Politikë

LIVE- Rama podcast maratonë, prezanton ekipin ‘PS 2030’: Kush do pasaportën e BE, më 11 maj të na japë mandatin më të fortë se asnjëherë! Mos të ndahemi si 'delja e zezë'

15 Mars, 09:02| Përditesimi: 15 Mars, 17:05

  • Share

TIRANË- Në një podcast ndryshe, kryeministri Edi Rama në një transmetim maratonë në ‘Flasim’ po prezanton ekipin e Partisë Socialiste për 11 majin. Fillimisht, kreu i qeverisë nisi me një monolog ku shpalosi qartë synimin e PS, marrjen e një mandati të katërt për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Teksa foli për lehtësitë që sjell në jetën e shqiptarëve integrimi në BE, kreu i qeverisë u bëri thirrje shqiptarëve që nëse duan në duar një pasaportë europiane, më 11 maj duhet t’i japin PS mandatin më të fortë se asnjëherë. Mbajtja e kësaj pasaporte, do tu jepte qytetarëve të vendit tonë shanse të barabarta me ata evropianë.

“Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori poshtëruese dhe mos të na ndajë më askush si dele të zeza nga tufa e bashkudhëtarëve tanë europian kur hymë në një kufi. Të mos i japim  më llogari një polici në aeroport sepse po hynë në BE. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën europiane të Shqipërisë 2030. Në këtë pasaportë duhet të shtohet diçka themelore, BE Republika e Shqipërisë. Për t’ju dhënë pasaportën e BE, na duhet një mandat më i fortë se tre mandatet e mëparshme.

Kush e do pasaportën e BE, ka vetëm një mundësi, të bashkohet me votën e bashkuar të na japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar dhe shqiptare me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Është liri qëndrimi brenda BE. Me këtë pasaportë Europa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Europa. Ky është horizonti ynë më i afërt se kurrë. Çdo i ri dhe e re mund të studio pa tarifa shtesë, mund të punojë pa leje pune kudo duke gëzuar të njëjta të drejta”, tha Rama.

Lista e socialistëve për kandidatë për deputetë la jashtë një pjesë të madhe të deputetëve aktualë. Emrat e rinj që hidhen në fushë janë marrë kryesisht nga dy burime të reja, portali Deputeti që duam, dhe Akademia Politike. 7 prej atyre që vijnë nga këto rryma, janë aktualisht deputetë të sigurt, pasi janë kandiduar në listën e mbyllur.

Më poshtë mund të ndiqni lajmet nga prezantimi i kandidatëve të PS në podcastin e Kryeministrit Rama

Ora 16:57
'Kemi dhe një demokrat këtu', Rama në podcast me një nga 5 opozitarët që 'rrëmbeu' një vend në listat e PS-së

1742054442_gfeafafeg.JPG

Blend Sulaj ishte një ndër pesë emrat që Rama dhe Partia Socialiste afroi në listat e zgjedhjeve të 11 majit. Sulaj ka qenë një ndër kryetarët e degëve të Tiranës për Partinë Demokratike dhe nënkryetar i Partisë Republikane.

Sulaj: Unë jam Blend Sulaj, lindur dhe rritur në Tiranë, sidomos te zona e vjetër. Babain e kam nga Tirona dhe mamanë nga Gjirokastra. Kam vijuar studimet për drejtësi. Pa mbaruar universitetin, isha pedagog për të drejtën penale. Edhe më pas u mora me biznesin personal. Ka qenë e bukur dëshira të merresha me politikë, por edhe me pjesën e Partisë Socialiste. Edhe këtë e vinin re ne që merreshim me pjesën e biznesit kur shkonim jashtë Shqipërisë. Ka qenë shumë e vështirë të thoje njerëzve, "Shih, Shqipëria është këtu. Edhe donim të prezantonim kafen në një panair ndërkombëtar. Më përpara, do duhej ta prezantoje për dy orë. Tani është shumë më e thjeshtë. Më pas kjo ndodhi, pasi të huajt dinin më shumë gjëra për ne, përmes turizmit.

Rama: E prisje që të trajtoheshe si të tjerët?

Sulaj: Nuk e prisja që të ishte ky besim i dhënë dhe më pritën shumë mirë. Tani kemi sfida përpara.

Ora 16:52
Rama ‘i kthehet’ Luarasit: Mos ma përmend fjalën ‘Berisha’

1742054058_awgasgag.JPG

Në podcastin “Flasim” të Kryeministrit Rama, mes kandidatëve të ftuar ishte edhe Iris Luarasi, e cila është vendosur në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës. Gjatë bisedës me Luarasin, pati një ‘debat’ të vogël dhe ‘irritues’ kur Luarasi përmendi mbiemrin e Berishës.

