'Oh nëna ime vdiqa'! Pamje trishtuese nga Infektivi, të prekurit më koronavirus në luftë me vdekjen (Pamjet të rënda)

18 Korrik 2020, 12:37| Përditesimi: 18 Korrik 2020, 14:11

  • Share

"Oh nëna ime vdiqa, më çajnë kockat..." Mjekja që vrapon me ilaçet në dorë. Janë në luftë me kohën. Një vonesë sado e vogël mund të kushtojë shumë. Brenda spitalit Infektiv dëgjon vetëm rënkimet e të prekurve me koronavirus që ndryshe nga shumë të tjerë, shëndeti i tyre nuk është në gjendje ta përballojë në shtëpi virusin.

Të shtrirë në krevatet e spitalit rrethuar nga pajisje, zhurma e të cilave sinjalizon se ka ende jetë, apo në rastin më të keq, se diçka nuk po shkon. Të tjerë, të intubuar. Shkalla më e rëndë e pasojave që virusi ka lënë në trupin e të prekurve dhe që shumë pak prej tyre kanë dalë triumfues.

Prej 130 ditësh bluzat e bardha janë krah pacientëve në një mision të shenjtë, të shpëtimit të jetëve. Me rritjen e temperaturave dhe pamundësinë për të ndezur kondicionerin, në këto pamje që ngjallin mjaft trishtim, bluzat e bardha krijojnë kushtet që pacientët të mos ndjejnë vapën.

Fytyrat e të shtruarve janë të mbuluara në këto pamje që Ministria e Shëndetësisë publikon, por aty, në atë moment të vështirë, mund të ishte i afërmi i secilit prej nesh. E apeli shkon për të gjithë ata që janë jashtë mureve të spitalit që po lufton me një armik të padukshëm: “Lutemi Vendoseni Maskën, Mos rrezikoni jetën tuaj dhe të njerëzve tuaj më të dashur”.

Kanë vështirësi për të marrë frymë. Shumë nuk mund të ngrihen nga shtrati, të tjerë i kanë të domosdoshme aparaturat për të qëndruar në jetë. Dallohen persona të moshës së dytë e të tretë, të cilët aktualisht po luftojnë me virusin, e njëjtë shihet edhe angazhimi i palodhur i më të rrezikuarve në këtë betejë: Mjekëve. Në bluzat e bardha vijon të qëndrojë i shënuar emri i tyre, pasi me pajisjet mbrojtëse, vështirë t'i njohësh vetëm përmes syve .

Pamje të frikshme që sjellin trishtim, por që njëjtë duhet të ngjallin edhe ndërgjegjësimin qytetar. Nevojitet shumë pak. Ruajtja e distancës për të shmangur kontaktin dhe mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura. Shumë pak, përballë faktit që pamje të tilla që shumëkush mund t’i ketë harruar, fatkeqësisht përkthehen çdo ditë në jetë të humbura.


Lajmi kryesor:

'Oh nëna ime vdiqa' dhe 'po më çajnë kockat'! Pamje trishtuese brenda Infektivit, aty ku luftohet çdo moment me vdekjen! E moshuara me COVID vdes rrugës për në Tiranë


Ne.k.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?