Dy liderë të rëndësishëm të opozitës iraniane në mërgim i kanë bërë thirrje udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, që të japë dorëheqjen dhe të shmangë gjakderdhje të mëtejshme, pas sulmeve të paprecedenta amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane.
Reza Pahlavi, djali i shahut të rrëzuar nga revolucioni islamik i vitit 1979, dhe Maryam Rajavi, udhëheqësja e organizatës Mujaheddinët e Popullit (MEK), e ndaluar në Iran, kanë deklaruar në njoftime të ndara se Khamenei duhet të japë dorëheqjen pas më shumë se një jave lufte midis Iranit dhe Izraelit.
Vendndodhja e Khamenei-t, i cili është në krye të vendit që nga viti 1989, aktualisht nuk dihet. Ai mund të ndodhet në një bunker nëntokësor, në izolim, ndoshta së bashku me një grup bashkëpunëtorësh të ngushtë.
“Tani Khamenei duhet të largohet”, ka deklaruar Rajavi, duke shtuar se “projekti i tij antikombëtar” tashmë është “shkatërruar plotësisht. Jo pajtimit, jo luftës, po ndryshimit të regjimit domethënë fundi i diktaturës fetare nga populli iranian dhe rezistenca iraniane”.
Nga ana tjetër, Pahlavi, udhëheqësi i mbështetësve të monarkisë së përmbysur iraniane, ka thënë se “e vetmja mënyrë e sigurt për të arritur paqen është fundi i këtij regjimi”.
“Ndërsa Khamenei mendon si të përgjigjet nga bunkeri i tij nëntokësor, unë i them: për të mirën e popullit iranian, përgjigju duke dhënë dorëheqjen”, ka shtuar ai.
Në një deklaratë tjetër, fituesja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi, e cila ndodhet në Iran me leje pas një dënimi me burg, ka përshkruar qeverinë iraniane si një “regjim fetar, autoritar dhe mizogjin”.
Megjithatë, ajo është shprehur qartë kundër një “lufte shkatërrimtare dhe të pamëshirshme”, duke i bërë thirrje të dy palëve që të pranojnë një “armëpushim të menjëhershëm”.
“Unë besoj fuqishëm se demokracia dhe paqja nuk do të dalin nga korridoret e errëta dhe të tmerrshme të luftës dhe dhunës”, ka deklaruar ajo.
Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, sulmet ajrore amerikane “kanë shkatërruar” programin bërthamor iranian, por ai ka theksuar se Uashingtoni nuk synon ta rrëzojë udhëheqjen klerikale të Iranit.
Lajmi kryesor:
‘Çekani i Mesnatës’, SHBA hedh bomba 14-tonëshe në Iran! Pentagoni: Shkatërruam ambiciet bërthamore! Shpërthime të reja në Teheran, iranianët: Të mbyllet Hormuzi, hakmarrje! (VIDEO)
H.K/ReportTv.al