Luarasi: Unë në fakt vij nga një familje që është e majtë, edhe kjo ndoshta mendoj unë ka qenë gjithë pjesa e organizimit. Kam dalë në media, por jo gjithmonë pro të majtës, për hir të së vërtetës. Në fakt, im atë është pushuar në vitin 1992 nga reforma ushtarake që bëri Berisha në atë kohë.

Rama: Aman, të lutem, mos ma përmend atë emër këtu. Atë emër nuk e dua këtu.

Luarasi: Unë asaj kohe punoja dhe gjithë lekët që merrja i çoja në shtëpi. Edhe këto gjëra e shënjojnë jetën e njeriut dhe jam nënë e dy fëmijëve.

Ora 16:08
'Je pak demokrat ti?', Rama e ironizon, Bejleri: Kam qenë, nuk është turp

1742051560_wafgfaggaeg.JPG

Në vijim të serisë së bisedave me kandidatët për zgjedhjet e 11 majit, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një tjetër episod të podcastit “Flasim”, ku këtë herë në fokus ishin kandidatët e Shkodrës.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama shkëmbeu batuta me njërin prej tyre, Onid Bejlerin, duke sjellë një moment të lehtë dhe me nota humori në intervistë.

Rama i kujtoi Bejlerit të kaluarën si demokrat, ndërsa kandidati ia ktheu me sportivitet, duke thënë se “nuk është turp të jesh demokrat”.

Rama: Onid, ti je pak demokrat, ose ke qenë pak demokrat.

Onid: Ça të doni ju, kam qenë. Tani më thoni ju çfarë do bëhem.

Rama: Jo, sepse… nuk ka problem.

Onid: Nuk është turp me qenë as demokrat.

Rama: Asnjëri nuk është perfekt.

Ora 15:54
'Gjyshi im është me Saliun’/Kandidatja e Durrësit e 'ngacmon', Rama: Le të zgjedhin detin, jo kënetën! Të na votojnë që të ikin me pasaportën e BE-së në botë tjetër

 

Jona Osmani, e ftuara e radhës në podcastin “Flasim”, maratonë e Kryeministrit Rama, është shprehur se vjen nga një familje e djathtë. Osmani ka “ngacmuar” reagimin e Kryeministrit kur i ka thënë se “gjyshin e kam me Saliun”, dhe më tej Rama ka vijuar me batuta dhe një debat të vogël.

Osmani: Gjyshin nga ana e mamit e kam të djathtë të flaktë, ai është me Saliun. U mërzit shumë kur pa që kisha aplikuar.

Rama: Pse, akoma është me ata? Po nuk e kupton që ka gjithë atë det në Durrës dhe ai rri e sheh kënetën?

Osmani: Ka premtuar këtë radhë që do të votojë ndryshe.

Rama: Eh, nëse nuk të voton as ty, nuk di ç’të them më. O gjysh, çfarë bëhet mo gjysh! Po mirë, pse janë këta akoma me atë parti?

Shiko, është ky perceptimi që PS-ja është akoma vijimësi.

Rama: Çfarë vijimësi, se na mbytën me këtë “vijimësinë”! Po të ishte vijimësi, nuk do t’i vinte radha mbesës tate. Gjithë gjyshërit të na votojnë, që të shkojnë në atë botë me pasaportën e BE-së!

Ora 15:05
‘A e di Kryeministri që unë në 2017 kam bërtitur në çadër’, Zamira Sina: Pranova ftesën tuaj sepse nuk më 'luftuat' kur u zgjodha dekane, edhe pse isha e djathtë

Zamira Sina, kandidatja për PS-në në Qarkun e Vlorës dhe njëkohësisht dekane e Fakultetit të Ekonomisë në qytetin bregdetar, ishte e ftuar në podkastin maratonë “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama. Sina tregoi arsyet pse pranoi ftesën nga Partia Socialiste, ndonëse vinte si një figurë e angazhuar më parë në Partinë Demokratike.

Sina: Përshëndetje, zoti Kryeministër! Ju falënderoj pa fund për ftesën dhe për minutazhin sot në podkastin tuaj. Unë kam lindur në një familje të vjetër “skelare”. Jam nënë e dy djemve dhe aktualisht jam dekane e Fakultetit Ekonomik të Vlorës. Kam dashur gjithmonë të angazhohem në politikë dhe në jetën sociale, dhe besoj se në Vlorë është edhe më sfiduese sesa në Tiranë.

Më erdhi ftesa nga Partia Socialiste për të hyrë në një tjetër garë, pas asaj që sapo kisha përfunduar në dekanatin e Vlorës, përballë dy zonjave të nderuara. Ftesa më erdhi krejt papritur, dhe madje bëmë edhe disa batuta me drejtuesin Çuçi, duke qenë se unë vij nga një familje e djathtë, ndërsa ata janë të majtë.

