Paketa fiskale 2025/ Dhoma e Tregtisë e biznesi me 28 propozime: Pagesat vetëm në lekë, gjobë kush paguan në valutë

12 Nëntor, 18:09| Përditesimi: 12 Nëntor, 18:29

  • Share

Tirane-  Në Shqipëri pagesat të bëhen vetëm me lekë. Ky është propozimi që biznesi i bën Ministrisë së Financave, në kuadër të Paketës Fiskale 2025. Edhe pse qeveria nuk e ka shoqëruar projektbuxhetin 2025 me ndryshime tatimore, Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit kërkojnë nga Ministria e Financave që të ndalohen transaksionet në valutë brenda vendit, madje në rastet ku ndodh, të vendosen edhe penalitete.

Në dy prej propozimeve thuhet të merren masa për uljen e parasë cash që qarkullon në vend si dhe të ndalohen transaksionet në monedha të huaja dhe të vendosen penalitetet nëse nuk respektohet.

Një masë e tillë është paralajmëruar gjatë verës edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko i cili pati deklaruar që duhet të ndalohen pagesat në euro brenda vendit. Ndërkohë për Report TV, Banka qendrore sqaroi se synimi është ndalimi veçanërisht i transaksioneve të brendshme individ-individ, individ-biznes apo biznes-biznes, për blerje me pakicë dhe në vlerë të vogël ku pagesa në euro është e panevojshme. Si opsion për të ulur përdorimin e euros në vend, është edhe caktimi i një tavani sesa do të jetë vlera e lejuar për të paguar në euro.

Kufizimi i përdorimit masiv të euros për pagesa brenda vendit, sjell pasoja pozitive për ekonominë dhe familjet shqiptare, pasi ulet ekspozimi nga rreziku i luhatjeve në kursin e këmbimit dhe nga ana tjetër, do të ulte informalitetin në këmbimin euro-lekë.

Një tjetër propozim i bërë nga biznesi ka të bëjë edhe me rishikim të paketës së deeuroizimit të miratuar në 2017-ën, ku parashikohen masa për zhvillimin e sistemit të pagesave, marrje borxhi, kredi apo pagesa kryesisht në Lekë.

“Hartimi i një plani veprimi midis MF dhe Bankës së Shqipërisë lidhur me deeuroizimin dhe parandalimin e pastrimit të parasë duke u angazhuar me një model menaxhimi me fokus këtë problem për prodhimin dhe familjet, si dhe për rritje të transparencës”, thuhet në propozimet e biznesit.

Po ashtu biznesi sugjeron që Ministria e Financave të hartojë një plan me bankat për të ulur qarkullimin e parasë cash, nga vendosje pragut të lejuar, edukimi, gjurmimin e pasurive, hetim të llogarive offshore etj.

Në 28 propozimet e bizneseve ka edhe kërkesa për rishikimin e taksave, nga rritja e TVSH-së së rimbursueshme për fermerët në 20% nga 0 që është sot apo ulje të TVSH-së për industritë prodhuese në 5-7%. Propozimet shkojnë deri tek rishikimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë, përjashtimet nga taksat doganore apo akciza për lëndë të ndryshme e deri tek rimbusim automatik i TVSH-së.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?