim

Kronikë

Operacioni i SPAK, Yuri Kim: Abuzimi me tenderat, vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë e atyre amerikanë! PD: U dekonspirua, Ministria e Brendshme u njoftua 3 ditë më parë

10 Korrik 2021, 12:27| Përditesimi: 10 Korrik 2021, 14:53

  • Share

'Vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë' e ka konsideruar ambasadorja e SHBA, Yuri Kim abuzimin me tenderat, në një reagim që vjen pas operacionit antikorrupsion të SPAK në Ministrinë e Brendshme.

Me një postim në Twitter, teksa përgëzon SPAK për punën, Kim shkruan se abuzimi me prokurimet publike është krim, njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët 'përfshirë ata amerikanë taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë'.

"Mirë të shohësh më shumë veprime të SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik është njëlloj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë shtetasit amerikanë taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë) për të majmur kuletat e vetes ose të 'miqve' të tyre. Është një krim", shkruan Kim.

Ndërkaq, në lidhje me operacionin ka reaguar edhe PD, duke akuzuar se ai u dekonspirua dhe se Ministri ae Brendshme u njoftua 3 ditë më parë, duke i dhënë mundësi personave të përfshirë në aferë që të fshijnë provat.

SPAK 'mësyu' sot në Ministrinë e Brendshme, ku u arrestuan 8 zyrtarë e ish-zyrtarë, ndërsa u la në 'arrest shtëpie' një tjetër, të akuzuar se kanë abuzuar në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, me vlerë 2.8 miliardë lekë.

Mes personave të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë.

SPAK 'zbërtheu' skemën e abuzimit me tenderin nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ndërsa rezultoi se Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit.  Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.

Në pranga ranë anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në 'arrest shtëpie' Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. 

Postimi i Ambasadores Yuri Kim

Ora 14:51
Denoncoi tenderin para një viti, Halit Valteri reagon pas operacionit të SPAK, 'thumbon Bashën: Kur ti Lul ndaje milionat me oligarkët, ne bënim opozitën! S'ka mbaruar ende

Ish-deputeti Halit Valteri, i cili denoncoi një vit më parë tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, ka reaguar pas operacionit të SPAK në Ministrinë e Brendshme ditën e sotme.

Me një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe raportimin e gazetarit të 'Report Tv', Arsen Rustës në lidhje me ngjarjen, Valteri përgëzon SPAK për punën, ndërsa nuk le 'thumbuar' as opozitën.

Valteri i drejtohet Bashës ndërsa i thotë se kur 'opozita shpk e Lulit ndante milionat me oligarkët, ne opozita tjetër bënim punën për të cilën paguheshim'.

"Kur Opozita shpk e Lulit ndante milionat me oligarkët për t'i mbyllur gojën , ne Opozita tjetër bënim punën për çfarë paguhemi nga buxheti i shtetit ! Bravo SPAK , që me profesionalizëm dhe përkushtim  arritët të çoni para drejtësisë një pjesë të nënpunësve me stomak ! S'ka mbaruar akoma 5 dosje te tjera janë në duart e prokurorëve të SPAK. Pushime të mbara Lul dhe kujdes se një nga këto të 5-ta e ka kunati shokut xhemal", shkruan Valteri.

 

Ora 14:01
Operacioni i SPAK, reagon PD: U dekonspirua, Ministria e Brendshme u njoftua tre ditë më parë! Të përfshirëve iu dha mundësia për të fshehur provat

 

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me aksionin anti-korrupsion të SPAK në Ministrinë e Brendshme, në lidhje me abuzimin me tenderin për uniformat e Policisë. Me një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj, akuzon se ky operacion i SPAK u dekonspirua dhe se Ministria e Brendshme u njoftua 3 ditë më parë, duke i dhënë kohë personave të përfshirë në këtë aferë, që të kenë mundësi të fshijnë provat.

Alibeaj shtoi se goditja e kësaj afere nuk mund të konsiderohet e plotë, nëse drejtësia nuk troket tek dera e Plarent Ndrecës, Sandër Lleshaj dhe Edi Ramës.

"Sot, edhe njëherë, koha i dha të drejtë Partisë Demokratike në betejën në mbrojtje të interesit publik.

Dy vite më parë, nga kjo foltore, ne kemi denoncuar aferën korruptive që fshihej pas tenderit të Ministrisë së Brendshëm për unifromat e policisë.

Atë kohë Sandër Lleshaj tha se ne po shpifnim dhe se nuk njihnim ligjin në fuqi.

Madje, ministri i Ramës, që  ka shpenzuar 350 euro nga taksat e shqiptarëve për një kapele, shkoi deri aty sa të padisë Partinë Demokratike për shpifje, duke kërkuar përgënjeshtrim të deklaratës dhe shpërblim me shumën 1 milionë lekë nga Partia Demokratike.

Paradoksalisht, teksa e vërteta po shpaloset përpara shqiptarëve, gjyqi i ngritur nga ata që vodhën miliona euro me një tender, vazhdon.

Sjellja në kujtesë e momentit të parë të denoncimit të kësaj afere, është një ilustrim i domosdoshëm për të kuptuar jo vetëm pafytyrësinë e atyre që teksa vjedhin kërkojnë të mbyllin gojën e opozitës me gjyqe propagandistike, por edhe shënjestrën e vërtetë që duhet të ketë ky aksion.

Sigurisht cdo person që shkel ligjin duhet të dalë përpara drejtësisë një orë e më parë, por është e qartë për të gjithë shqiptarët se një aferë e këtyre përmasave nuk mund të kryehet nga zyrtarë të dorës së dytë.

Partia Demokratike është dijeni për faktin që Ministria e Brendshme është njoftuar për këtë operacion tre ditë më parë, duke u dhënë të përfshirëve në këtë aferë të gjitha mundësitë për të fshehur provat.

Ndërsa Edlira Naqellari, drejtoresha e prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, e njohur si një person pranë Ramës dhe e emëruar në këtë post prej tij,  u largua nga ky pozicion vetëm 8 ditë më parë.

Të gjitha këto përbëjnë këmbana të forta alarmi për dekonsiprimin e operacionit, nëpërmjet të cilit përgjegjësia për milionat e vjedhura të mos mbërrijë në nivelet më të larta të qeverisë.

Kjo është e pafalshme!

Sepse nuk ka shqiptar që të mos dijë se një operacion korruptiv të këtyre përmasave, nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Edi Ramës.

Goditja e kësaj afere nuk mund të konsiderohet e plotë, nëse drejtësia nuk troket te dera e Plarent Ndrecës, Sandër Lleshaj dhe Edi Ramës.

Kthimi i Shqipërisë në një shtet të kapur nga korrupsioni, sikurse dëshmojnë raportet e shumta ndërkombëtare, ka vetëm një përgjegjës. Shqiptarët që varfërohen përditë nga ky regjim i korruptuar e dinë se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama.

Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka!", tha Alibeaj.

 

Komento

Komente

  • Like: 10/07/2021 14:22

    O shoku enkel abibe doni te mbuloni vjedhjet dhe shkaterrimet qe i jane bere kesaj Shqiperie qe prej 30 vjetesh. Te gjithe keni vjedhur leket e popullit duke filluar nga like injoranti e kokemadhi, mona surrat kali,salqeni e lulka. Te gjithe e keni vendin ne biruce dhe sa me shpejte tju konfiskohen pasurite qe kane vene ne kurriz te popullit te varfer. Dole e fole per te mbrojtur zagaret e tu po mos ki merak e kane radhen heres tjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?