Ekonomi

'Paketa fiskale pa konsultë, rëndon bujqësinë’! Këshilli i Agrobiznesit: Heqja e rimbursimit të TVSH do të rrisë çmimet!

4 Nëntor 2021, 17:58| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 18:42

  • Share

TIRANË- “Bujqësia nuk mund të konsiderohet sektor prioritar në rast se i ul buxhetin dhe i shton taksat”. I këtij mendimi është kryetari i Agrobiznesit në vend, Agim Rrapaj.

“Projektbuxheti është 2% më i ulët, dhe ulja e buxhetit në një kohë krize, pandemie kur thua se është një sektor prioritar nuk ka sens. Kur i ul një sektori prioritar buxhetin nuk është më i tillë”, thotë Rrapaj.

Buxheti i përcaktuar për Ministrinë e Bujqësisë për vitin që vjen ështënë vlerën e 12.736 miliardë lekëve, me një ulje prej 419.96 milionë lekë nga viti aktual.

“Ka një ulje të ndjeshme të investimeve në infrastrukturën e ujitjes me mbi 55%, kemi ulje fondesh për peshkimin, tek konsolidimi i tokës”, pohon ai.

Sa i takon paketës fiskale, që synon heqjen e rimbursimit të TVSH-së për fermerët dhe vendosjes së tarifës 10% për inputet bujqësore, Rrapaj thotë se propozimet nuk janë konsultuar dhe pasojat do të jenë të rënda.

“Po të shikosh paketën fiskale është mjaft e papritur për ne, ajo ka impakt të drejtpërdrejt negativ me 1.75 miliardë lekë. Fakti që nuk u bë asnjë studim paraprak, një këshillim paraprak dhe nuk u mor mendimi i ekspertëve që njohin fushën, që të shikohej opinioni dhe të diheshin dëmet që sjell kjo paketë, na solli këtu ku jemi”, deklaron kreu i agrobiznesit.

Por, ç’do të thotë për bujqësinë miratimi i kësaj pakete fiskale?

“Do të thotë rritje çmimesh, ulje fitimi, largim masiv nga zonat rurale, do të thotë informaliteti më i madh, dhe nëse ne hyjmë në një Ballkan të hapur hyjmë pa këmishë. TVSH është dëmtuese sa i takon formalizimit të fermerëve, është instrumenti i vetëm që formalizon fermerët dhe tregun, dhe ishte plaga më e madhe që ne kishim”, tha ai.

Heqja e rimbursimit të TVSH-së për bujqësinë nga 6% që është në 0%, sipas Rrapajt do të rrisë edhe çmimet për qytetarët.

“10% është e padiskutueshme por parashikimet janë për 20% dhe mbi të”, sqaron Rrapaj.

Rezerva prodhuesit kanë edhe për tarifën për qumështin pluhur.

“Tarifa që është vendosur për qumështin është e palogjikshme, se nuk ndikon tek prodhuesit e qumështit të freskët në Shqipëri, përkundrazi ndikon negativisht tek përpunuesit e qumështit por edhe tek prodhuesit e produkteve analoge”, tha ai.

Kritika ka edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në Tiranë e cila thotë se kjo paketë fiskale u shton barrën fiskale prodhuesve.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?