I kërkova të ndërmjetësonte që të zëvendësoheshin disa ambiente të universitetit që i kemi me qira. I shkrova një mesazh, por nuk më kthente përgjigje. Më pas më ftoi në zyrë dhe më tha: “O goc, ne kemi fushatën, ti më lodh me mesazhe!”, dhe më bëri ftesën për t’u bërë pjesë e ekipit tuaj.

I thashë: “Po mirë, a e di Kryeministri që unë në 2017 kam bërtitur në çadër që ai të largohej?” Ai më tha: “Zoti Kryeministër nuk e ka fare idenë që po ta bëj këtë ftesë. Unë, si drejtues politik, do të ndërtoj ekipin.”

I kërkova pak kohë për ta menduar dhe më la dy javë. Në fakt, pranova, sepse Partia Socialiste nuk më luftoi në garën për dekane, edhe pse aty kishte kandidatë të majtë – dhe këtë e vlerësova shumë.

Ora 14:36
13 minuta sherr në telefon e bënë kandidate për deputete / Ismaili tregon si u njoh me Kryeministrin pas përmbytjes së Vlorës, Rama: Në mendje të ngelin ato që të dhëmbin

 

Erjona Ismaili, kandidatja për Partinë Socialiste në Qarkun e Vlorës, ka treguar ditën e sotme mënyrën se si është njohur me Kryeministrin, në rrethana konfliktuale. Gjatë podkastit maratonë “Flasim”, Rama i kërkoi kandidates të tregonte se si ishte njohur me të.

Rama: Më thuaj si jemi njohur bashkë ?

Ismaili: Ne bashkë jemi njohur duke u zënë. Ditën e nesërme të përmbytjes së Vlorës. Një nga shtëpitë e përmbytura ishte shtëpia ime – për të dytën herë, pas dhjetë vitesh. Herën e parë, sherri nuk arriti deri tek ju, por herën e dytë, po. Ju kam nisur një mesazh, bashkë me një telefonatë, jo shumë korrekte nga ana ime. Pastaj më morët ju në telefon. E kam menduar se biseda do të ishte më e qetë sesa ishte… derisa më bëtë pyetjen e parë: “A e ke shtëpinë e siguruar?” Edhe unë thashë: “Sigalin e di vetë!” dhe biseda zgjati 13 minuta sherr.

Rama: Fjalia që mua më nguli në mendje ishte: “Tjetër thoni dhe tjetër na bëni. Dhe kur vjen puna këtu, të njëjtët njerëz, po kjo histori… dhe askush nuk do të dijë se kush ka merita dhe kush nuk ka merita.” Kjo ishte fjalia që më ngeli në mendje. Në mendje të ngelin ato që të dhëmbin.

 

Ora 14:03
‘Na ftove në shtëpinë tënde dhe s'mund të vija duarbosh’/ Kandidatja e PS që përfaqëson komunitetin rom i dhuron Ramës një libër dhe i tregon simbolin e vathëve

 

Ina Majko ishte kandidatja e radhës në podkastin maratonë të Ramës, si përfaqësuese e listës së Vlorës që mori fjalën. Ndryshe nga të ftuarit e tjerë, Majko kishte vendosur të mos i shkonte Kryeministrit në shtëpinë e tij, siç ajo e quajti  "duarbosh".

Kandidatja e Vlorës i dhuroi një libër Ramës, që fliste për historinë e romëve, komunitetin që ajo ka vendosur të përfaqësojë.

Majko: Faleminderit, shumë faleminderit që më ftove në shtëpinë tënde! Nuk mund të vija duarbosh, prandaj të kam sjellë një libër, i cili në kapitullin e tij të pestë flet për historinë e romëve gjatë komunizmit, duke marrë shembull familjen time. Ky libër flet për të shkuarën e romëve dhe unë jam e sigurt që bashkë do të ruajmë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Rama: Faleminderit.

Majko: Unë jam Ina Majko, vij nga qyteti i Delvinës, nga një familje e rritur me vlera arsimtare, ku edukimi ka qenë gjithmonë shtylla dhe prioriteti i tyre. Kam përfunduar Fakultetin e Shkencave për Biologji, ndërsa më pas bëra një master jashtë shtetit në politika mjedisore, duke pasur kështu mundësi të reja. Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, u ktheva në vendin tim. Shqipëria është vendi im dhe këtë e ndjej thellë brenda vetes. Jam copywriter dhe drejtoj një podcast me titullin “Romët krenarë”.

Tek Majko, kujtohet këshilla e prindërve që i thoshin shpesh: “Duhet ta kesh vath në vesh se nga vjen dhe kush je”. Ajo ndalet gjatë fjalës, heq kufjet dhe tregon vathët që mban gjithmonë gjatë podkastit.

