Kërcënim serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe rolit të medias i konsiderojnë një grup shoqatash së gazetarëve disa nene të propozuara në draftin e Kodit të ri Penal.
"Neni 865 (Shpifja) vazhdon ta mbajë shpifjen si kundravajtje penale, në kundërshtim të hapur me rekomandimet ndërkombëtare duke rritur ndjeshëm gjobat ". Neni 863 (Fyerja) është i paqartë dhe i formuluar në mënyrë tepër subjektive, duke përfshirë terma si "shqetësim për opinionin publik" apo "zakonet e mira", pa dhënë përkufizime konkrete.
Neni 536 ndalon në mënyrë të gjerë bërjen apo publikimin e komenteve mbi procese gjyqësore, duke qenë kështu një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias",- tha kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj.
Përfaqësuesit e organizatave kërkojnë që këto ndryshime të rishikohen sa më parë, për të shmangur kthimin pas në lirinë e medias në Shqipëri.
“Të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja, duke i trajtuar ato nëpërmjet masave civile proporcionale në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe raportet e progresit të BE-së, dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias edhe permes dialogut te strukturuar per lirine e medias dhe sigurine e gazetareve”, tha Blerjana Bino nga SCIDEV.
Organizatat e gazetarëve, përfshirë edhe rrjetin ndërkombëtar “Safe Journalists” nënvizojnë se miratimi i këtyre ndryshimeve do të dobësonte rolin mbikëqyrës të medias dhe do të dëmtonte rëndë transparencën në një shtet ligjor funksional. Sipas tyre mosnjohja e gazetarëve si një kategori e mbrojtur posaçërisht përkeqëson më tej rreziqet që lidhen me detyrat e tyre profesionale, duke rritur potencialisht efektin frikësues mbi raportimin e pavarur.
Komente
