Pandemia COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm të ardhurat e familjeve, të cilat sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë kanë pësuar rënie. Ky fakt ka çuar direkt edhe në rritje të borxheve të tyre. Por një fenomen shqetësues që bashkëjeton në Shqipëri është marrja e ushqimeve me listë. Në njërën prej tyre që gjendet në një nga dyqanet në kryeqytet, qytetari ka arritur në borxh deri në 2 milionë lekë, vetëm për të blerë ushqime.
“2 milionë e 608 mijë e 500 lekë borxh. Këto lekë vetëm kur të vdesim, janë fshirë mbi 10 apo 12 herë. Nuk ka më siguri që do i kthejnë”, shprehet një shitës në kryeqytet.
Pensionistët janë personat që e kanë më të vështirë të përballojnë kostot e jetesës, madje deri edhe çmimet e ushqimeve.
“Me listë japim, na i sjellin një herë në muaj shkon në 100-120-130 mijë lekë. Siç e marrin pensionin na e sjellin prapë. Më shumë janë pensionistë, marrin vetëm ushqime. Janë të rregullt dhe na i kanë kthyer. Nuk është se janë shumë, pak janë por ç’të them Shqipëria kështu është”, thotë një tjetër pronare dyqani ushqimesh.
Një tjetër shitëse në një dyqan po në Tiranë thotë se marrja e ushqimeve pa bërë pagesën ka prekur edhe të rinjtë.
“Po vazhdojmë të japim me listë fatkeqësisht sepse njerëzit janë me rroga dhe pensione të ulta. Janë më shumë grupmosha tëmëdha nga 60 vjeç e lart gjithashtu edhe shumë të rinj. Kanë dhe tre vite pa na i kthyer lekët, por kryesisht brenda muajit të tjerët i lajnë. 500 mijë lekë është vlera më e madhe që kemi dhënë, por për shkak se jemi djegur nuk po japim as ne më shumë se 100 mijë lekë”, pohon një tjetër shitëse.
Sipas vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve thuhet se 18% e familjeve të intervistuara (nga 1210 intervista ne total) kanë deklaruar se kanë marrë mall pa paguar.
Ndërkohë po sipas të njëjtit vrojtim pjesa më e madhe e familjeve ose 65% kanë të ardhura mujore poshtë 17 mijë deri në 50 mijë lekë, dhe nga ana tjetër vetëm 34% e familjeve të pyetura kanë të ardhura mbi 50 mijë deri në 200 mijë lekë.
37% e familjeve të intervistuara janë përgjigjur se aftësia e tyre për të paguar borxhet e marra është ulur, ndërkohë që presin përkeqësim të situatës edhe në 6 muajit e parë të këtij viti, e cila mund të shoqërohet me huamarrje tjetër.
Prandaj nuk duan te nderrohet qeveria se duan qe te marrin ushqime me list.
Përgjigju