Majko: Meqë ishim te fjala “vath në vesh”, edhe sot mbaj këta vathë që kanë simbolin e komunitetit rom.

Ora 13:22
‘Do kemi probleme se është kokëfortë’, Rama rrëfen episodin me ‘Neomalsoren’: S’donte të futej në listë se nuk arriti objektivin 500 emigrantë! Prandaj e dua shumë këtë njeri

 

Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij maratonë ditën e sotme, ‘Flasim’, gjatë momentit kur prezantonte kandidatët e Qarkut Shkodër, u ndal te pjesa se si kishte marrë vendimin për të bërë Marjana Koçekun, e njohur si ‘Neomalsorja’, kandidate për Partinë Socialiste.

Rama tregoi se Koçeku ia kishte kërkuar vetë, duke i thënë se donte të përfaqësonte zonën e saj, e cila nuk kishte pasur asnjëherë më parë një përfaqësues në parlament. Nga ana tjetër, Rama rrëfeu edhe pjesën kur Koçeku i kishte thënë Benet Becit se nuk donte të hynte në listë, sepse nuk kishte arritur objektivin për regjistrimin e 500 emigrantëve. Me batuta, kryeministri Rama tha se "Neomalsorja do jetë problem i madh se është kokëfortë."

Rama: Më erdhi në sy dhe më thotë: “Dëgjo, e di si është puna? Unë e kam shprehur ambicien time që të jem deputete e Partisë Socialiste. Nuk shoh asnjë hapësirë tjetër përveç Partisë Socialiste, por unë nuk mund të pranoj që zona ime të mos ketë një përfaqësues të drejtpërdrejtë në parlament. Kështu që më thuaj çfarë duhet të bëj më shumë.” Dhe unë thashë: “Çfarë t’i them kësaj më shumë?” Pasi e pyeta njëherë: “Moj, je e sigurt?” “Po puna atje?” “Lëre punën atje,” - tha. “Po më thuaj çfarë të bëj.” “Mirë,” - i thashë, – “do bësh 500 emigrantë. E bën dot?” Mirëpo ishte kohë e shkurtër, ishte drejt mbylljes. “Duhet të regjistrosh 500 emigrantë dhe, nëse e bën, do vish dhe do më thuash: ‘Unë e bëj këtë punë.’”

Kur vjen Benet Beci me atë listën e propozimeve, më thotë: “Tani, Marjana më tha që nuk dua të jem, sepse nuk e kam arritur objektivin. Më ka thënë kryetari: 500, por ka bërë 435 emigrantë. Nuk dua të jem.” “Lëre,” -i thashë, -“po si i ka bërë?” “Po,” -më tha Beneti, - “i ka bërë vërtet.” Edhe prandaj e dua shumë këtë njeri, se e ka kokën shumë të fortë.

Marjana Koçeku (Agroturizmi Neomalsore) është kandidate e PS në listën e mbyllur të Qarkut të Shkodrës.

Ora 13:01
‘Vij nga një vend që ende shkohet me varkë’/ ‘Neomalsorja’: Nuk duhet nënvlehtësuar forca e një filize të re

Marjana Koçeku, e njohur si "Neomalsorja" kandidate në listën e mbyllur të Shkodrës ka folur për jetën e saj në podcastin e kryeministrit Rama, si edhe rrugëtimin për zgjedhjen e përfshirjes në politikë. "Neomalsorja" tregoi se vinte nga një familje tradicionale e madhe në malet e Dukagjinit.

"Unë besoj se nuk duhet nënvlehtësuar forca e një filize të re",- ishte mesazhi që dha 'Neomalsorja' gjatë rrëfimit të jetës së saj, jo fort të lehtë.

Rrëfeu se në shtëpinë e saj do duhet të shkosh me varkë dhe se deri vonë një pjesë e madhe e shtëpive nuk kishin drita dhe jetonin me qiri.

Koçeku e konsideroi Dukagjinin, përpara promovimit para turizmit sipas saj, si një nga vendet më të izoluara të Ballkanit.

Nga ana tjetër ajo tha se arsyeja kryesore që hyri në politikë ishte realiteti i një Dukagjini të lënë pas dore dhe një Shkodre të baltosur. 

Marjana Koçeku: Jam për fjalën e lirë. Jam Marjana, kam studiuar për shkenca politike. Kam studiuar në Tiranë dhe kam bërë një Erasmus. Angazhimin në politikë e shoh si një vokacion. Vij prej Dukagjinit dhe jam rritur midis Dukangjinit të lënë pas dore dhe Shkodrës së ç’organizueme. Edhe kjo është arsyeja pse po angazhohem politikisht.

Edi Rama: Më trego pak si u rrite dhe si dole nga rrethimi? 

