Edi Rama

‘Paketa e Maleve’, Rama: Mbështetje e re për investitorët vendas që duan të investojnë në tokën e të parëve

30 Prill, 21:50| Përditesimi: 30 Prill, 22:14

  • Share

Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Theth me drejtues bujtinash dhe agroturizmash nga ku njoftoi edhe zhvillimin më të ri. 

“Kur them që Zoti e bëri Shqipërinë për telha ditën e dielë kur ishte pushim, kush nuk e beson duhet të vijë këtu në Theth të shohë se ku e ka vendosur pikën e parë kur e ka filluar pikturën nga maja deri poshtë, magji! Ja ku jam këtu sot me pararojën e Shqipërisë 2030, këtu në Theth. Tani jemi këtu me një duar shtrëngim solemn, që në 30 qershor këtu të gjithë do të kenë në dorë titullin e pronës së shumëpritur që pasi i trashëguan nga stërgjyshërit, akoma nuk e kanë dot për arsye që janë të arsyeshme, por që prapë nuk duan t’i dëgjojnë më.

Më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas dhe janë në procese për t’u legalizuar do të kthehen në certifikata pronësie dhe ndërkohë do të jetë gati dhe Paketa e Maleve.

Paketa e Maleve do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme.“ – u shpreh kryeministri në bisedën me ta.

Ndërkohë që më herët, kryeministri shpjegoi lidhur me paketën e re: “Paketa e re e mbështetjes për investimet në këto male, do t’i hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar pa pushim dhe që kanë kursyer e kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa patur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa patur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë, me një mbështetje të fuqishme, qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë  e të parëve për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri edhe më shumë këtë vit se 10 milionët e vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit e mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë.”


Lajmi kryesor:

Rama në Theth: Destinacion evropian! ‘Paketa e Maleve’ mbështetje e re për vendasit që duan të investojnë në tokën e të parëve


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?