ROMË- Shqiptari i kërkuar nga Antimafia e Barit zbulohet i fshehur në Belgjikë dhe arrestohet për llogari të Italisë.
Operacioni është kryer më shumë se një javë më parë, por është njoftuar sot në mediat e vendit fqinj, pikërisht në ditën e dorëzimit të tij me proces deportimi nga Arlon në Belgjikë, te agjentët e FAST Italia.
Shqiptari ishte i kërkuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “URA”, teksa iu është dorëzuar autoriteteve italiane ditën e sotme në aeroport.
Ai është pjesë e listës me 52 emra të arrestuarisht, të kërkuarish dhe akuzuarish të Antimafias së Barit, për 4 organizatat kriminale që përbënin një kartel të fuqishëm droge, ku tre ishin italiane dhe një shqiptare.
Arrestime u bënë edhe nga SPAK-u, në bashkëpunim me autoritetet italiane në Shqipëri, teksa u zbardhën detaje për aktivitetin kriminal të trafikimit të tonelatave me kokainë nga Amerika Latine, si Kili dhe Ekuadori, blerjen e tyre deri edhe me kriptomonedha, dërgimin e fitimeve me anë të autobusëve nga Italia në Shqipëri dhe investimin në biznese.
“Operacioni, i koordinuar nga DIA e Barit në sinergji me autoritetet shqiptare, është pjesë e një hetimi më të gjerë që ka çuar tashmë në lëshimin e 52 urdhrave të paraburgimit paraprak të lëshuar nga GIP i Barit me kërkesë të Drejtorisë lokale të Antimafias së Qarkut (një hetim i kryer në fazën e hetimit paraprak i cili kërkon verifikim procedural të mëvonshëm në marrjen në pyetje me mbrojtjen)”, raporton media e vendit fqinj, kurse emri i të ndaluarit nuk u bë i ditur.
Në aksionin e kapjes së shqiptarit në Belgjikë bëhet me dije se morën pjesë edhe agjentë nga Luksemburgu.
Aktiviteti hetimor transnacional, që synonte gjetjen dhe kapjen e të riut, i lejoi Ekipit FAST të Luksemburgut të kryente një aktivitet ndjekjeje deri në kufirin me Belgjikën, ku shqiptari i kërkuar u gjurmua mbrëmjen e 20 majit.
Në Shqipëri u kryen të paktën 9 arrestime, për të cilët GJKKO ka dhënë edhe masat e sigurisë me burg, teksa SPAK dhe Antimafia e Barit dolën në një konferencë për shtyp.
Organizata sipas përgjimeve dhe zbërthimit të platformës së koduar Sky ECC drejtohej në Shqipëri ku kishte bazën në Durrës nga ‘grupi i Troplinëve’, teksa kokat e tij akuzohen Adi Çoba, i thirrur edhe si 'Bisha" dhe Elvis Doçi, nipi i Troplinëve të Durrësit, i thirrur edhe 'Visi i Pojës', si dhe të tjerë.
Në organizatën shqiptare akuzohen të përfshirë edhe dy oficerë policie, njëri prej të cilëve Altin Morina, i arrestuar më parë. SPAK zbërtheu komunikimet mes anëtarëve të grupit, përfshi edhe policët, në ndërmjetësimin, blerjen, transportimin, shitjen dhe zgjidhjen e problemeve të trafikimit.
Organizata akuzohet për trafikun e kokainës me vlerë mbi 7 milionë euro dhe operacioni mori udhë prej 20 majit. Nga 52 fletë-arresti në total u ekzekutuan 42 prej tyre, kurse SPAK në Shqipëri njoftoi se ka prerë 14 prej këtyre fletë-arresteve, teksa të dyshuar janë 29 të tillë. 49 nga masat janë me "arrest në burg".
Detajet e operacionit 'Ura': 52 fletë-arresti, 42 të ekzekutuara, 49 masa 'arrest me burg', 40 shqiptarë
Megaoperacioni është zhvilluar në Shqipëri nga SPAK, i cili ka marrë firmën e GJKKO për 29 arreste me burg, të cilat përveç anëtarëve të grupit kriminal kanë shkuar edhe për policë, avokat, pronar biznesesh dhe zyrtarë të tjerë. Nga masat për 40 shqiptarë dhe 12 italianë.
Në vendimin e gjykatës së Barit, që Report Tv e disponon, janë edhe emra të tjerë të njohur të krimit si Adi Çoba, Ekil Nderjaku, Indrit Tafili etj. Adi Çoba, është në cilësinë e kreut të njërit prej 3 grupeve kriminale, me masë sigurie arrest në burg.
40 janë edhe episodet e trafikimit të kokainës dhe heroinës, të zbardhura falë edhe zbulimit të komunikimeve në SKYECC, në periudhën 2020-2023, ndërsa sipas antimafias italiane ndihmë kanë dhënë edhe 3 bashkëpunëtorë të drejtësisë, mes të cilëve edhe Nuredin Dumani.
Antimafia italiane thotë se në operacione të mëparshme grupeve i janë sekuestruar 2 ton kokainë në portin e Roterdamit; 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro në Reggio Calabria, dhe 400 kilogramë hashash në Bari.
Miliona euro pasuri janë sekuestruar si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Në vendin fqinj janë 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina. Ndërsa në Shqipëri janë sekuestruar prona të ndryshme me vlera disa miliona euro përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Policia belge arrestoi më 21 maj një shqiptar të kërkuar në kuadër të maksioperacionit të koduar “Ura”, ku u shkatërruan katër organizata kriminale të kokainës, pjesë e një karteli, shqiptaro-italiane, me 52 fletë-arresti, nga të cilat 42 të ekzekutuara.
Mediat kanë publikuar edhe pamjet kur i shumëkërkuari shqiptar iu dorëzua në pranga agjentëve të Interpol Romës dhe FAST Italia, për llogari të Prokurorisë së Antimafias së Barit, ku edhe po hetohet.
Detaji që ra në sy sot (6 qershor) ishte momenti kur shqiptari shoqërohet nga dy oficerë policie, por është pa pranga në duar. Ai përcillet në aeroport dhe më pas në pistën e avionit, për t’u ngjitur në bord, ku e prisnin agjentët italianë.
Edhe në Shqipëri SPAK ka kryer aksion në bashkëpunim me palën italiane, duke kryer 14 arrestime dhe shpallje në kërkim. Organizata shqiptare drejtohej nga “Visi i Pojës”, Elvis Doçi dhe “Bisha”, Adi Çoba, të dy në kërkim.
Katër organizatat ishin hetuar prej vitit 2018 dhe në vijim, kurse përgjimet u intensifikuan pas vitit 2021, kur SPAK nisi të dekriptonte edhe mesazhet e koduara në platformën sekrete SKY ECC që përdor bota e krimit.
Komente