Marjana Koçeku: Unë jam rritur në një familje të madhe të Dukagjinit. Babain e kam pas kapiten dhe jam rritur në varka në liqen. Jam rritur në një vend që shkohet vec me varkë dhe jam rritur me ndricimin me qiri. Dukagjini ka qenë një nga vendet më të izoluara në Ballkan. Ka qenë një jetë plot sfida. Nuk ka qenë e lehtë as të vish në Tiranë. Mbasi u diplomova, kam pas një mesatare të lartë dhe mund të kisha zgjedhur çfarë të doja. Kur u ktheva dhe nisa bujtinën time, por e vetme nuk mund të bësh asgjë e vetme në majë të malit dhe unë e bëra nga çmënduria e pasionit. Unë besoj se nuk duhet nënvlehtësuar forca e një filize të re.

Ora 12:48
Kandidati i PS-së në Elbasan tregon historinë para 10 vitesh: Drejtori i PD-së nga hoqi fotot nga tabela e lavdërimit se familja jonë njihej si e majtë

 

Musa Coha, një nga kandidatët e rinj të platformës ‘Deputeti që duam’ i ftuar në podkastin e sotëm maratonë të Kryeministrit Rama ‘Flasim’, ka treguar një episod të 10 viteve më parë.

Coha është ndalur në një rrëfim, kur drejtori i shkollës së fshatit ku kishte lindur i kishte hequr foton si nxënës i lavdëruar se vinte nga një familje e majtë.

"Në kohën kur isha në shkollë, para 10 vitesh drejtori i shkollës që ishte me PD-në më ka hequr fotot nga tabela e lavdërimit sepse ne ishim një familje e majtë",-ka thënë Coha.

Ora 12:14
'Nuk ka lidhje me bufin e kënetës'/ Rama batuta me kandidaten në Roskovec: Mbetet mes nesh, nuk është e thjeshtë të punosh me Majlindën

 

Gjatë bashkëbisedimit në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar edhe kandidatë të Partisë Socialiste në Roskovec.

Mes të ftuarve ishte edhe kandidatja Zegjine Çaushi, e të cilën Rama shkëmbeu batuta për kryetaren e bashkisë, Majlinda Bufin.  Madje për këtë të fundit, Rama tha se nuk ka lidhje me ‘bufin e kënetës’, referuar Sali Berishës.

Edi Rama: Të mbetet mes nesh, nuk është e thjeshtë të punosh me Majlinda Bufin.

Çaushi: Fakti që jam në listë të hapur nuk do të thotë që jam thjesht një numër në listë por do jem potenciali për të sjellë mandatin e 11.

Rama: Ky është efekti i Majlindës, por edhe sfidë për Majlindën, Majldina nuk i ka qejf këto hijet.

Ora 11:50
‘Këtë dhuratë Lezhës mund t’ja bëj vetëm këneta’/ Rama në podkastin e tij ironizon Gjin Gjonin: Një jashtënxjerrje e Reformës në Drejtësi

 

Kryeministri Edi Rama në podkastin e përjavshëm, në pjesën ku kishte të ftuar kandidatët e Qarkut Lezhës. Ndër të tjera Rama është ndalur tek ish-gjyqtari Gjin Gjoni, kandidat i Sali Berishës në listën e hapur të Lezhës. “Një jashtënxjerrje të reformës në drejtësi” e quajti Rama, ndërsa një dhuratë të tillë këtij qarku mund t’ia bëjë vetëm këneta.

'Gjithë ky qark që mbart vlera të shtrydhet dhe në fund të nxjerri Gjin Gjonin. Këtë dhuratë Lezhës mund t’ja bëj vetëm këneta dhe askush tjetër. Një personazh i nxjerrë, një jashtënxjerrje e Reformës në Drejtësi. Një simbol i korrupsionit në drejtësi i njohur pjesërisht.-tha Rama. 

Ora 11:37
‘E mora vesh nga televizori që isha në listë’/ Nako, kandidatja e Fierit për PS-në: Më mori im shoq, Ana ti je ajo në listë?

Ana Nako, kandidatja e Partisë Socialiste për Fierin ka ndarë një moment, tek ishte e ftuar në podkastin e Kryeministrit Edi Rama ditën e sotme. Nako ka thënë se e ka marrë vesh që do të jetë deputete nga televizori. Nga ana tjetër ajo tregon për telefonatën e të shoqit, i cili e kishte marrë i habitur duke e pyetur se a ishte ajo që po kandidonte në në listën rozë të Fierit.

Rama: Sinqerisht e prisje që do ishe në listën e Qarkut të Fierit?

Ana Nako: Në fakt nuk e prisja në të hapur, jo më të prisja në listën e mbyllur. Isha skeptike dhe nuk e prisja fare. E kam dëgjuar nga televizori, sa që im shoq është oficer dhe atë natë ishte me shërbim dhe më merr në telefon dhe më thotë: ‘Ana për ty bëhet fjalë’. I thashë ‘meqë drejtoresha e Divjakës jam unë, kjo unë jam, unë duhet të jem. 

