Napoli, kampion i Italisë, ka mbërritur në Vatikan për një takim privat me Papa Leonin e XIV. Dy autobusë të bardhë hynë nga “Porta del Perugino”, pasi skuadra kishte mbërritur në Romë me tren në orën 10:00.
Conte dhe lojtarët e tij u pritën nga Ati i Shenjtë, i cili u shpreh: “Ndoshta nuk donit të duartrokisnit, sepse shtypi thotë që unë jam tifoz i Romës, por jeni të mirëpritur. Jo gjithçka që thotë shtypi është e vërtetë…”
Më pas Papa mbajti një fjalim për titullin kampion dhe shpirtin e skuadrës.
“Fitorja e kampionatit është një arritje që vjen në fund të një rruge të gjatë, ku më shumë se sa një shpërthim i vetëm apo paraqitja e jashtëzakonshme e një kampioni, rëndësi ka puna ekipore.
Kampionatin e fiton ekipi. Me ekip nënkuptoj si lojtarët, trajnerin me të gjithë stafin, por edhe shoqërinë sportive. Prandaj, jam i lumtur që ju mirëpres sot, për të vënë në pah këtë aspekt të suksesit tuaj, që për mua është më i rëndësishmi”, vijoi Ati i Shenjtë.
Papa vazhdoi më tej: “Fatkeqësisht, kur sporti bëhet biznes, rrezikon të humbasë vlerat që e bëjnë atë edukativ. Madje, mund të bëhet edhe anti-edukativ. Duhet të kemi kujdes për këtë, sidomos kur kemi të bëjmë me adoleshentë. Iu bëj thirrje prindërve dhe drejtuesve sportivë, duhet pasur kujdes ndaj cilësisë morale të përvojës sportive në nivel konkurrues, sepse aty është në lojë rritja njerëzore e të rinjve. Mendoj se u kuptuam dhe nuk ka nevojë për shumë fjalë”, tha Papa para kampionëve të Italisë në futboll.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis i dhuroi Papës fanellën e kaltër të ekipit me gjithë firmat e lojtarëve dhe emrin pas.
Komente
