María Corina Machado, fituese e çmimit Nobel për Paqe

Opinion

Opozitarja që fiton Çmimin Nobel për Paqe: Tiranitë bien kur fillojnë të besojnë gënjeshtrat e tyre, shumicat triumfojnë kur zbulojnë fuqinë çliruese të së vërtetës

10 Tetor, 17:39| Përditesimi: 10 Tetor, 17:47

  • Share

Në zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut 2024, opozita venezuelane, e përfaqësuar nga Edmond González, fitoi. Por diktatori Nicolás Maduro, duke shkelur ligjet, duke përdorur dhunën dhe duke kontrolluar gjykatat, përmbysi rezultatin duke u vetëshpallur fitues, megjithëse me një diferencë të vogël votash. Liderja e opozitës në mërgim, María Corina Machado, sot fituese e Çmimit Nobel për Paqe, shkroi një letër të hapur drejtuar popullit të saj. Një mesazh që meriton të lexohet nga e gjithë klasa politike shqiptare, por veçanërisht nga ajo pjesë e opozitës që pretendon të marrë pushtetin me forcën e shpifjes, me kërcënime dhe me vulgaritet. Një mësim qytetarie dhe politike.

***

Ne, venezuelanët, kemi arritur një fitore të madhe më 28 korrik, kur u mobilizuam në mënyrë dërrmuese për të fituar zgjedhjet presidenciale. Falë organizimit qytetar të qindra mijëra vullnetarëve, ne e mundëm tiranin me rregullat e tij vetë. Provat e fitores janë në dispozicion të gjithë botës. Por lufta nuk ka përfunduar ende. Tiranisë nuk e pranon disfatën e saj.

Ajo strehohet në gjykata të korruptuara dhe ndëshkon njerëzit që shprehën në mënyrë paqësore refuzimin e tyre të qartë. Vetëm brenda katër javësh, 25 persona janë vrarë, mijëra janë arrestuar dhe qindra janë torturuar. Asnjëri prej tyre nuk është kriminel; asnjëri prej tyre nuk ka pasur një qasje të drejtë në drejtësi. Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij duan të fitojnë kohë që bota të harrojë disfatën e tyre. Ata besojnë se fitorja e madhe e Edmundo González mund të injorohet dhe se venezuelanët do të pajtohen të jetojnë në robëri. Por ata gabojnë. Në këto pak rreshta dua të shpjegoj pse.

Në Venezuelë, pas vitesh përpjekjesh e gabimesh, vështirësish dhe eksodësh masivë, ka lindur një lëvizje e fuqishme qytetare që ka bashkuar vendin kundër tiranisë. Pasi prekëm fundin, u desh të ktheheshim te të vërtetat më elementare dhe të rimerrnim vlerat më themelore, si dinjiteti personal, uniteti familjar dhe fjala që thotë të vërtetën. Vetëm kështu mund të rikthehej besimi në mundësinë e një ndryshimi të thellë. Vetëm ai që i është marrë gjithçka e kupton forcën e domosdoshme të besimit.

Në Venezuelën e uritur të sotme, njerëzit kanë më shumë uri për dinjitet sesa për bukë. Mungon energjia elektrike, por jo aq sa mungon besimi. Mirëqenia dëshirohet më pak sesa përqafimi i fëmijëve të emigruar. Që nga fillimi, shtresat më të prekshme dhe të harruara të popullsisë kanë qenë më të hapurat ndaj këtij mesazhi — një mesazh që është kufizuar vetëm në mbledhjen e fjalëve dhe shqetësimeve të tyre, në një fushatë që lëvizi nga poshtë lart, nga periferia në qendër të vendit.

Ne u përqendruam në atë që mund të bënim, një ditë pas tjetrës. Kundër çdo parashikimi, në tetor të vitit 2023 arritëm të organizonim zgjedhje paraprake tërësisht qytetare, pa ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, duke rikthyer kështu besimin e votuesve në votë. Entuziazmi arriti kulmin. Nevoja për të vepruar triumfoi mbi dëshpërimin e trashëguar.

“Tiranitë bien kur fillojnë të besojnë gënjeshtrat e tyre; shumicat triumfojnë kur zbulojnë fuqinë e së vërtetës, të faljes dhe të dashurisë.”

Përpjekjet kryesore të fushatës u përqendruan në zonat më të harruara të vendit. Aty, njerëzit nga zonat më të largëta, pa para për karburant apo ushqim, morën pjesë në takime për të mposhtur frikën dhe për t’u ndjerë sërish pjesë e diçkaje më të madhe.

Njerëzit ndihmuan me aq sa kishin, sado pak. Përndjekja e tiranisë ishte kudo, por nuk i ndaloi. Fushata u kthye në një lëvizje qytetare që bëri të vetin rruzaren si simbol dallues, shprehje popullore e nevojës për besim dhe mbrojtje. Çdo pengesë që na doli përpara na detyroi të bëheshim më të guximshëm, më të fortë dhe më të bashkuar.

Nëna të mbetura vetëm, fëmijë që u mungojnë prindërit, burra të fortë që nuk munden të përmbajnë lotët… Papritur, tubimet tona u shndërruan në hapësira terapie kolektive, të së vërtetës dhe pajtimit, të pendesës, faljes dhe shpëtimit. Të lodhur nga përçarja, mjerimi, poshtërimi, braktisja dhe faji, ne venezuelanët dolëm në rrugë për të lënë pas traumat e akumuluara ndër vite.

Nevoja për të vepruar mbi bazën e së vërtetës dhe dashurisë më elementare na lejoi të shëronim plagët dhe të rimerrnim ndjenjën tonë natyrale të bashkësisë si vëllezër e motra. Ka ndodhur një transformim shpirtëror, pa të cilin është e pamundur të kuptohet fitorja e 28 korrikut. Pa punën e përbashkët të qindra mijëra venezuelanëve dhe pa largimin e pjesës më të madhe të radhëve chaviste, kjo fitore nuk do të ishte e mundur.

Reagjimi i regjimit të Nicolás Maduro-s tregon se ai nuk kupton çfarë po ndodh. Ai nuk arriti të parashikonte ndikimin e zgjedhjeve paraprake, as të parandalonte disfatën e tij përfundimtare në zgjedhjet presidenciale. Të gjitha kurthet e tij rezultuan të kota. Tani ata duan të mbulojnë diellin me një gisht: bllokojnë rrjetet sociale, martirizojnë venezuelanët, fyejnë qeveritë e huaja. Dhe megjithëse kanë humbur çdo bazë popullore, ende refuzojnë të diskutojnë kushtet e një tranzicioni të rregullt.

Tiranitë bien kur fillojnë të besojnë gënjeshtrat e tyre; shumicat triumfojnë kur zbulojnë fuqinë çliruese të së vërtetës, faljes dhe dashurisë. Fitorja e 28 korrikut nuk është vetëm një triumf elektoral; është rezultati i një veprimi në përputhje me këto vlera. Është pra një dëshmi e fuqisë së besimit.

Pikërisht për këtë arsye, në këtë orë kritike, venezuelanët kanë nevojë për fjalën e inkurajimit dhe mbështetjen e qartë nga ai që është gjithmonë pranë atyre që vuajnë, që luftojnë për paqe dhe që kanë etje për drejtësi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?