Ora 11:20
'Mamaja punon në fasoneri, kisha mundësi të ikja jashtë vendit dhe nuk ika'/ Kandidatja e Fierit: Një fjalim më ndryshoi jetën

Kiduina Zaka, kandidatja e Partisë Socialiste në Lushnje ka folur për rrugëtimin e saj deri në ardhjen e momentit të përfshirjes së saj në lista. Zaka tregon se vjen nga një familje e thjesht e Lushnjes dhe se nuk e kishte menduar asnjëherë se do merrej me politikë. Ajo tregon momentin që i ndryshoi jetën.

'Unë jam Kiduina Zaka, jam nga Lushnja. Babai ka qenë polic, mamaja në fasoneri. Vëllai është anëtar i forcave detare. Jam kthyer në Lushnje për të dhënë kontributin tim edhe pse e kam pasur shansin të iki jashtë me bursë. Për hir të së vërtetës kam qenë një nga ato që nuk do merresha me politikë. Ardhja ime në PS ka qenë e rastësishme. Në një moment te caktuar e gjej veten Lushnje. Në 25 vjetorin e Partisë në Lushnje më kanë ftuar të mbajë fjalën dhe aty jam identifikuar dhe ai moment më ka ndryshuar jetën. Më pas kam drejtuar FRESSH-in. Punoj psikologe dhe jam dhe pedagoge e pjesshme në universitetin e Tiranës.'-tha Zaka.

Ora 10:53
Ceno Klosi flet për familjen dhe rrugëtimin e tij në podcastin e Ramës! Kryeministri: Libofsha i ka dhënë një leksion dikur kënetës

Ditën e sotme në podkastin e Kryeministrit Edi Rama ka qenë i ftuar Ceno Klosi, kandidat për deputet në listën e hapur të Fierit. Klosi ka rrëfyer për jetën e tij dhe karrierën në administratë për 24 vite. Midis të tjerash Rama ka veçuar vendlindjen e mamasë së Ceno Klosit, Libofsha ku ai kujton se si një ish-zonë që e kontrollonte e djathta dikur, edhe në një moment ata ia dhanë Partisë Socialiste.

‘Babanë e kam nga Mallakastra, mamanë e kam myzeqare nga Libofsha. Lindur dhe rritur në qytetin e Fierit. Kam qenë 24 vite në Tiranë me punë, nga sistemi banker dhe nga drejtimi financiar I OSHE, Tatimet dhe zv. Ministër Energjie. Jemi me detyrën për të kandiduar si një deputet i qytetit tim, në letër duket e thjesht. Edhe pa u bërë deputet, ngarkesa është e jashtëzakonshme dhe tek prindërit që po më shohin tani. Detyra ka ngarkesë të jashtëzankonshme.’-tha Ceno Klosi. 

Pas fjalës së Klosit, Rama ndalet tek vendlindja e nënës së kandidatit.

‘Do të kujtoj një histori me Libofshën. Libofsha ka qenë një nga vendet që kontrollohej nga këta të ‘kënetës’. Edhe para disa kohësh në një palë zgjedhje, kur këneta kishte pushtetin, Libofsha i dha një leksion që ata nuk e harrojnë.'-tha Rama. 

Ora 10:28
‘Më falni s’jam përgatitur për këtë moment’/ Kandidati i PS përlotet kur kujton babanë: Ishte momenti kur profesori më tha…

Julian Zyla kandidati në listën së hapur të PS-së, ekspert i çështjeve ndërkomëtare ka folur në podkastin e Kryeministrit Rama mëngjesin e sotëm mbi rrugëtimin e tij. Zyla është përlotur gjatë rrëfimit të tij, kur ka kujtuar babai e tij gjatë momentit të diplomimit. 

'Kryeministër unë çdo gjë që kam bërë, që nga mosha që merrja vendime dhe në shkollë të mesme deri sot. Njëra është politika dhe një është Shqipëria. Kam studiuar shkenca politike dhe kam qenë në SHBA dhe kam punuar në Zërin e Amerikës. Ajo që tundoi për Zërin e Amerikës ishte një punë që ishte aq larg dhe kaq afër me Shqipërine. Dua të vecoj një ditë në Janar të 2010, ku prezantova temën. Një moment tjetër I rëndësishëm, ishte kur kryetari I komisionit të vlerësimit në shkollë më tha ‘Ju po ja bëni këtë nder vendit tuaj’.Ishte babi në sallë (preket)se kam 3 vjet që se kam. Edhe ai donte shumë që unë të merresha dhe ishe shumë suportues'-tha Zyla.

