VATIKAN-Për herë të parë që nga shtrimi në spital rreth tre javë më parë, Papa Françesku po tregon një përgjigje të mirë ndaj trajtimit, ka bërë të ditur një burim nga Vatikani për CNN.
Ky zhvillim pason një deklaratë nga zyra e shtypit e Vatikanit të shtunën, ku thuhej se Papa po tregonte "përgjigje të mirë ndaj terapisë" dhe një "përmirësim të lehtë dhe gradual" pas episodeve të insuficiencës së rëndë respiratore që pati të hënën.
Sipas burimit të Vatikanit, përmirësimi lidhet me funksionin më të mirë të shkëmbimit të gazrave në mushkëri dhe oksigjenimin e gjakut. Megjithatë, rreziku për një tjetër krizë të frymëmarrjes ende ekziston, dhe prognoza mbetet e rezervuar, theksoi burimi.
Papa vazhdon të trajtohet me terapi oksigjeni me rrjedhje të lartë gjatë ditës dhe ventilim jo-invaziv gjatë natës, sipas njoftimit zyrtar.
Të shtunën në mëngjes, Papa bëri lutjen e tij, ndërsa pasdite pushoi dhe zhvilloi disa aktivitete pune, bëri të ditur zyra e shtypit.
Të dielën, ai mori pjesë në meshë në kapelën e katit të dhjetë të spitalit Gemelli në Romë dhe më pas u përfshi përmes video-lidhjes në ushtrimet shpirtërore që po zhvillohen në Vatikan me rastin e Kreshmëve, njoftoi Selia e Shenjtë.
Një burim nga Vatikani tha se Papa qëndroi i lidhur me video-lidhjen gjatë gjithë meditimit dhe kishte mundësi të shihte anëtarët e Kuries (administrata e Vatikanit), por nuk komunikoi me ta. Sipas të njëjtit burim, gjendja shëndetësore e Papës mbetet e njëjtë me atë të shtunës – 88-vjeçari paraqet stabilitet dhe përmirësim të lehtë, por ende një “pamje të ndërlikuar klinike në tërësi”.
Që nga incidenti i së hënës, Papa ka qenë në gjendje të qëndrueshme dhe po merr fizioterapi respiratore dhe motorike. Të enjten ai publikoi një mesazh audio të regjistruar më parë, ku falënderoi të gjithë ata që kanë lutur për të.
Ndërkohë, pasiguria vazhdon të ndjehet në Vatikan për shkak të qëndrimit të zgjatur të Papës në spital.
Komente
