Pandemia/ Kreu i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor për Jugun zbulon skenarin: Gati 3 spitale, Fieri i pari si strukturë COVID (VIDEO)

10 Nëntor 2020, 17:10| Përditesimi: 10 Nëntor 2020, 17:20

  • Share

VLORË- Spitali rajonal i Fierit mund të jetë i pari spital COVID në jug të vendit nëse infektimet do të vazhdojnë me ritëm të shpejtë, njoftoi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve  të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, Kujtim Llapi.

“Parametrat kemi kohë që i kemi siguruar në të gjithë spitalet rajonal. Flasim për 3 spitalet rajonal që mbulon operatori jonë. Fieri, Vlora dhe Gjirokastra. Ka kohë që janë marrë masat. Pavijonet e infektivit janë gati. Stafi nuk na mungon. Kemi edhe mjek pneumolog, infeksionit dhe infermieror. Por nuk mendoj se do të vije puna deri atje. Mendohet se nëse do të ketë një shtrëngesë të madhe, spitali i Fierit mund që të kthehet një pjesë e tij, një ose dy pavijone të kthehen në COVID. Por nuk kemi arritur akoma tek COVID 3 dhe COVID 4”, tha drejtori i OSHKSH, Kujtim Llapi në një intervistë për Report Tv.

Llapi foli edhe për të infektuarit në zonën që operatori i Shërbimeve Shëndetësore të Vlorës mbulon. Sipas tij numri i të infektuarve është rritur, por situata nuk është shqetësuese. Gjendja më e rëndë paraqitet në Fier dhe Lushnje.

“Situata ka ndryshuar. Ka një rritje të numrit të të prekurve me COVID-19. Por deri tani sa i përket pjesës së zonës që mbulon operator i shërbimeve shëndetësore të Vlorës nuk kemi një përmasë për tu alarmuar, por kjo nuk do të thotë se jemi të kënaqur apo do ulim tempin e bërjes së të gjitha detyrimeve që kemi ndaj kësaj pandemie. Më rëndë gjendja paraqitet në Fier, Lushnjë. Pastaj vjen Vlora dhe shumë më mirë është situata në Gjirokastër. Në qytetin e Vlorës është situata më e rritur se në qytetin e Sarandës dhe Delvinës”, shtoi Llapi.

Për sa i përket tamponit, drejtori i OSHKSH tha se vonesat ndodhin për shkak të numrit të lartë të kërkesave.

“Trajtimi i të sëmure me COVID nuk bëhet në spitalet rajonal. Por në spitalet COVID në Tiranë. Tre janë rrugët e referimit për të sëmurët me COVID. Është 127, mjeku i familjes dhe shërbimi spitalor. Tek të gjitha rastet janë këto që referon të sëmurët me COVID. Normalisht ka një protokoll standard që ndjekin dhe të sëmurët me COVID.  90% të rasteve ndiqen nga mjeku i familjes. Për sa i përket tamponit brenda 24 orëve ore 28 orëve vjen përgjigja, por për shkak të numrit të lartë të testimeve vonohen pak”, përfundoi kreu i OSHKSH-së për Jugun, Kujtim Llapi.

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?