Ora 09:56
Rama batuta me kandidaten e Gjirokastrës: Ke vënë shumë burra në rresht, nuk je kaq e butë sa dukesh! Dhimitri: Emigrova në Greqi, por nuk e gjeta veten

Anila Dhimitri, kandidatja në listën e mbyllur të Gjirokastrës, Kryetarja e Këshillit të Bashkiak të Përmeti e ftuar në podcastin ‘Flasim’ të Kryeministrit Edi Rama ka folur ditën e sotme për rrugëtimin e saj. Dhimitri ka treguar sesi nga emigrante në vështirësi në Greqi arriti të bënte karrierë në administratën publike në Shqipëri

Edi Rama: Ke dhe një detyrë që të ka spikatur si drejtuese burrash kështu që ke vënë shumë burra në rresht në Përmet e Këlcyrë, kështu që tani nuk të shkon kjo butësia kaq e madhe përmetare se nuk je dhe aq e butë sa dukesh.

Anila Dhimitri: Unë jam Anila Dhimitri dhe vijë nga Përmeti. Vij nga një familje tradicionale përmetare. Pasi mbarova 8 vjeçare doja të isha ekonomiste dhe ata ma plotësuan dëshirën ku shkova në shkollën tregtare ne Vlorë dhe më pas shkova me studime ekonomi. Jam kthyer në Përmet dhe aty krijova familjen time. Punova disa kohë dhe pas reform ana mbylli dhe na hoqën nga puna. Shkuam në Greqi bashkë me bashkëshortin, nuk gjetëm veten.Bashkëshorti vazhdoj biznesin dhe unë fillova shefe finance në KESH sot OSHEE.

Ora 09:50
Muzhaqi: 35 të rinj nga ‘Deputeti që Duam’ dhe ‘Akademia Politike’ në listat e PS për 11 majin! Rama: Këtë praktikë do përdorim edhe për nivelin vendor

 

Ministrja Bora Muzhaqi e ftuar në podcastin e Kryeministrit Rama u ndal tek platforma ‘Deputeti që Duam’, nga e cila PS ka zgjedhur disa figura të reja politike për ekipin garues të 11 majit. Janë 35 emra të përzgjedhur nga ‘Deputeti që Duam’ dhe Akademia Politike e PS dhe 7 prej tyre do dalin deputetë në zgjedhjet e 11 majit, pasi ndodhen në listat e mbyllura.

Të njëjtën iniciativë, Rama tha se mund ta shtrojnë edhe për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar Bashkish apo këshilltarë bashkiakë.

Bora Muzhaqi: Ka qenë nder të isha personi që përkujdesesha për platformën bashkë me një ekip. Ndryshimet që i bëmë platformës, duke nisur nga aplikimi, më serioz, me të gjatë, vendosëm kritere që ti mund të kishe një aplikim të mbyllur për dikë që ishte në mëdyshje. Gjëja tjetër që ndryshuam ishte që herën e parë i mbajtën videot  e mbyllura, nuk patën mundësinë të bënim fushatë. Unë duke qenë vetë pjesë e platformës me mërziti fakti që unë kisha shumë pak kohë për të bërë fushatë. Menduam ti japim kandidatëve me shumë kohë të përgatiten. Nga korriku të gjithë kanë pasur mundësinë të aplikojnë. Aplikimet e plota kanë qenë rreth 500.

Edi Rama: Mendoj se duhet ta përdorim edhe në nivel vendor, kryetarët e bashkive, këshilltarët. Është prurje e demokracisë direkt, në formë të moderuar që na jep mundësinë të identifikojmë njerëz, që përndryshe mbeten në hije në shoqëri, por edhe për një arsye të thjeshtë që partia në territor më shumë se instinktin e hapjes ka instinktin e mbylljes. Me gjithë luftërat e bëra si duket ky është një problem organik i çdo partie politike.

Bora Muzhaqi: 1 nga 5 emrat që ne kemi nga PS, ka ardhur nga këto platforma. Njerëz që vijnë për të na treguar vetën e tyre, gjysma e tyre janë vajza dhe do të kemi 7 deputetë që vijnë nga këto dy iniciativa.

Ora 09:48
‘Je bërë shumë herë meme’/ Muzhaqi në podcastin e Ramës: Duan të rinj në politikë, por sa del një mundohen ta ulin

Kryeministri Edi Rama në një podcast maratonë po prezanton ekipin garues të PS për zgjedhjet e 11 majit. Një prej tyre është edhe ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila është kandidate në listën e mbyllur të qarkut Elbasanit. Rama i kujtoi disa ‘meme’ ministres, ndërsa kjo e fundit u shpreh se çfarë nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar për veten e saj. Muzhaqi theksoi se duan të rinj në politikë, por sa herë del një i ri në politikë mendojnë si ta ulin.

