Gjykata e Lartë kërkon që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të deklarojë mungesën e juridiksionit për padinë e ngritur nga Naureda Llagami kundër votimit që çoi në zgjedhjen e gjyqtarit Asim Vokshi si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, nëse do të merrej në shqyrtim, një akt i tillë, do të ishte “potencialisht i rrezikshëm për rendin kushtetues”. Zonja Llagami pretendon se vota e shpallur e pavlefshme, ishte në favorin e saj, e në këtë mënyrë do t’i jepte mandatin për në GJK.
***
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë pritet të shqyrtojë të hënën kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga ish-drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Naureda Llagami, kundër procedurës së votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Llagami mori 8 vota nga 9 që do t’i jepnin asaj postin, pasi një votë u shpall e pavlefshme.
I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi, u shpall automatikisht, kandidati i përzgjedhur për në Gjykatë Kushtetuese.
Llagami ka kërkuar nga Gjykata Administrative pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme si dhe të procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Por Gjykata e Lartë paralajmëron se marrja në shqyrtim e padisë do të ishte “një tentativë për ndërhyrje juridiksionale të pashembullt dhe potencialisht të rrezikshme për rendin kushtetues.” Në parashtrimin e saj para Gjykatës Administrative, të cilën Report TV dhe Shqiptarja.com e kanë lexuar, Gjykata e Lartë thekson se “një veprim i tillë do të përbënte shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve, tejkalim të juridiksionit gjyqësor dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit të së drejtës”.
Për këtë arsye, GJL, është e bindur se Gjykata Administrative duhet të deklarojë mungesën e juridiksionit.
Në dokumentin që Gjykata Administrative ka në duar, Gjykata e Lartë vë në dukje se “vendimi i Gjykatës së Lartë është akt kushtetues dhe jo administrativ dhe nuk kundërshtohet në Gjykatën Administrative” dhe se “ndërhyrja e juridiksionit të zakonshëm në vendimet e Gjykatës së Lartë do të cenonte jo vetëm parimin e ndarjes së pushteteve, por edhe integritetin institucional të Gjykatës së Lartë si organ kushtetues”.
Gjykata e Lartë kujton po ashtu se ajo “ushtron një funksion të nivelit më të lartë kushtetues, i cili nuk mund të vihet në diskutim nga një organ gjyqësor i zakonshëm, siç është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë”, dhe nëse kjo e fundit “do të pranonte të shqyrtonte këtë padi, ajo do të krijonte një precedent të paprecedentë në Evropë”.
Sipas parashtrimit, “asnjë gjykatë tjetër, përfshirë atë administrative, nuk ka kompetencë të vlerësojë procesin e përzgjedhjes apo të emërimit. Kontrolli i procesit para emërimit është institucional (brenda organit emërtues), ndërsa kontrolli pas emërimit është kushtetues (nga vetë Gjykata Kushtetuese)”.
Asnjë vend evropian nuk lejon që emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të kontrollohen nga gjykatat e zakonshme.
Dhe duke ju referuar Kushtetutës, neni 127, pika 1/d, “vetëm Gjykata Kushtetues është kompetente për të vendosur për pazgjedhshmërinë e një gjyqtari të saj, për papajtueshmërinë e mandatit apo vlefshmërinë e emërimit”.
Duke ju referuar dhe doktrinës, Gjykata e Lartë vë në dukje se “dallimi ndërmjet aktit administrativ dhe aktit kushtetues është element themelor i shtetit të së drejtës dhe çdo përpjekje për ta shkrirë këtë kufi është antikushtetues”.
Në dokumentin që ka dorëzuar tashmë, Gjykata e Lartë i bën thirrje Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, se ajo “duhet të ndërgjegjësohet se çdo tentativë për të ushtruar juridiksion mbi një vendim kushtetues, përbën tejkalim kompetencash dhe cenim të parimeve themelore të shtetit të së drejtës; rrezikon stabilitetin institucional dhe besimin publik te pavarësia e gjyqësorit dhe se mund të krijojë një precedent abuziv, që në të ardhmen do të lejonte gjykata më të ulëta të kontrollonin veprime të organeve kushtetuese”.
Për këto arsye, sipas Gjykatës së Lartë, “shpallja e padisë si e papranueshme për mungesë juridiksioni është jo vetëm një detyrim ligjor, por një akt për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të vetë shtetit të së drejtës”.
Votimi i kontestuar nga Llagami
Llagami pretendon se në fletën e votimit ishte shënuar dy herë pranë emrit të saj, por u shpall e pavlefshme qëllimisht për të ndryshuar rezultatin. Nëse kjo votë do të ishte lexuar siç duhet, sipas Llagamit, ajo do të kishte 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetueses dhe jo Vokshi, i cili u zgjodh si i rendituri më lart në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Report Tv mëson se fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja e Posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe një tjetër shenjë përpara emrit të zonjës Llagami, një rreth i cili kishte qarkuar numrin 2, që në renditje i përkiste asaj.
Për zonjën Llagami, një gjë e tillë nuk mund të çojë në pavlefshmëri pasi vullneti në favor të kandidaturës së saj mbetet i shprehur qartë.
Por në parashtrimin e saj për rastin, Gjykata e Lartë vë në dukje se procesi i votimit zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara.
Ajo citon nenin 12 pika 6 (fjalia e fundit) të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.
Të dy këto nene, thotë Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”.
Gjykata e Lartë shpjegon më tej se qartësia e vullnetit nuk është e mjaftueshme.
“Në proceset institucionale, siç është votimi për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, qartësia e vullnetit nuk mjafton; ajo duhet të shprehet në formën e saktë juridike, përndryshe cenon integritetin e procesit. Për më tepër që votues, janë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që e dinë mjaft mirë ligjin. Në këtë kontekst, duket që vetë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, e plotësoi fletën e votimit me vullnetin për ta shpallur të pavlefshme atë”.
Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.
Komente