Edi Rama: Edhe pse ti je e njohur më shumë se dy të tjerët. Je bërë edhe meme.

Bora Muzhaqi: Po e filloj që nga gjimnazi kam qenë ekselente. Që 15 vjeç i thashë prindërve dua të srdioj jashtë, jo thanë. I binda si përfundim. Bëra gjimnazin në Angli me rezultate shumë të larta. Dëgjova thirrjen tuaj për studentët që studiojnë jashtë të ktheheshin në Shqipëri. Më intervistuan për një pozicion në Ministrinë e Financave por nuk ‘ duk interesante. Çfarë nuk kam dëgjuar e parë për veten time. Ne themi duam të rinj në politikë por sa del një i ri në politikë themi si ta ulim.

Ora 09:31
‘E nisa rrugëtimin tim për tu bërë violiniste’/ Kuko rrëfen historinë e saj në podcastin e Ramës: Mu bë një padrejtësi në zyrat e NATO-s

Kandidatja e listës së mbyllur së Partisë Socialiste për Korçën, njëkohësisht zv.ministrja e Brendshme dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko ka folur për rrugëtimin e saj deri në politikë. Kuko ka thënë se është rritur në Korçë, edhe sipas saj nuk ka kujtime të mira nga ajo kohë dhe kujton vështirësitë e kushteve të shkollave.

Nga ana tjetër Kuko flet dhe për një ‘padrejtësi’ në raport me konkurrencën kur punonte në zyrat e NATO-s.

Romina Kuko: E kam nisur duke asipruar për tu bërë violiniste dhe kam kujtim të hidhur nga Korça, sidomos kur shkoja në shkollat pa kushte me një mot prej -20 gradë. Shkova në Shefild për një specializim në psikologji. Unë isha një nënë e re dhe mu bë një padrejtësi në zyrat e NATO-së, ku kisha 4 vite që punoja. Aty mu bë një padrejtësi në raport me konkurrencën.  Shkova më pas në zyrat e OSBE-së dhe u mora me reformën në aspektin e sigurisë. Besoj se aty e kam pasur momentin, ku kam rënë në sy në qeveri. Por nga ana tjetër ka qenë dhe një zbor i brendshëm për të forcuar veten dhe se kë duhet të ndihmosh dhe kë nuk duhet të ndihmosh.

Edi Rama: Si je me dialektin?

Romina Kuko: E kam akoma, jo si im bir që shkon në Korçë dhe kthehet nga Korça me theks tjetër.

Ora 09:06
‘Bashkohuni me ne më 11 maj’/ Rama ftesë shqiptarëve: Ne mund ta mbyllim shumë shpejt historinë diskriminuese që na bëhet nga policët në kufij

 

Kryeministri në podcastin e përjavshëm ‘Flasim’ ka folur për rëndësinë e votimit të Partisë Socialiste. Sipas tij vota në 11 Maj është për një pasaportë në BE.

'Të dashur miq, bashkëqytetarë bashkëatdhetarë që po më ndiqni tani. Ne mund ta mbyllim shumë shpejt këtë histori poshtëruese diskriminuese. T'i mos i japim më llogari një polici në aeroport dhe kur do ikim. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën 2030. Në këtë pasaportë duhet të shtohet dicka themelore. Europian Union Republic -Albania. Na duhet jo thjesht një mandat i 4, kush e do pasaportën e BE-së ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugën, me votën e bashkuar dhe ne do ta pajisim brenda kësaj dekada europiane. Me pasaportën e BE-së, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë mund të studiojnë. Me pasaportën e BE, çdo ambasadë e BE i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptar apo shqiptare që zotëron pasaportën e BE nëse nuk ka aty pranë një ambasadë shqiptare. Ky është horizonti ynë i mandatit të katërt i konkretizuar, sot ju ftoj në një maratonë ekskluziv i këtij podcasti me ata dhe ato që i janë bashkuar skuadrës sonë kombëtare për fitoren e 11 majit dhe që janë pjesë e përpjekjes së re së PS për të qenë një parti e re për Shqipërinë në BE. PS 2030, për Shqipërinë në BE.'-tha Rama. 

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Askushi: 15/03/2025 15:20

    Te thuash qe je e djathte me partine e Saliut me vjen keq se qenke dhe DEKANE.Saliu eshte sallaktsh deri ne rrenje dhe komunist dhe kapitalist me nje fjale hibrit

    Përgjigju
  • Or tej: 15/03/2025 11:37

    Ja edhe hajdutet e radhes or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Vagina Hegzagonale: 15/03/2025 11:10

    Ka,qe ne 91 shin kur ishte me PDne qe gjoja do na çonte ne Europe, pse duhet besuar sot qofte ky apo qoftelargu?!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?